Raporti i OSBE-ODHIR: Kolegji Zgjedhor rrëzoi në mënyrë të paligjshme dekretin e Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve vendore

606
Sigal

– Atmosfera e pasigurisë ligjore dhe mosmarrëveshja midis institucioneve shkatërroi besimin e publikut në legjitimitetin e zgjedhjeve

Sot, më 5 Shtator, Misioni i Vëzhguesve të OSBE-ODIHR pritet të publikoi raportin mbi zgjedhjet lokale të 30 Qershorit në Shqipëri. Ekspertët e kanë përfunduar punën e tyre dhe Raporti përpara publikimit i ështëdërguar zyrtarisht institucioneve shqiptare dhe disa prej përfaqësive diplomatike në vend. Nga burime zyrtare, kemi arritur të sigurojmë ekskluzivisht Raportin Përfundimtar të OSBE-ODIHR që i është dorëzuar institucioneve shqiptare, ku siç edhe pritej janë konfirmuar të gjitha gjetjet e bëra publike në Raportin Paraprak të publikuar në 1 Korrik. OSBE-ODHIR thekson se Kolegji Zgjedhor rrëzoi në mënyrë të paligjshme dekretin e Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve vendore.

Zgjedhje jo demokratike
Nga leximi i Raportit arrihet të kuptohet se votimet e 30 Qershorit nuk kanë qenë normale për vëzhguesit e OSBE-ODIHR-it. Duke shpjeguar arsyet përkatëse, ato duket se vendosin në pikëpyetje besimin e publikut tek procesi dhe tek legjitimiteti i zgjedhjeve. Tërheq vëmendjen fakti që në asnjë rresht të Raportit, OSBE-ODIHR nuk shprehet që zgjedhjet ishin demokratike apo nëse zgjedhjet arritën standardet ndërkombëtare. Ky është rasti i parë kur OSBE-ODIHR nuk jep një përcaktim të tillë për zgjedhjet në Shqipëri, të paktën nga krahasimi me 3 Raportet e fundit të bëra për zgjedhjet në vendin tonë. Që në nisje të tij, Raporti ripërsërit konkluzionin se: “Zgjedhjet lokale të 30 Qershorit u mbajtën pa e marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit dhe se në një klimë ngërçi dhe polarizimi politik, votuesit nuk e patën mundësinë të zgjidhnin mes disa opsioneve politike. Në 31 nga 61 bashki gjithsej, kandidatët për kryetarë bashkie garuan pa kundërshtarë. Pati pretendime të besueshme nga qytetarët për presione dhe se përplasjet politike çuan në pasiguri juridike, ku shumë vendime të administratës zgjedhore u morën me objektivin politik për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve.”.
Zgjedhje jo të legjitimuara
Në Raport, ekspertët e OSBE-ODIHR vendosin në dyshim besimin e publikut tek legjitimiteti i zgjedhjeve, duke u shpjeguar se: “Atmosfera e pasigurisë ligjore dhe mosmarrëveshja midis institucioneve kryesore shkatërroi besimin e publikut në legjitimitetin e zgjedhjeve.”.Një tjetër aspekt sipas Raportit që minoi besimin e publikut në procesin zgjedhor ishte edhe “përbërja e pabalancuar politikisht e administratës zgjedhore apo thirrja për të bojkotuar votimin”. Në fakt, legjitimiteti i zgjedhjeve dhe besimi tek administrate zgjedhore janë dyelementë kyç të standardeve të OSBE-ODIHR për t’i konsideruar ato si “zgjedhje demokratike”.
Mungesa e Gjykatës Kushtetuese shtoi pasigurinë juridike mbi zgjedhjet
Mungesa e Gjykatës Kushtetuese është cilësuar si shkaku që shtoi pasigurinë juridike mbi zgjedhjet, sepse për OSBE-ODIHR “pasiguria juridike mbi zgjedhjet u rrit për shkak tëmosmarrëveshjes midis palëve të interesuara zgjedhore në lidhje me ndarjen e përgjegjësisë midis Gjykatës Kushtetuese, si organi i vetëm i mandatuar për të vendosur mbi kushtetutshmërinë e dekreteve presidenciale, dhe Kolegjit Zgjedhor që ka mandat të mbikëqyrë ligjshmërinë e procesve zgjedhore”. Raporti thekson se “votuesit shqiptar nuk kishin një zgjedhje gjithëpërfshirëse midis alternativave kryesore politike pasi partitë kryesore të opozitës abstenuan zgjedhjet”. Për këtë arsye mendon OSBE-ODIHR, votimet e 30 Qershorit në thelb nuk ishin për të zgjedhur Kryebashkiakët, por “zgjedhja thelbësore e paraqitur para qytetarëve ishte nëse duhet të marrin pjesë apo jo”.
ODIRH Dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës 13 Tetor si ditë të zgjedhjeve lokale nuk u publikua në Fletoren Zyrtare
ODIRH evidenton se Presidenti i Republikës anuloi zgjedhjet e 30 Qershorit nisur nga nevoja për të garantuar sigurinë publike dhe përgjegjësisë së tij kushtetuese për të mbrojtur pluralizimin politik. Mirëpo, “Dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës 13 Tetor si ditë të zgjedhjeve lokale nuk u publikua në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, edhe pse publikimi i këtij akti të nxjerr nga Presidenti i Republikës është i detyrueshëm nga ligji”. ODIHR ka evidentuar se: “Votuesve jo gjithmonë ju kontrollua gjurma e bojës apo jo gjithmonë u shenjua me bojë përpara dhënies së fletës së votimit. Në listat e zgjedhësve u konstatuannënshkrime dukshëm identike, që janë provë e votimit me përfaqësim nga të tjerë”.P ra edhe pse me një gjuhë konstatuese dhe diplomatike, gjetja e shënuar në Raport se në listë janë nënshkrime identike për llogari të disa personave, apo mos shenjimi me bojë, ngre dyshimin e madh se numri i votuesve është rritur artificialisht, nëpërmjet votimit të një personi ne emër të disa personave.
OSBE-ODIHR “KQZ interpretoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme
Kritika nga ekspertët e OSBE-ODIHR kanë marrë edhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas OSBE-ODIHR “KQZ interpretoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme dhe në një mënyrë tepër të zgjeruar, duke ulur sigurinë juridike”.Një konstatim të drejtpërdrejtë ODIHR e bën lidhur me mospranimin e komisionerëve të opozitës. Për ODIHR “mospranimi i komisionerëve të opozitës në administratën zgjedhore për shkak të interpretimit të ligjit nga KQZ, e la administratën zgjedhore politikisht të pabalancuar. Për pasojë, shumë bashkëbisedues të Misionit të Vëzhgimit të ODIHR shprehën mungesë besimi për të gjitha nivelet e komisioneve”. Më tej, ODIHR shprehet se “në disa raste KQZ zbatoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme ose në atë mënyrë që solli paragjykim. Disa vendime të KQZ-së, përfshirë ato për mohimet dhe ankesat për regjistrimin e kandidatëve, u publikuan me një vonesë të konsiderueshme, gjë që cënoi transparencën”. Gjithashtu, po mbi vendimmarrjet e KQZ, vëzhguesit e pavarur të ODIHR shtojnë se regjistrimi i Bindjes Demokratike në zgjedhje ishte në kundështim me ligjin dhe me praktikat e mëparshme të vetë KQZ apo Kolegjit Zgjedhor, duke theksuar se: “KQZ-ja interpretoi ligjin në një mënyrë tepër të gjerë dhe nganjëherë në kundërshtim me praktikat e mëparshme, duke cënuar sigurinë juridike. KQZ-ja e regjistroi Partinë Bindja Demokratike si subjekt zgjedhor më 27 prill, megjithëse kjo e fundit u regjistrua si parti politike vetëm në 25 Prill, me një vendim gjyqësor që mori formë të prerë në 10 maj. KQZ nuk i kërkoi të partisë së sapo regjistruar BD që të mbledh nënshkrime mbështetëse siç e kërkon ligji.”. Në Raport konstatohet shqetësim për mungesën e paanshmërisë së KQZ-së, duke treguar raste kur shumica e anëtarëve të KQZ-së kanë votuar sipas linjave partiake.
Presion ndaj qytetarëve në votim
Raporti konstaton edhe presionin ndaj qytetarëve, duke u shprehur qartë dhe në mënyrë direkte mbi këtë fakt. Raporti përmend raste konkrete se kur sjellje të caktuara gjatë zgjedhjeve bien ndesh me standardet e OSBE për zgjedhje të lira. Për ODIHR, “qytetarët, veçanërisht ata të punësuar në administratën publike, u vunë nën presion për të demonstruar preferencën e tyre politike, e cila është në kundërshtim me Paragrafin 7.7 të Dokumentit të Kopenhagës të OSBE-së të vitit 1990”. Madje shtohet se: “ODIHR mori shqetësime nga qytetarët se duke votuar apo abstenuar potencialisht do t’i ekspozonte ato ndaj ndëshkimit në komunitetin e tyre. Disa përshkruan kërcënime të drejtpërdrejta dhe shantazh për pushime nga puna apo heqjen e përfitimeve të ndihmës sociale. Punonjësit e administratës publike dhe ndërmarrjeve shtetërore ishin nën presion të drejtpërdrejtë dhe indirekt për t’u përfshirë në veprimtari politike gjatë dhe pas orarit të punës, dhe se punësimi në sektorin publik varet nga përkatësia politike dhe kjo bie ndesh me paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagës të OSBE-së të vitit 1990”, – shkruhet në Raportin që pritet të bëhet publik nesër nga ODIHR.
Prokuroria nuk ndëshkoi krimet zgjedhore
ODIHR ka një shqetësim edhe për mosveprimin e organit të prokurorisë për ndëshkimin e krimeve zgjedhore, duke theksuar se: “ODIHR ishte dëshmitar i rasteve të kërcënimit të votuesve dhe shkeljes së fshehtësisë së votës në qendrat e votimit, mirëpo për këto raste nuk është regjistruar zyrtarisht asnjë procedim penal nga prokuroria. Ka një shqetësim për mungesën e përgjithshme të efektivitetit të hetimeve penale që kontribuojnë në perceptimin e përhapur të pandëshkueshmërisë mbi krimet elektorale të kaluara, duke përfshirë votimin dhe presionin ndaj votuesve”.
boks me vete
PËRMBLEDHJE KRYESORE E RAPORTIT:
• OSBE-ODHIR: Kolegji Zgjedhor rrëzoi në mënyrë të paligjshme dekretin e Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve vendore

OSBE-ODIHR: Mosmarrëveshjet për 30 qershorin shkatërruan besimin e publikut tek legjitimiteti i zgjedhjeve
• OSBE-ODIHR: Administrata e njëanshme zgjedhore minoi besimin e publikut tek procesi zgjedhor
• OSBE-ODIHR RIKONFIRMON:Zgjedhjet lokale të 30 qershorit u mbajtën pa e marrë në konsideratë interesin e elektoratit
• OSBE-ODIHR: Votuesve shqiptar iu mohua mundësia të zgjidhnin në 30 qershor mes alternativave
• OSBE-ODIHR: Punonjësit e administratës publike u vendosën nën presion politik
• OSBE-ODIHR: Votimet e 30 qershorit në klimën e pasigurie juridike
• OSBE-ODIHR: Zgjedhjet u mbajtën nën një terren të krizës politike dhe institucionale.
• OSBE-ODIHR: Gjykatës Kushtetuese, organi i vetëm që vendos mbi kushtetutshmërinë e dekreteve presidenciale.
• OSBE-ODIHR: Në listat e zgjedhësve u konstatuan nënshkrime dukshëm identike, që janë provë e votimit nga të tjerë.
• OSBE-ODIHR: KQZ interpretoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme dhe në një mënyrë tepër të zgjeruar, duke cënuar sigurinë juridike.
• OSBE-ODIHR: Mospranimi i komisionerëve të opozitës i paligjshëm dhe e la administratën zgjedhore politikisht të pabalancuar
• OSBE-ODIHR: KQZ vonoi publikimin e vendimeve duke cënuar transparencën.
• OSBE-ODIHR: KQZ-ja e regjistroi partinë bindja demokratike dhe kandidatët e saj në mënyrë të paligjshme.
• OSBE-ODIHR: Shqetësim për mungesën e paanshmërisë së KQZ-së.
• OSBE-ODIHR: Gjyqtarët e kolegjit zgjedhor të ndikuar në pavarësinë e tyrë për shkak të vettingut.
• OSBE-ODIHR: Punonjësit e administratës publike dhe ndërmarrjeve shtetërore ishin nën presion të drejtpërdrejtë.
• OSBE-ODIHR: Qytetarët u kërcënuan me largim nga puna apo heqjen nga ndihma sociale.
• OSBE-ODIHR: Shqetësim për mosveprimin e organit të prokurorisë për ndëshkimin e krimeve zgjedhore.
• OSBE-ODIHR: Prokuroria asnjë procedim për krimet zgjedhore.
• OSBE-ODIHR: Mungesa e hetimeve penale konsolidon pandëshkueshmërisë mbi krimet elektorale të kaluara.
6 PRIORITARET
1. Partitë politike dhe palët e tjera të interesuara zgjedhore duhet të përfshihen në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës dhe të lehtësojnë Reformën Zgjedhore që adreson rekomandime të përfshira në këtë dhe raportet e mëparshme të ODIHR-it.
2. Autoritetet dhe partitë politike duhet të ndërmarrin masa maksimale për të eleminuar problemin e gjatë të keqpërdorimit të burimeve të administratës publike gjatë dhe ndërmjet zgjedhjeve.
3. Autoritetet duhet të garantojnë të drejtën e votuesve për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë.
4. Në përputhje me rekomandimet e mëparshme ODIHR, duhet të merren në konsideratë formulat alternative për emërimin e anëtarëve të administratës zgjedhore, të mbështetura nga masa procedurale që sigurojnë pavarësinë e tyre.
5. Pavarësia dhe paanshmëria e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe gjyqësorit duhet të sigurohet.
6. Organet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë të gjitha pretendimet për krimet zgjedhore në mënyrë të plotë, të shpejtë dhe transparente.