RAPORTI/ Gjyqtarët paguajnë 300 mijë euro për t’u emëruar në poste më të larta

432
Grupi i ekspertëve pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi konstaton se gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë dyshohet se paguajnë 100-300 mijë euro për t’u emëruar në poste të lakmuara. 
Në raportin “Analiza e Sistemit të Drejtësisë” që do të prezantohet pasditen e së hënës, grupi i ekspertëve argumenton se cikli i korrupsionit në sistemin e drejtësisë fillon me oficerët e policisë gjyqësore dhe vazhdon me prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.
Raporti konstaton gjithashtu se oficerët e policisë gjyqësore pranojnë ryshfet për të prishur provat në vendin e ngjarjes, prokurorët për të mos filluar një çështje penale, ndërsa gjyqtarët zvarrisin caktimin e seancës së parë ose kushtëzojnë vendimin përfundimtar në pritje të ryshfetit.
Raporti voluminoz i grupit të ekspertëve të nivelit të lartë thekson se situata e korrupsionit në sistemin e drejtësisë nuk është e dokumentuar, megjithatë perceptimi i publikut dhe i vëzhguesve pranë sistemit sugjeron për ekzistencën e formave të ndryshme të përfitimeve të paligjshme.
“Në çdo rast, palët në transaksionin korruptiv shmangin telefonatat. Pagesat bëhen me para në dorë. Shpesh përfitimet e paligjshme dërgohen jashtë vendit ose iu jepen të afërmve/familjarëve të gjyqtarit/prokurorit, ose personave të tretë të besuar,” thuhet në raport.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për reformën në sistemin e drejtësisë u ngrit më 27 nëntor 2014 dhe drejtohet nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Me ndihmën e grupit të ekspertëve, ky Komision pritet të hartojë reformën e shumëpërfolur për sistemin e drejtësisë.
“Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri” shënjon defektet aktuale të sistemit kompleks dhe thekson nevojën për reformë në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe institucionin e Prokurorisë.
Raporti sugjeron depolitizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe zgjedhjen e anëtarëve të saj me shumicë të cilësuar në Kuvend. Përbërja e këtij Këshilli duhet të reflektojë mazhorancë nga gjyqësori, ndërsa nuk konsiderohet normale mbajtja e rolit drejtues në këtë Këshill nga Presidenti i Republikës.
Grupi i ekspertëve ka analizuar edhe rolin e Presidentit të Republikës në ushtrimin e funksioneve të tij në sistemin e drejtësisë, ndërsa thekson se zgjedhja e tij jashtë konsensusit politik nuk garanton pavarësinë.
Integrimi i Gjykatës së Lartë brenda sistemit gjyqësor konsiderohet gjithashtu një hap i rëndësishëm. “Statusi i Gjykatës së Lartë dhe procesi i emërimit të anëtarëve të saj mbeten shqetësues në kuptimin e politizimit të mundshëm,” thuhet në raport.
Grupi i ekspertëve pranë Komisionit Parlamentar thekson gjithashtu një shikim të formulës së zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Në raportet e Komisionit të Venecias theksohet nevoja për pavarësinë e Prokurorisë nga ndikimi politik dhe nevoja për transparencë e këtij institucioni.
“Është e rëndësishme që Prokurori i Përgjithshëm të mos rizgjidhet nga legjislativi apo ekzekutivi,” thuhet në raport. Reforma në drejtësi është një ndër kushtet e Komisionit Europian për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
Për shkak të rëndësisë dhe shtrirjes në kohë, zyrtarët e Brukselit kanë bërë thirrje që kjo reformë të realizohet me konsensusin më të gjerë të mundshëm.
Megjithatë, Partia Demokratike ka refuzuar pjesëmarrjen në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, pasi kërkon një numër të barabartë anëtarësh dhe bashkëdrejtues në këtë komision. Këto kërkesa nuk kanë marrë ende një përgjigje nga mazhoranca e majtë.
Sigal