Raporti i FMN: Shqipëria, më e varfra në Evropë në të ardhurat për frymë

600
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Shqipëria, edhe pse ka borxhin më të madh publik, ka dhënë koncesione më shumë sesa Franca, në raport me ekonominë

Qeveria e Rilindjes ende po publikon statistika, ku tregon që Shqipëria ka rritjen ekonomike më të lartë në Rajon mbi 4 % çdo vit, edhe pse pohon se janë hapur vende të reja pune, edhe pse raporton shifra të rritjes së mirëqenies, ndërkohë, ka 5 vite që ende nuk janë rritur rrogat, pensionet, ndërkohë që çmimi, i energjisë elektrike, të ujit, taksat vendore janë rritur, në janar do të futet edhe taksa e banesave. Një tjetër tregues negativ për përkeqësimin e kushteve të jetesës është se në 3 vitet e fundit janë larguar nga Shqipëria mbi 400.000 shqiptarë për të kërkuar azil ekonomik nëpër Evropë e në vendet e tjera të botës, ndërkohë që në 2 vitet e fundit mbi 1 milion shqiptarë aplikuan Lotarinë Amerikane, për t’u larguar përgjithmonë nga Shqipëria e të punojnë në SHBA.

FMN: Shqipëria më e varfra, me 5261 dollarë për frymë

Dy shtetet shqipfolëse, Shqipëria dhe Kosova renditen të fundit në Evropë (pa përfshirë vendet e ish Bashkimit Sovjetik) për të ardhurat për frymë, sipas të dhënave të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtare, që ka përditësuar shifrat në “Pasqyrën Ekonomike Globale” të tetorit 2018. Për vitin 2018, Shqipëria vlerësohet të ketë të ardhura për frymë prej 5261 dollarësh, në vend të 102 nga 191 shtete, duke u përmirësuar me katër vende në raport me 2017-n, kur ishte në pozicionin e 106. Kosova, me të ardhura prej për frymë prej 4,324 dollarësh, renditet e 112-a. Në rajon, të ardhurat më të larta i ka Mali i Zi, me 8,644 dollarë për frymë, duke u renditur e 79-a në botë, e ndjekur nga Serbia me 6,815 dollarë (vendi 88); Maqedonia, me 5,953 dollarë (95) dhe Bosnjë Hercegovina me 5,704 dollarë (e 100). Prej vitesh Shqipëria, një vend i bekuar me shumë pasuri natyrore e pozicion të lakmueshëm gjeografik, nuk po arrin që të rrisë të ardhurat me ritme më të shpejta se fqinjët dhe shtetet e zhvilluara të BE-së (i ashtuquajturi procesi i konvergjencës), duke mbetur më e varfra në Evropë, se bashku me Kosovën. Sipas të dhënave të Eurostat, që i referohen vitit 2016, të ardhurat e vendit janë sa 29% e mesatares së Bashkimit Evropian, nga 30% që ishin në 2014-n. Shtetet e tjera të rajonit kanë ecur të gjitha përpara. Bosnja, që dikur ishte më poshtë se ne, tashmë ka mbërritur në 32% të mesatares së BE. Nivelin më të lartë të PBB-së për frymë në rajon e ka Mali i zi, sa 45 për qind e mesatares së BE-së. Pas Mali të Zi, renditet Serbia dhe Maqedonia, ku të ardhurat për frymë janë sa 37 për qind e mesatares evropiane. Edhe për Konsumin Aktual Individual (ACI), një tregues i mirëqenies materiale të familjeve në Evropë, Shqipëria është e fundit, me 37 për qind të mesatares së Bashkimit Evropian.

Shtetet me të ardhurat për frymë më të larta në botë

Shteti, që ka të ardhurat për frymë më të lartat në botë është Luksemburgu, me rreth 114 mijë dollarë të vlerësuara për 2018-n, sipas shifrave të FMN-së. Në vend të dytë është Zvicra, me 83.5 mijë dollarë, e ndjekur nga Norvegjia me 82 mijë dollarë, Makao në Kinë me 81.5 mijë, Islanda me 75.7 mijë dollarë. Më pas në listë renditen Irlanda, Katari, Shtetet e Bashkuara, Singapori dhe dhjetëshja mbyllet nga Danimarka.

Shqipëria, me borxhin më të lartë në Rajon

Shqipëria vijon të ketë borxhin më të lartë publik në rajon dhe ndër ta parat në Evropë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Në fund të tremujorit të dytë të 2018 borxhi publik në Shqipëri ishte 66.3 për qind e PBB, duke u renditur në vendin e 15 ndër 34 vende të Evropës dhe Rajonit të Ballkanit, sipas të dhënave të Eurostat dhe Komisionit Evropian.

KLSH: Borxhi, më i lartë sesa deklarohet

Në fund të 2017-s, borxhi publik i vendit zbriti në 69.9% të PBB-së, nga 72.4% në 2016-n, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave. Por, Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin për buxhetin faktik 2017 ka konstatuar se treguesi i borxhit nuk ka marrë në konsideratë detyrimet e prapambetura. “Nga auditimi konstatohet se deri në fund të vitit 2017, sipas vetë deklarimeve të enteve buxhetore, të raportuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë janë akumuluar detyrime të prapambetura në shumën 16 miliardë lekë dhe sipas auditimit të KLSH vlera e detyrimeve të prapambetura ka rezultuar në shumën jo më pak se 19 miliardë lekë”, konstaton KLSH. Vlera e detyrimeve të prapambetura, si shpenzim i konstatuar, nuk është raportuar në tabelën e treguesve fiskalë, çka do të sillte nj ë deficit mbi 2% t ë PBB, por është raportuar si shpenzim i periudhave të ardhshme. Nëse merren në konsideratë këto detyrime, stoku i borxhit publik të raportuar, nga 1,088 miliardë lekë, do të ishte në rreth 1,104 miliardë lekë, i cili në raport me PBB do të jepte një tregues të borxhit në nivelin mbi 71%. Nëse marrim në konsideratë edhe shlyerjen e stokut të rimbursimit të TVSH në vlerë 11 miliardë lekë, borxhi publik do të jepte një tregues në nivelin 72% të PBB, sipas KLSH.

Banka Botërore: Shqipëria, vendi i parë në Evropë për pasigurinë ushqimore

Hendeku mes nevojës për siguri ushqimore dhe kapacitetit në vendin tonë është tepër i lartë, vlerëson Banka Botërore në një raport të fundit. Sipas këtij raporti, në drejtim të hendekut, Shqipëria është e gjashta në botë, mes vendeve me të ardhura te mesme dhe të ulëta. Pra vendet që e vuajnë më së shumti problematikën e sigurisë ushqimore. Madje, Shqipëria rezulton të jetë vendi më i pasigurt në Evropë në drejtim të sigurisë ushqimore për produktet shtazore. Asnjë vend tjetër në kontinentin e vjetër, e as në Ballkanin Perëndimor nuk ka një diferencë kaq të madhe sa Shqipëria mes nevojave dhe kapacitetit, çka do të thotë se mungesa e sigurisë ushqimore është alarmante. Një tjetër indikator, ai i kapaciteteve të sigurisë ushqimore për produktet shtazore e rendit Shqipërinë në vend të fundit në Evropë, me një indeks në thuajse 40 pikë. Për vende si Serbia, ky indeks fiksohet në mbi 75 pikë. Kjo do të thotë se, nuk janë vetëm nevojat të larta, por edhe kapacitetet mjaft të dobëta për t`i bërë ballë sigurisë ushqimore, që sipas bankës botërore është një emergjencë, që i shkakton vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme rreth 110 miliardë dollarë dëm çdo vit.