Raporti amerikan “kruqëzon” Rilindjen

483
Sigal

Instituti Demokratik Amerikan: Papunësia dhe korrupsioni, shqetësimet kryesore të qytetarëve

Hulumtimi përmes grupeve të fokusuara i kryer nga Instituti Demokratik Amerikan (NDI) në dhjetor 2013 dhe i publikuar dje, e tregon pulsin publik si negativ, rrjedhojë e kushteve të këqija ekonomike. Papunësia dhe korrupsioni janë shqetësimet kryesore të qytetarëve. Ekziston një ndjenjë optimizmi të matur për reforma – nëse liderët e zgjedhur u drejtohen qytetarëve dhe i angazhojnë ata në mënyrë domethënëse në vendimet për politikat publike. Kjo e fundit është në kontrast të dukshëm me hulumtimin përmes grupeve të fokusuara, të kryer në tetor të vitit 2012, i cili tregonte një bindje thuajse universale se, vendi po shkonte në drejtim të gabuar. Hulumtimi konstatoi se, qytetarët ndihen të shkëputur nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur dhe liderët e partive, dhe se u bëjnë thirrje të mbajnë premtimet zgjedhore. Ata thanë se, zyrtarët duhet t’i dëgjojnë e të komunikojnë rregullisht me qytetarët në mënyrë që të kuptojnë shqetësimet e tyre, si dhe të punojnë në mënyrë më efikase përtej linjave partiake për të arritur konsensus mbi problemet ekonomike dhe sociale më shqetësuese. Gjithashtu, hulumtimi konstatoi se, qytetarët shprehin qartësisht dëshirën për një stil të ri të politike dhe qeverisjeje, të bazuar në konsultime publike dhe pjesëmarrje, përgjegjësi nga ana e politikanëve dhe llogaridhënie nga ana e qeverisë. Diskutimet u mbajtën në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Fier dhe Korçë.

Ndër gjetjet e tjera kryesore të hulumtimit:

● Shqiptarët e shohin korrupsionin si të përhapur dhe shprehen se, ai çon në funksionim të paefektshëm të institucioneve publike, cilësi të ulët të shërbimeve publike dhe mundësi të kufizuara për qytetarët për punësim, kujdes shëndetësor dhe arsim, ndër të tjera.

• Shumica e pjesëmarrësve janë në favor të integrimit në Bashkimin Europian (BE).

● Pritshmëritë për qeverinë e re dhe vlerësimi i nismave të saj të para janë përgjithësisht pozitive.

• Pjesëmarrësit shprehin mosbesim te parlamenti, partitë politike dhe procesi politik në përgjithësi dhe shfaqen skeptikë për ekzistencën e ndonjë partie politike të interesuar në zgjidhjen e problemeve me rëndësi për qytetarët.

• Pavarësisht moshës apo gjinisë, shumica e pjesëmarrësve janë të mendimit se, duhet të ketë më shumë gra në politikë.

Synimi

Studimi cilësor synon t’i pajisë drejtuesit e partive politike kryesore dhe ato të shoqërisë civile në Shqipëri me informacion objektiv, për të ndihmuar ndërmarrjen e reformave mbi çështjet që shqetësojnë qytetarët. Instituti Demokratik Amerikan është një organizatë jo-fitimprurëse, jo-partiake, jo-qeveritare që punon për të mbështetur institucionet demokratike në mbarë botën, nëpërmjet pjesëmarrjes së qytetarëve, transparencës dhe përgjegjshmërisë në qeverisje.

Hyrje

Në këtë moment kritik në tranzicionin demokratik të Shqipërisë, publiku pret që drejtuesit e tyre të zgjedhur t’i përfshijnë ata në adresimin e shqetësimeve të vjetra të reflektuara në këtë hulumtim, si papunësia, shëndetësia, arsimi dhe korrupsioni. Hulumtimi, i cili konsistoi në 10 diskutime grupesh të fokusuara, ka për qëllim:

• Identifikimin e çështjeve prioritare të qytetarëve, për të ndihmuar drejtuesit politikë dhe ata të shoqërisë civile të hartojnë politika që përfaqësojnë sa më mirë këto shqetësime;

• Shqyrtimin e qëndrimeve të qytetarëve në lidhje me performancën e institucioneve shtetërore si dhe me rolin e partive politike e shoqërisë civile; si edhe pritshmëritë për qeverinë e re; dhe

• Shqyrtimin e pikëpamjeve të qytetarëve mbi barazinë gjinore e pjesëmarrjen e grave në politikë, si dhe marrjen e rekomandimeve për partitë politike dhe autoritetet qeverisëse.

NDI ka bazuar përzgjedhjen e qyteteve në numrin e popullsisë, madhësinë si edhe vendndodhjen e tyre gjeografike. Karakteristika të tilla si, gjinia, mosha, niveli i të ardhurave, punësimi dhe përkatësia politike, u morën parasysh dhe u reflektuan në rekrutimin (e drejtuar) e pjesëmarrësve në grupet e diskutimit, me qëllim mbledhjen e përfytyrimeve nga një shumëllojshmëri qytetarësh.

Rezultatet e Grupeve të Fokusuara dhe Përdorimi

Grupet e fokusuara janë grupe gjysmë-të-strukturuara diskutimi që drejtohen nga një moderator, i cili ndjek një sërë udhëzimesh të para-përcaktuara. Qëllimi i hulumtimit nëpërmjet grupeve të fokusuara është të kuptohen qëndrimet, opinionet dhe eksperiencat e pjesëmarrësve të angazhuar në diskutim.

Përmbledhje Ekzekutive

Përfundimet e këtij raporti hulumtimi të opinionit publik, kanë dalë nga 10 diskutime të mbajtura përmes grupeve të fokusuara në periudhën 9–15 dhjetor 2013, në pesë rajone të Shqipërisë: Tiranë, Elbasan, Shkodër, Fier dhe Korçë. Ashtu si në hulumtimin me grupe të fokusuara që NDI kreu në tetor të vitit 2012, pulsi publik në Shqipëri mbetet relativisht negativ, dhe mbizotërojnë shqetësimet e vazhdueshme mbi situatën ekonomike, sistemin shëndetësor dhe atë arsimor si edhe mbi korrupsionin. Përmes këtyre shqetësimeve, qytetarët që morën pjesë në këtë hulumtim i dërgojnë vendimmarrësve një mesazh të qartë rreth përparësive të tyre, si edhe rreth mënyrës se si do të dëshironin që këto çështje të adresoheshin.

Pjesëmarrësit shprehimisht u kërkojnë politikanëve që:

• Të përmbushin premtimet zgjedhore dhe të mbajnë përgjegjësi kur ato premtime nuk mbahen;

• Të dëgjojnë zërin e qytetarëve, duke komunikuar me ta rregullisht për të kuptuar më mirë shqetësimet e tyre;

• Të punojnë në mënyrë më efikase, për të arritur kompromise përtej përkatësisë politike, për të ofruar politika që përbëjnë zgjidhjet më të mira ndaj shqetësimeve të qytetarëve.

I. PULSI PUBLIK

• Ekonomia e dobët, të ardhurat e ulëta dhe papunësia përbëjnë shqetësimet kryesore për pjesën më të madhe të pjesëmarrësve.

• Një numër pjesëmarrësish shprehën një farë shkalle optimizmi për të ardhmen, kryesisht pasi rezultati i qartë zgjedhor solli një kalim paqësor të pushtetit, pa konflikte politike. Disa kanë shpresë se, një kapitull i ri politik mund të favorizojë reformat dhe bashkë me to dhe një performancë më të mirë të qeverisë.

• Pjesëmarrësit e perceptojnë korrupsionin si të përhapur e si shkaktar të funksionit të paefektshëm të institucioneve publike, cilësisë së ulët të shërbimeve publike dhe mundësive të kufizuara që qytetarët kanë, ndër të tjera, për punësim, kujdes shëndetësor dhe arsim.

II. PRIORITETET E QYTETARËVE

• Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve e perceptojnë ekonominë si të dobët, çmimet si përgjithësisht të larta, dhe papunësinë si një problem të mprehtë, veçanërisht për të rinjtë. Pjesa dërmuese e pjesëmarrësve pohojnë se të ardhurat e familjes së tyre janë të pamjaftueshme për të mbuluar nevojat mujore bazë, si faturat e shërbimeve (ujë, elektricitet etj), ushqimet dhe mjekimet.

• Pjesëmarrësit presin që qeveria të mbajë premtimet për krijimin mundësive të reja për punësim dhe tërheqjen e investimeve.

• Pjesëmarrësit në grupet e fokusuara e shohin korrupsionin si të gjithë-pranishëm në jetën e tyre të përditshme dhe kujdesin shëndetësor, të ndjekur nga sistemi i drejtësisë dhe ai arsimor, si sektorët më të korruptuar dhe joefikasë.

• Përgjithësisht mbështesin fushatën e qeverisë së re kundër korrupsionit, ndonëse disa janë skeptikë për gjasat që ajo të sjellë ndryshime të qëndrueshme nëse nuk zbatohet plotësisht e në mënyrë të drejtë. Zbatimi i rreptë i ligjit dhe ndëshkimi i të korruptuarve do të rriste besimin e tyre në sundimin e ligjit.

• Sektori i shëndetësisë shihet si i korruptuar dhe i paefektshëm. Pjesëmarrësit përmendin se, disa prej problemeve më të mprehta që ata hasin kur përballen me sistemin e shëndetësisë janë standardet e ulëta të shërbimit, mungesa e mjekimeve, infrastruktura e papërshtatshme dhe burokracia që pengon procesin e marrjes së librezës shëndetësore. Shumë pjesëmarrës besojnë se, gjendja do të përmirësohej nëse do të kishte më shumë kontroll nga qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse, më shumë investime në infrastrukturë, si edhe rritje të pagave të personelit mjekësor.

• Menjëherë pas shëndetësisë, sistemi i drejtësisë citohet si sektori më i korruptuar. Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve pohojnë se, është e vështirë të marrësh trajtim të drejtë në gjykata nëse nuk u paguan ryshfet avokatëve, prokurorëve apo gjyqtarëve. Në këndvështrimin e qytetarëve, dështimi i përsëritur i gjyqësorit në dhënien e drejtësisë dhe dënimin e të korruptuarve personifikon mungesën e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

• Shumica e pjesëmarrësve në diskutime mendojnë se, cilësia e arsimit është shumë e dobët.

• Ashtu si edhe në hulumtimin e vitit të kaluar, siguria publike përbën një shqetësim. Pjesëmarrësit perceptojnë një rritje të shkallës së krimit, si rrjedhojë të gjendjes së keqe ekonomike dhe nivelit të lartë të papunësisë.

III. INTEGRIMI EUROPIAN

• Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në diskutime janë në favor të integrimit në Bashkimin Evropian (BE). Pjesëmarrësit mendojnë se, integrimi evropian do të sjellë më shumë investime në vend, përmirësimin e arsimit, një sistem më të mirë shëndetësor dhe uljen e nivelit të korrupsionit. Qytetarët e perceptojnë anëtarësimin në BE si një mjet për të monitoruar punën e qeverisë dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit në vend. Ata janë të vetëdijshëm se, bashkë me privilegjet e anëtarësimit në BE, vijnë përgjegjësi dhe detyrime si për qeverinë ashtu edhe për qytetarët.

 IV. PRITSHMËRITË NGA QEVERIA E RE

Pritshmëritë e pjesëmarrësve për qeverinë dhe vlerësimi i nismave të saj të para janë përgjithësisht pozitive. Ata thonë se, ndoshta është shumë herët për të gjykuar në tërësi politikat dhe veprimtarinë e qeverisë, por arrijnë të përmendin disa masa konkrete, me të cilat pajtohen në parim, duke përfshirë mbylljen e qendrave të bastit dhe kazinove, prishjen e ndërtimeve pa leje, shfuqizimin e amendamenteve të ligjit mbi menaxhimin e integruar të mbetjeve – të cilat mundësonin importin e mbetjeve, taksimin progresiv, dhe fushatën për luftën kundër korrupsionit. Shkalla në të cilën qeveria arrin të përmbushë premtimet, të sjellë zgjidhje të prekshme, dhe të menaxhojë pritshmëritë e qytetarëve përmes përpjekjeve të bashkërenduara për të përfshirë qytetarët në këto reforma, do të ndihmojë në rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet qeveritare.

• Pjesëmarrësit shpesh shprehin një shkallë skepticizmi dhe/ose irritomi, që disa nga nismat më lart deri tani, nuk po adresohen në mënyrë aq efektive ose të plotë sa ç’prisnin.

• Të pyetur se çfarë duhet përfshirë në përparësitë kryesore të qeverisë për vitin e parë qeverisës – përveç çështjes së papunësisë, luftës ndaj korrupsionit, përmirësimin e zbatueshmërisë së ligjit dhe sigurimin e rendit publik – pjesëmarrësit gjithashtu theksuan rëndësinë e një sistemi meritokratik rekrutimi në administratën publike dhe mbështetjen e biznesit të vogël.

V. POLITIKA NË PËRGJITHËSI, PARLAMENTI, PARTITË POLITIKE DHE ZGJEDHJET 2013

• Ashtu si në studimin e vitit të kaluar, pjesëmarrësit shprehin mosbesim te politika në përgjithësi, parlamenti dhe partitë politike, dhe shfaqen skeptikë për ekzistencën e ndonjë partie politike të interesuar në zgjidhjen e problemeve me rëndësi për qytetarët. Një pjesë e madhe e pjesëmarrësve kërkojnë që politikanët të mbajnë më shumë përgjegjësi për punën e tyre gjatë periudhave jo-zgjedhore. “Mbani premtimet” është një kërkesë për partitë politike, e cila u shpreh shpesh nga pjesëmarrësit e të gjitha grupeve të fokusuara.

• Një numër pjesëmarrësish i perceptojnë anëtarët e parlamentit si të shkëputur dhe të pandërgjegjshëm për problemet e qytetarëve dhe kushtet në zonat e tyre. Një numër i konsiderueshëm thonë që nuk e dinë se kush është përfaqësuesi i tyre i zgjedhur.

• Një numër i konsiderueshëm pjesëmarrësish ankohen për faktin se, partitë politike duket se, shërbejnë si agjenci punësimi, duke ofruar punë në shkëmbim të votave dhe mbështetjes.

• Shumica e pjesëmarrësve presin një opozitë efektive që propozon zgjidhje alternative dhe që mbështet ato politika të propozuara nga qeveria që zgjidhin problemet dhe që janë në interes të qytetarëve.

• Pjesëmarrësit në grupet e fokusuara i konsideruan zgjedhjet parlamentare të qershorit 2013 pozitive. Ky vlerësim bazohet në përshtypjet e pjesëmarrësve se, procesi ishte i qetë, i drejtë dhe i menaxhuar më mirë se në të shkuarën.

VI. GRATË NË POLITIKË

• Pavarësisht moshës apo gjinisë, shumica e pjesëmarrësve janë të mendimit se, duhet të ketë më shumë gra në politikë pasi, sipas tyre, ato janë menaxhuese më të mira, më diplomate, më pak të korruptuara dhe të lidhura më ngushtë me shqetësimet e zgjedhësve. Ata theksojnë se, përfshirja e perspektivave të grave në zgjidhjen e problemeve kontribuon drejt zgjidhjeve më të qëndrueshme dhe afatgjata.

 • Gratë përballen me vështirësi më të mëdha se meshkujt, për t’u angazhuar në politikë dhe se, ato janë ende të nën-përfaqësuara, kryesisht për shkak të detyrimeve të shumta familjare dhe shoqërore që iu ngarkohen.

 • Të pyetur rreth Aleancës së Grave Deputete, një grup parlamentar i grave i krijuar rishtas në Kuvend, disa pjesëmarrës thanë se, kishin dijeni për ekzistencën e tij dhe se, besonin se ai mund të jetë një forum i mirë për të nxitur përfshirjen e shqetësimeve të grave në agjendën parlamentare, si dhe për të ofruar zgjidhje për këto shqetësime.

VII. SHOQËRIA CIVILE DHE AKTIVZMI QYTETAR

• Pjesëmarrësit në përgjithësi pranojnë se, nuk janë shumë aktivë në komunitetet e tyre. Ata pohojnë se, ndjenja e komunitetit në Shqipëri është e dobët, dhe se ndërgjegjësimi mbi aktivizimin qytetar është shumë i ulët. Si arsye përmendin kufizimet kohore, standardet e ulëta të jetesës, sensin e pakët të vullnetarizmit në të mirë të komunitetit dhe mungesën e lidershipit.

• Në përgjithësi, pjesëmarrësit shprehin mosbesim te organizatat jo-qeveritare (OJF-të).

• Disa pjesëmarrës pohojnë se, aktivizmi në komunitet është rritur.