Ramadan Ndreka: “Rrotacioni është nevojë jetike”

822
Sigal

Flet Ramadan Ndreka, Kryetari i Partisë Social Punëtore

Zoti Ramadan Ndreka, partia në të cilën ju kryesoni, kujt elektorati i drejtohet dhe cilën alternativë i afron?

– Jetojmë në një kohë, që propaganda e djathtë, punëtorët dhe fshatarët i poshtëron i merr nëpërkëmbë, duke argumentuar se nuk duhet të bëjmë politikë populiste.  Ç’ka kjo do të thotë se nuk duhet të bëhet një politikë që të mbështesë masën e madhe të popullit, por një pakicë. Partia Social Punëtore, që nga momenti që është krijuar, ka mbrojtur interesat e punëtorëve dhe të fshatarëve me të gjitha mjetet që ka patur, brenda ligjeve të kësaj pseudodemokracie, duke deklaruar gjithnjë se në Shqipëri nuk po ndërtohet demokracia, por antidemokracia, duke bërë një punë individuale me punëtorët për të luftuar kundër  poshtërimit  të  tyre, grabitjes së  mundit dhe të djersës së tyre. I kemi sqaruar se industria nxjerrëse dhe përpunuese u shkatërrua, që të shkatërronin klasën punëtore, sepse vetëm kështu siguronin një qeverisje pa telash e të qetë. Edhe fshatin për këto arsye e shkatërroi qeverisja “berishiane”. Fshatarëve u kemi thënë: kjo rrugë është për të shpërbërë fshatarët autonomë, të cilët kanë qenë baza e zhvillimit modern në Europë dhe kudo. Kjo rrugë që ndjek qeveria Berisha është rruga skllavëruese e kohës moderne dhe ju po bëheni skllevër të shoqërisë së sotme. U drejtohemi atyre që sot po vuajnë të zinjtë e ullirit, po shtrydhen si limoni. Në këto kushte, e vetmja alternative është të bëhet rotacioni për të shpëtuar Shqipërinë nga falimentimi. Këtë duhet ta kuptojnë mirë punëtorët dhe fshatarët dhe të mos e shesin votën për një thes miell, por të mendojnë për ndërtimin e një shteti të ri demokratik.

– Cila politikë afron atë shpresë që mund të mbrojë të pambrojturit social?

– Të gjitha programet që ka afruar e djathta, kanë objektiv rritjen e fitimit të klasës së pasur, të miliarderëve dhe varfërimin e popullit. Programi që po shpalos Partia Socialiste në këtë fushatë është krejt ndryshe. I konsultuar me gjithë shqiptarët, prandaj është shumë më afër luftës për demokraci të vërtetë, sepse kërkon të verë fre fitimit dhe të rrisë mirëqenien. Kërkon të gjallërojë fshatin dhe të administrojë pronën kombëtare. Kërkon të forcojë arsimin. Kërkon që programi të marrë në mbrojtje shëndetësore të pa mbrojturit, që sot kanë mbetur nëpër korridore të spitaleve. Premton se do të rrisë në mënyrë masive punësimin. Kjo është arsyeja që ne e kemi mbështetur.

– Çfarë dileme duhet të zgjidhë elektorati me votën e tij në 23 Qershor?

– E para, duhet të kuptojë se ç’është vota e tij. Duhet çdo votues ta kuptoj se vota e tij nuk ka karakter individual, por ka karakter të rëndësishëm kombëtar, sepse me anën e votës një komb zgjedh rrugën nëpër të cilën do të eci në të ardhmen. Zgjedh rrugën pozitive dhe kombi ecën përpara e zhvillohet, apo zgjedh rrugën negative dhe kombi dobësohet varfërohet dhe tronditet. Unë jetoj këtu, poshtë në bazën e piramidës dhe i dëgjoj qartë rënkimet, klithmat, vajtimet. E shoh mirë mjerimin, që ka pllakosur në mbarë shqiptarët. Në këto kushte , kur mercenarët e politikanëve sakrifikojnë të gjitha interesat e tyre, është shumë e vështirë të arrihet objektivi. Elektorati edhe këtë duhet ta eliminojë dhe ne i kemi bërë përpjekjet tona, por ka edhe parti të majta, që bëjnë politik të djathtë dhe e çoroditin fukaranë.

– Shqiptarët a mund të jenë optimistë se, qeveria e re do mund të realizojë ato ndryshime që do të sjellin përmirësimin e jetesës?

– Rotacioni është nevojë jetike. Patjetër duhet të bjerë pushteti i monopoleve, i korrupsionit dhe i krimit të organizuar.  Realizimi i rotacionit politik do të sjellë ndryshime që duhet t’i besojmë dhe t’i shijomë të gjithë. Kam besim se do të bëhet rrotacioni , por jo pa dhimbje. …..Në se më lejoni tu bëj thirrje të gjithë punëtorëve fshatarëve, intelektualëve të papunë dhe pronarëve  të votojnë për Partinë Social Punëtore në Nr 27.