Raporti i DASH/ Jorida Tabaku: Opozita zotohet që do të zhbëjë këtë mentalitet anti-biznes, që sulmon investitorin e huaj

485
Sigal

Ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku, duke komentuar raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi Klimën e Investimeve në Shqipëri në vitin 2019, që e cilëson si problematikë këtë klimë, citon se “shkaqet janë korrupsioni, presioni politik për kontraktorët, ndryshimi i shpeshtë dhe i pakonsultuar i ligjeve, kalimi i ligjeve klienteliste.”

“Ndërkohë që vendi lëngon në thatësirën ekonomike dhe të investimeve të huaja, raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit raporton arsyet se përse ne vuajmë. Në raport shkruhet se shkaqet janë korrupsioni, presioni politik për kontraktorët, ndryshimi i shpeshtë dhe i pakonsultuar i ligjeve, kalimi i ligjeve klienteliste.

Raporti citon problemet që po has Shqipëria me projektet PPP që në shumicën e rasteve janë të pastudiuara dhe jo të konsultuara siç duhet. Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe e drejta e pronës, në raport thuhet se pronarët nuk marrin pronat e tyre të tjetërsuara nga regjimi komunist. Ndërkohë që citon që edhe shumë shqiptaro-amerikanë nuk i marrin dot pronat apo dëmshpërblimet për pronat e sekuestruara nga regjimi komunist. Shumë prej investorëve amerikanë janë larguar nga Shqipëria si pasojë e këtyre problemeve jetike për biznesin dhe investitorët.

DASH përmend se qeveria Shqiptare miraton shpesh ligje të vështira në interpretim ashtu që ajo të ketë mundësi për të  larguar bizneset duke favorizuar ato që i interesojnë asaj. Njëkohësisht bizneset e huaja citojnë se qeveria ndërhyn tek ato për të detyruar që të ndërmarrin nënkontraktor të caktuar të lidhur me qeverinë.

Megjithëse këto tema janë prekur vazhdimisht nga opozita, qeveria ka këmbëngulur që të paraqesë një realitet tjetër. Kryeministri krenohet për rritjen e investimeve të huaja ndërsa raporti i DASH nënvizon se Shqipëria është vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor. Një përshkrim shumë i saktë për qeverinë Rama e cila vazhdon të këmbëngulë në rrugën e gabuar ekonomike.

Raporti është një këmbanë alarmi drejtuar një qeverie dhe mazhorance që ka vendosur t’i shkojë deri në fund rrugës së verbër të koncesioneve klienteliste, tenderave për oligarkët dhe thatësirës së IHD-ve. Sado ligje gjoja pro-investitorë të votojë kjo mazhorancë, fryma anti-biznes e kësaj qeverie do të jetë përherë pengesë dhe barrierë për investitorët e huaj në Shqipëri. Nga shtatori 2013 në Shqipëri nuk ka ardhur asnjë investim i huaj direkt, kryeministri Rama dhe gjithë ministrat e tij janë krenuar me atë çfarë trashëguan nga qeverisja demokratike.

Opozita zotohet që do të zhbëjë këtë mentalitet anti-biznes, që sulmon investitorin e huaj. Premtimi jonë nuk është vetëm ulja e taksave por edhe krijimi i gjithë kushteve politiko-ekonomike në favor të IHD-ve, për të rikthyer Shqipërinë në një konkurente të denjë në rajon.”