Raporti i OSBE-ODIHR për blerjen e votës dhe punësimet

752
Gjatë fushatës, pati aludime të përhapura gjerësisht për blerje të votës. Pas ditës së zgjedhjeve, si PD-ja edhe LSI-ja i përsëritën pretendimet e tyre pranë MVZ-së së OSBE/ODIHR-it se kishte ndodhur një operacion masiv, i përhapur gjerësisht, për blerjen e votës. Të dyja këto parti treguan disa raste konkrete, por në mungesë të provave të mjaftueshme konkluduese, nuk paraqitën ndonjë ankim ligjor kundër rezultateve. Megjithatë, ato iu përmbajtën deklaratës së tyre të palëkundur se shkalla e blerjes së votës ishte e lidhur me sasi të mëdha parash të vëna në dispozicion nga kultivimi kriminal i drogës. Nevojiten përpjekje serioze për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, si nëpërmjet një fushate për ndërgjegjësimin qytetar ashtu edhe nëpërmjet ndjekjes penale, me qëllim forcimin e besimit te procesi zgjedhor. Partitë politike mund të ndërmarrin një angazhim konkret dhe të mirëfilltë për të luftuar praktikat e blerjes së votës. Gjithashtu, një refuzim publik nga ana e politikanëve për të pranuar mbështetje financiare nga individë me të kaluar kriminale do të ndihmonte në ndërtimin e besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve. Shumë bashkëbisedues të MVZ-së së OSBE/ODIHR-it shprehën shqetësime mbi shpërdorimin e burimeve shtetërore dhe presionin e lidhur me vendin e punës mbi punonjës të sektorit privat dhe publik, që kishte të bënte me veprimtaritë apo preferencat e tyre politike. Ekziston shqetësimi që, në një mjedis me institucione të politizuara, preferencat zgjedhore të punonjësve të sektorit publik – një segment i shoqërisë i cenueshëm nga presionet – mund të kenë pasoja mbi mjetet e jetesës së individit dhe punësimin e tij/saj në të ardhmen. Autoritetet dhe partitë politike duhet të konsiderojnë marrjen e hapave më të vendosura për të siguruar që të mos ushtrohet presion mbi punonjësit e sektorit publik, aktivistët politikë dhe qytetarët e tjerë për të marrë pjesë në aktivitete të fushatës apo për të votuar në një mënyrë të caktuar. Çdo rast dhe pretendim për presion duhet të hetohet dhe ndiqet në mënyrë tërësore dhe të efektshme nga autoritetet përkatëse. Të gjitha rastet, përfshirë rezultatin e tyre, duhet të raportohen publikisht. Pas marrëveshjes politike të 18 majit, qeveria ngriti një Task Forcë ministrore për të bashkërenduar veprimet qeveritare për të shmangur dhe, nëse do të ishte e nevojshme, për të ndëshkuar sjelljen e papërshtatshme të organeve administrative në procesin zgjedhor. Efektshmëria e Task Forcës u zbeh, gjithsesi, nga konfliktet kryesisht midis ministrave të caktuar nga PD-ja dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore. Në disa raste, largimet dhe pezullimet nga puna të nëpunësve publikë nuk u bënë në përputhje me procedurat ligjore. Disa prej këtyre largimeve nuk kishin lidhje të dukshme me procesin zgjedhor. Kjo e ekspozoi procesin ndaj pretendimeve, kryesisht të LSI-së, se këto veprime ishin të motivuara politikisht. Si hap pozitiv, Task Forca nxori një raport të hollësishëm të veprimtarisë së saj, si dhe ofroi një sërë rekomandimesh për përmirësimin e praktikave zgjedhore në të ardhmen. Qeveria duhet të analizojë efektshmërinë e përpjekjeve të mëparshme për të luftuar shpërdorimin e burimeve shtetërore dhe presionet e lidhura me vendin e punës mbi zgjedhësit. Ajo duhet të marrë në konsideratë ngritjen e një organi transparent, të pavarur dhe përfshirës me detyrën dhe kompetencën e veprimit dhe të ndjekjes nëse vihet në dijeni për çështje të tilla në periudhën para dhe paszgjedhore. Kjo strukturë mund të ngrihet edhe në nivel vendor në një kohë të mjaftueshme përpara zgjedhjeve të radhës.
Sigal