Rama:“Tirana në 23 Qershor, do të votojë masivisht për ndëshkimin dhe Rilindjen”

560
Sigal

PS-ja  çel  në Tiranë fushatën elektorale. Rama prezanton kandidatët për deputetë

Partia Socialiste çeli pasditen e djeshme në Tiranë fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 Qershorit, ku u prezantuan kandidatët e PS-së për Tiranën, të cilët u shprehën të bindur për fitoren e së majtës më 23 Qershor.  “Ky është takimi më entuziast që kam parë në Tiranë që nga viti 2000. E keni bërë pallatin e Sportit zemrën e PS. Ju sot po shpërndani në gjithë Tiranën dhe Shqipërinë fuqinë e jashtëzakonshme të Rilindjes. Tirana është zemra e gjithë Shqipërisë, zemra e cila merr gjak nga të gjitha rrethet e vendit”, tha Rama. Në hapje të fjalës së tij, Rama theksoi se, nëse shqiptarët votojnë numrin 29 në fletën e votimit, pas 23 Qershorit, kryeqytetasit do të fitojnë legalizim të banesave ndërsa biznesi do marrë frymë me heqjen e taksës së vogël.

“Do legalizojmë shtëpitë e gjithë shqiptarëve”

“Kjo është Tirana kur gjithë shqiptarët ëndërrimtarë erdhën këtu për të ndërtuar një Amerikë të vogël, një Amerikë të vogël të atyre që sot kanë ndërtuar mijëra shtëpi me kursimet e mijëra sakrificave dhe forcën e ëndrrës për të jetuar në kryeqytetin e Shqipërisë. Ato shtëpi që prej 22 vjetësh presin shtetin e shqiptarëve, që t’i kthejë, në pasuri të patundshme të çdo shqiptari në Kamzë, Paskuqan, në Kodrën e Prifti, në Allias në Kinostudio, Kombinat, Bregun e Lumit, njësinë nr.5, në Sauk, në Selitë. Dhe unë zotohem para jush se në 23 Qershor duke marrë një copë letër, dhe duke shënuar një kryq tek numri 29, çdo kryefamiljar që pret legalizimin, do e kthejë shtëpinë e vet në pronën e vet përjetësisht të patundshme”.

“Do heqim taksën e biznesit dhe do përgjysmojmë TVSH-në”

“Me biznesin e tyre të vogël shumë shqiptarë këtu në Amerikën e vogël të shqiptarëve ecën përpara, deri kur u gjendën përballë presionit të papërmbajtur të mallkimit të tyre dhe të mallkimit të gjithë shtresës së mesme që quhet taksa e sheshtë. Taksa e sheshtë, që u vendos mbi taksën e biznesit të vogël dhe pastaj bashkë me taksën e fshehtë, tatimin mbi vlerën e shtuar, që po ja marrin krejt frymën biznesit të vogël në Tiranë e në të gjithë Shqipëri. Kjo bën që çdo orë në Shqipëri të mbyllet një biznes. Dua t’u them të gjithë tironsve dhe tiranasve, atyre që e kanë trashëguar shpirtin e vetëpunësimit nga të parët dhe atyre që erdhën dhe e ndërtuan shpirtin e vetëpunësimit këtu me përmbysjen e komunizmit, të gjithë atyre që jetojnë me një furrë buke, me një ushqimore, me një dyqan lodrash, me një rrobaqepësi të vogël, me gjithçka që u jep mundësinë ta ushqejnë me punë të ndershme familjen e tyre, se në 23 Qershor duke shkuar dhe duke marrë një copë letër në dorë, fletën e votimit, dhe duke vënë vetëm një kryq sa hap e mbyll sytë tek numri 29, tek Partia Socialiste, do të bëjnë të mundur që ne ta heqim taksën e biznesit të vogël, ta përgjysmojmë tatimin mbi fitimin. Kështu ata do të rifillojnë të marrin frymë për të shkuar përpara, duke e mbajtur familjen e tyre me pune të ndershme dhe duke mos ju frikur më hijes së falimentimit,-tha Rama gjatë fjalës së tij.

“PS-ja ka projekt për infrastrukturën”

Rama  premtoi heqje të taksës për biznesin vogël dhe çlirim të administratës publike nga duart e pushtetit. Edhe pse ironizoi sërish Kryeministrin Berisha lidhur me infrastrukturën, ai shtoi se në programin e PS nuk mungojnë edhe projekte infrastrukturore. “Ne jemi epoka e re. Taksa e sheshtë që u vendos mbi taksën e biznesit të vogël po i merr frymën biznesit të vogël dhe po bëjnë që çdo orë në Shqipëri të mbyllet një biznes. U them gjithë tironësve dhe tiranasve, që jetojnë me gjithçka që u jep mundësinë dhe ushqehen me një punë të ndershme se duke votuar PS do ta heqin taksën e biznesit të vogël, do ta përgjysmojnë tatimin mbi fitimit dhe do marrin frymë”, deklaroi Rama. Më tej Rama tha se, zotohet qe pas 23 Qershorit, nuk do të ketë asnjë rrogëtarë të këtij shteti që do t’i nënshtrohet tekave të cilitdo pushteti. Rama tha se PS ka një projekt edhe për infrastrukturën. “Vërtetë në 2011 na e vodhën Tiranën, por më 23 qershor Tiranë me një votë më masive do të votojë ndëshkimin dhe Rilindjen, do të marrim projektin për Tiranë evropiane, që është themeli i projektit të Shqipërisë Evropiane”,- tha ai.

Kreu socialist premtoi ndëshkim maksimal ndaj kriminalitetit

“Fatkeqësisht, plaga më e rëndë e shoqërisë së sotme dhe që lëndon çdo ditë zemra familjesh të zakonshme e të pafajshme, lëndon çdo ditë shoqërinë e tërë dhe godet rregullisht edhe  kryeqytetin; që është kriminaliteti. Janë dyfishuar vjedhjet në banesa, janë trefishuar grabitjet në rrugë, janë katërfishuar vrasjet dhe plagosjet dhe unë zotohem se për 300 ditë ne do t’u kthejmë shqiptarëve një Polici Shteti të kthyer në krye të detyrës. Duke nisur nga Tirana e në të gjithë Shqipërinë do ta bëjmë rendin e sigurinë një shembull për të cilin çdo shqiptar do të ndjehet i qetë e i sigurt për veten, familjen, jetën e pronën e tij. Kush do të guxojë të prekë vajzën, djalin, babain, nënën apo cilindo pjesëtar të një familjeje të zakonshme shqiptare ka prekur shtetin dhe do përballet me Policinë e Shtetit. Ashtu sikundër, kush do të guxojë të prekë pronën e një familjeje shqiptare ka prekur të gjithë shtetin dhe do përballet me Policinë e Shtetit dhe forcën e ligjit që ne do të rivendosim së bashku në 23 qershor”,- tha ai.


Lista e kandidatëve të PS-së

 Tiranë

PANDELI SOTIR MAJKO

SAIMIR BASHKIM TAHIRI

VASILIKA LLAMBI HYSI

DITMIR SULEJMAN BUSHATI

FATMIR SEZAI XHAFAJ

LINDITA LLESH NIKOLLA

BESNIK MITAT BARAJ

XHEMAL MYSLIM QEFALIA

SADRI ISMAIL ABAZI

PARID NEZMI CARA

SPARTAK IBRAHIM BRAHO

ARTAN ILIA GAÇI

PJERIN ZEF NDREU

RAKIP BAJRAM SULI

MILENA FATOS HARITO

DASHAMIR MYSLYM PEZA

ENKELEJDA HAMIT SHKRELI

ERVIN ALFRED BUSHATI

BLEDAR MELSED DORACAJ

ALFRED MALIQ DALIPI

SADI MEHDI VORPSI

BLERINA GURI GJYLAMETI

PETRIT SAMI VARGU

ARBEN HASAN SEFERAJ

SHAQIR SADIK  SHEHU

BLENDI SHABAN NALLBANI

ERJETA LULZIM ALHYSA

RODOLF LLAMBI XHILLARI

IBRAHIM MEHMET KALEMI

AFRIM XHEMAL QENDRO

AZBI REXHEP ARAPI

LAVDRIM RRAHMAN SAHITAJ

PETRIT LEK DESKAJ

BESIM RESHIT RUÇi