Raporti i DASH/ Alibeaj: Shndërrimi i vendit në parajsën e krimit të organizuar është projekti me të cilin Rama erdhi në pushtet

422
Sigal

Raporti i DASH: Korrupsioni është në të gjitha nivelet e qeverisjes. Shqipëria gjithnjë e më shumë vend tranzit për drogat e forta

PD: Edi Rama është në pushtet vetëm me një grusht trafikantësh dhe oligarkët

Pardje në mbrëmje SHBA publikuan raportin për narkotikët dhe pastrimin e parave gjatë vitit 2018 në të cilën thuhet se korrupsioni ka prekur të gjitha nivelet e qeverisjes. Përhapja e korrupsionit tek zyrtarët , nxit një mjedis në të cilin trafikantët e drogës janë mjaft të aftë të veprojnë pa u ndëshkuar. Tranziti i kanabisit, kokainës, heroinës dhe laboratorët e përpunimit të të drogave të forta në Shqipërinë veriore dhe qendrore komandohen nga elementë të krimit të organizuar. Shqipëria po shërben si bazë operacionesh për grupet e krimit të organizuar që veprojnë në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut. Sipas DASH, krimet që gjenerojnë më shumë para në Shqipëri janë trafikimi i drogës, evazioni fiskal, kontrabanda e armëve, kontrabanda dhe trafikimi i qenieve njerëzore dhe sundimi i dobët i ligjit dhe ndërhyrja selektive kundër parcelave me hashash. Raporti thotë se shkalla e lartë e papunësisë, sundimi i dobët i ligjit, ndërhyrja selektive kundër parcelave me hashash kanë krijuar një ambient ideal për grupet e krimit të organizuar.

Reagimet politike

Alibeaj: Shqipëria është narkoshtet

Ish-deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj, ka reaguar pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Alibeaj: Shndërrimi i Shqipërisë në parajsën e krimit të organizuar dhe pastrimit të parave është projekti politik me të cilin Edi Rama erdhi në pushtet dhe po mban pushtetin. Raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit skanon qartë gjendjen alarmante ku ka futur vendin qeverisja kriminale e Edi Ramës. Raporti i DASH thekson se: Shqipëria është një vend burim i kanabisit. Shqipëria është shndërruar në rritje në një vend transiti për kokainën dhe heroinën, që komandohet gjerësisht nga elementë të krimit të organizuar që lëvizin drogat e paligjshme nga vendet e burimit drejt tregjeve evropiane. Droga e sekuestruar dhe arrestimet janë shtyrë gjerësisht nga bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë dhe presioni në rritje ndërkombëtar. Evidentohet ndërtimi i laboratorëve të përpunimit të kokainës dhe të heroinës në Shqipërinë qendrore dhe veriore. Korrupsioni në çdo nivel të qeverisjes kufizon efektivitetin e luftës ndaj drogës dhe se korrupsioni është i përhapur gjerësisht dhe ushqen një ambient në të cilin trafikantët e drogës kanë gjerësisht mundësinë të veprojnë pa u ndëshkuar. Qeveria e Shqipërisë nuk ka bërë një progres domethënës lidhur me parandalimin e pastrimit të parave dhe krimeve financiare gjatë vitit 2018. Shqipëria mbetet në rrezik domethënës për pastrimin e parave për shkak të korrupsionit të shfrenuar dhe institucioneve të dobëta qeverisëse dhe ligjore. Shqipëria evidentohet si bazë për veprimtarinë e organizatave kriminale që veprojnë në SHBA, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut. Edi Rama dhe Qeveria e tij kriminale arriti ta klasifikojnë Shqipërinë si prodhues dhe eksportues të sasive domethënëse të marijuanës, kryesisht për përdorim evropian dhe ta kthejë vendin tonë në një vend tranzit për heroinën dhe kokainën afgane, duke shërbyer si një portë kyçe për shpërndarjen e heroinës nëpër Evropë. Në këtë mënyrë, narkoshteti i instaluar është realiteti i hidhur qe i ofrohet shqiptarëve. Që Shqipëria të mos shërbejë si bazë për veprimtarinë e organizatave kriminale rajonale, siç thekson Raporti i DASH, është e domosdoshme që të largohet përgjegjësi i kësaj situate. Zgjidhja e vetme e mbetur, është vetëm shembja e domosdoshme e këtij pushteti të kriminalizuar, si burimi kryesor i kësaj pasqyre fatkeqe ku e ka zhytur Shqipërinë sot. Edi Rama është vetëm me një grusht trafikantësh dhe oligarkët që mbrojnë pushtetin e tyre kriminal. Shqiptarët janë ngritur në këmbë për të mos e lejuar Edi Ramën që ta shndërrojë zyrtarisht Shqipërinë në një narkoshtet. Shqiptarët e bashkuar do të fitojnë. Shqipëria nuk meriton të jetë portë kyçe për shpërndarjen e kokainës dhe heroinës nëpër Evropë. Shqipëria meriton të jetë si gjithë Evropa dhe ashtu do të jetë.

Petrit Vasili: Raporti i DASH demaskon shtetin e krimit. Me Edi Ramën, Shqipëria po shkon zi e më zi

Ish-deputeti i LSI-së Petrit Vasili, ka reaguar lidhur me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili e konsideron Shqipërinë si një vend tranzit për trafikun e drogës. Petrit Vasili: “Raporti i DASH demaskon shtetin e krimit, trafikut të drogës dhe parave të pista të Edi Ramës. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit demaskon qartë greminën ku ka futur vendin Edi Rama. Trekëndëshi krim i organizuar, trafik droge dhe pastrim parash këto janë kornizat e qeverisë së kriminalizuar të Edi Ramës që ka kapur shtetin. Asnjë shqiptar nuk pret më, që ky armik i betuar i tyre të jetë zgjidhja e tyre, por vetëm shkatërrim i përditshëm i tyre. Me Edi Ramën Shqipëria po shkon zi e me zi. E gjithë narkoqeverisja në Shqipëri kalon nga një hallkë kriminale tek tjetra, ku korrupsioni qeveritar dhe grabitja e miliarda euro nga qeveritarët është thelbi shkatërrimtar që lidh të gjitha. Të nderuar miq lexojeni ju vetë çfarë thotë Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe nxirrni vetë përfundimet tuaja për këtë situatë shpërthyese dhe pa shpresë, ku ndodhet vendi me këtë kryeministër.”, thuhet në postimin e Vasilit, i cili bashkëngjitur ka shpërndarë edhe një pjesë të këtij raporti ku flitet për korrupsionin.