Raporti i DASH përgënjeshtron deklaratat e Ramës për policinë

468
Sigal

Raporti i DASH për situatën në Shqipëri, dëshmoi edhe një herë sa të vërteta janë edhe akuzat që iu bënë Policisë së Shtetit për dhunën dhe përdorimin e gazit helmues kundër protestuesve. Policia e Shtetit nuk dëfteu aspak profesionalizëm, nuk qëndroi aspak apolitike dhe një institucion shtetëror në shërbim të ligjit dhe popullit, por me urdhra verbale të marra nga drejtuesit e saj më të lartë, u përdor si mekanizëm dhune kundër kundërshtarëve politikë të urdhëruesve politikë të saj. Gjatë një fjalimi në Kuvend më 20 prill 2017, Kryeministri Rama deklaroi: “Policia është, pas 3 vjetësh e gjysmë, një autoritet i rilindur, i respektuar, i besueshëm për publikun. Ndërsa në vitin 2016 ishte institucioni më i besueshëm në rankimin e publikut, përbën një arsye shumë të qartë që ne të ndihemi krenarë për çka kemi bërë me Policinë e Shtetit.” Por Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij të përvitshëm kritikon ashpër punën e policisë së shtetit. Në të shkruhet se “Policia jo gjithmonë e ka zbatuar ligjin në mënyrë të barabartë, për shkak të lidhjeve personale, politike dhe kriminale”. “Pavarësisht se qeveria ka pasur mekanizma për të hetuar dhe ndëshkuar abuzimin dhe korrupsionin, numri i denoncimeve për korrupsionin në polici është 3,832 denoncime përmes telefonatave në linjën jeshile për antikorrupsionin deri në gusht 2018 dhe 6439 ankesa në 2017. Dhe 1,217 ankesa të shkruara deri në gusht 2018 dhe 1,048 ankesa me shkrim për vitin 2017. Nisma e qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe vettingu në polici kanë ngecur për shkak të mungesës së fondeve.” Gjithashtu, në raport theksohet “mungesa e pajisjeve dhe monitorimi i papërshtatshëm shpesh kanë ndikuar në zbatimin e ligjit” nga ana e policisë. Ky problem u dëshmua edhe në rastin e plagosjes së efektives së policisë Ina Nuhu, e cila në nëntor 2018 u plagos, pasi kapi me dorë një shashkë gjatë një tubimi, në mungesë të çdo pajisjeje të domosdoshme për sigurinë e jetës. Reagimi amator i kolegëve të saj për ta shpëtuar- edhe ata me veshje të papërshtatshme për t’u përballur me turmën – është një tjetër dëshmi e kushteve të këqija të punës së oficerëve të policisë, pa asnjë standard dhe pa asnjë siguri.