Raporti i DASH : Korrupsioni ka larguar investitorët amerikanë nga Shqipëria

520
Publikohet raporti vjetor i Departamentit Amerikan të shtetit. Dalin arsyet e largimit të investitorëve nga vendi. Renditen institucionet më të korruptuara
Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin për Klimën e Investimeve në vitin 2017, për Shqipërinë ka theksuar se “pavarësisht legjislacionit të favorshëm, investitorët janë sfiduar nga korrupsioni i shfrenuar dhe vazhdimi i praktikave të biznesit informal. Disa investitorë të mëdhenj të SHBA-ve janë larguar nga vendi gjatë viteve të fundit pas konflikteve të vazhdueshme tregtare, përfshirë disa që shkuan deri në arbitrazh ndërkombëtar”, thuhet në raport. Gjatë vitit 2016 klima e investitorëve të huaj në vend u përkeqësua ndjeshëm. Indeksi i Dhomës Amerikane i atij viti ra në 37.94 pikë, nivelet minimale që kur ai filloi të hartohej në 2012-n. Dhoma Gjermane e Tregtisë në një anketim për klimën e biznesit 2016 vërejti se Shqipëria renditet e 19-ta ndër 20 vende për tërheqjen e investimeve, duke lënë pas vetëm Kosovën dhe ne vendin e fundit (të 20-in), ndaj pyetjes bërë investitorëve “Nëse do të investonit përsëri në vendin ku operoni? ” Arsyet lidhen me trajtimin e keq fiskal dhe ligjor, me mosrespektimin e kontratave dhe paqëndrueshmërinë e administratës publike. Shoqata e Investitorëve të huaj gjithashtu në indeksin e saj raportonte një përkeqësim të klimës së biznesit. (FIAA), që ka në gjirin e saj disa nga sipërmarrjet më të mëdha të huaja në vend ka shprehur shqetësim për klimën e biznesit në Shqipëri dha në atë kohë një paralajmërim të qartë: “Ne duam të qëndrojmë këtu dhe të vazhdojmë të investojmë më shumë. Por që kjo të jetë e mundur dhe që Shqipëria të tërheqje investime të reja, ne kemi nevojë për një mjedis biznesi ku të mbizotërojë funksionimi i ligjit. Mark Crawford, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCHam) ishte i ashpër në daljet e asaj kohe, ku pohoi që jo vetëm nuk po vinin investime amerikane, por po iknin dhe ato që ishin. “Duke dëgjuar kanadezët dhe amerikanët, që po ikin nga sektori i naftës, po mendoja për Albpetrolin, se si mund të investosh aty. Por kur ambasada dhe diplomatët nuk janë më diplomatë, duke parë vështirësinë e situatës, është shumë e vështirë për ne t’u themi investitorëve hajdeni, sepse do jetë ambasada që do t’u thotë mos hajdeni, sepse situata nuk është e përshtatshme”, tha Crawford në një deklaratë publike në vitin 2016. Debati më i madh ishte për Bankers Petroleum, që në atë kohë u përfshi në një konflikt me tatimet, një çështje që shkoi deri në arbitrazh dhe që ende vazhdon, ndonëse në fazën e parë iu dha të drejtë Bankers Petroleum, një çështje që është përmendur indirekt në raportin e DASH. Pronarët kanadezë u larguan dhe Bankers Petroleum është aktualisht në pronësi të kinezëve të Geo Jade Petroleum. Hyrjet e reja të investitorëve kanë munguar ndërkohë vitet e fundit dhe investimet në Shqipëri po mbahen nga gazjslllësi TAP, HEC-i i devollit dhe investimet ekzistuese në naftë dhe financë. Në gjysmën e 2016-s dhe pjesën e parë të 2017-s klima e biznesit rezulton më e përmirësuar. Indeksi i besimit të biznesit të Dhomës Amerikane është përmirësuar këtë vit, duke arritur në 43.78 pikë, nga 37.94 pikë një vit më parë. Treguesit, që kanë pasur përmirësimin më të madh, janë “marrëdhëniet me autoritetet fiskale” dhe ai i “klimës së biznesit”, që janë rritur përkatësisht me 12.3 dhe 11.2 pikë. Edhe Dhoma Gjermane e kishte më pozitiv raportin e këtij viti, ndërsa FIAA raporti sërish se besimi i investitorëve të huaj për mjedisin e të bërit biznes në Shqipëri është negativ (-29 pikë).”
Ja kush janë sektorët më të korruptuar në Shqipëri sipas DASH
Ndër sektorët më të korruptuar përmendet Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. “Procedurat e regjistrimit të pasurisë janë të vështira dhe shumë persona janë ankuar për korrupsion. Ndryshimet e fundit ligjore i japin akses noterit publik që të ketë qasje në regjistrat e pasurive të paluajtshme dhe të konfirmojë pronësinë. Procesi i regjistrimit të pronës mbetet i vështirë. Legjislacioni i pronës është zhvilluar në një mënyrë të fragmentuar dhe të pakoordinuar. Reforma në këtë sektor nuk ka arritur konsolidimin e të drejtave pronësore dhe eliminimin e paqartësive ligjore. Zbatimi i të drejtave të pronës së paluajtshme nuk është efikas dhe është burim korrupsioni. thuhet në raport. Sipas tij, ndërtimet e paligjshme janë një pengesë e madhe për sigurimin e titujve të pronësisë. “Procesi i legalizimit për ndërtimet ilegale në shkallë të gjerë filloi në vitin 2006 dhe është ende në vazhdim. Ka rreth 440.000 ndërtesa pa leje në Shqipëri, shumë prej tyre kanë aplikuar ose janë në proces për legalizim”, thuhet aty. Në të gjithë raportin Shqipëria cilësohet si një vend i papërshtatshëm për investime. Aty është përmendur rasti i Albpetrol, ku thekonte se është një ndër institucionet më të korruptuara dhe për shkak të këtij korrupsioni është shumë e vështirë që të privatizohet. Problem tjetër renditet prona, ku bëhet thirrje urgjente që të rregullohet. Por kryesori mbetet korrupsioni në nivelin gjyqësor, pasi amerikanët kërkojnë mbështetje juridike. Amerikanët po japin ndihëm e tyre në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe pritet që në shtator të nisë procesi i vetingut. Nëse ai zbatohet sipas planit, shumë shpejt drejtësia do të pastrohet nga njerëzit e korruptuar në gjyqësor dhe në politikë. Sipas raportit në momentin që do largohet korrupsioni, do ketë dhe rritje të investimeve.
Sigal