Rama zotohet: “Detyrat janë tonat, pushteti i popullit”

482
Sigal

Kryeministri i ardhshëm mbylli ciklin e punimeve të qeverisë së tij në Vlorë, duke u takuar edhe me kryebashkiakët e Bregdetit

Detyra e parë: Secili ministër, të përgatitë programin e punës afatshkurtër dhe afatgjatë

Dje kryeministri i ri, Edi Rama mbylli ciklin e punimeve informale të qeverisë së tij. Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, mblodhi mëngjesin e së Enjtes mbledhjen e dytë të ekzekutivit të ri, një takim që zgjati rreth afro 3 orë, e që u konkludua rreth orës 12:30, por diskutimi mbeti hermetik për mediat. Sipas burimeve të mirinformuara, Kryeministri Rama u kërkoi ministrave të tij që në kohën e mbetur deri në fillimin e punimeve të Kuvendit të ri, ku qeveria e re pritet që të marrë edhe votëbesimin, duhet  të kenë përgatitur programin afatshkurtër të çdo ministrie, ku ata janë titullarë. Programi afatshkurtër do të jetë për 100 ditët e para të qeverisjes, por njëkohësisht, duhet të kenë edhe projektet afatgjatë të programit qeverisës. Mësohet, se Rama u kërkoi ministrave të vet, që periudha e njohjes të problematikës që i përket secilit, të jetë sa më e shkurtër, pasi, siç theksoi Rama, qeveria e re nuk e ka luksin që të humbasë kohë të gjatë për t’u orientuar e përshtatur në njohjen e situatës.

Prioritet qeveritar, do të jetë bashkërendimi  i punëve  midis ministrave

 Një tjetër temë, e cila, sipas burimeve të mirinformuara të “Telegraf” është se, Rama trajtoi edhe çështjen e bashkërendimit të punëve midis ministrive, për më tepër kjo kur do të duhet që ky bashkërendim të shtrihet edhe me ministrat e dy partive, PS-LSI. “Nëse projektet e një dikasteri interferojnë në një tjetër ministri, bashkëpunimi duhet të jetë i plotë’, ka kërkuar Rama. Mbledhja e parë e qeverisë “Rama”, edhe pse ishte informale, për shkak se akoma kjo qeveri nuk e ka marrë votëbesimin në Kuvend, ka zgjatur me orë të tëra. Por, siç u shpreh vetë kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, orët e zgjatura të punës ishin të mbushura me emocione, saqë atij iu dukën se punuan vetëm 1 minutë. Me këtë dhe konkluzione të tjera mësohet të jetë mbyllur takimi dyditor i ministrave të rinj, nën drejtimin e Kryeministrit të zgjedhur Edi Rama në qytetin bregdetar të Vlorës.
Rama takohet edhe me drejtues të pushtetit vendor të Bregdetit
Mbyllja e mbledhjes me të propozuarit për ministra është pasuar me një tjetër takim te Kryeministrit të zgjedhur Edi Rama. Ai ka mbledhur në të njëjtin ambient edhe drejtuesit lokalë të së majtës në zonat e bregdetit dhe deputetet socialiste të këtyre zonave. Mësohet se shefi i ardhshëm i qeverisë, njëherësh deputet i Vlorës ka kërkuar nga krerët e bashkive dhe komunave të përfundojnë  projektet, pasi puna për zbatimin e tyre do të nisë shumë shpejt. Dhënia fund e fenomenit të ndërtimeve pa leje në bregdet, mësohet të ketë qenë në qendër të diskutimit me krerët lokalë dhe të zgjedhurit socialistë të këtyre zonave. Për angazhimin mbi disiplinimin e vijës bregdetare që Rama ka ndërmarrë, mësohet nga takimi se ai iu ka kërkuar bashkepunim të plotë vendoreve të së majtës dhe koordinimin e tyre pa hezitim edhe më të zgjedhurit socialistë në Parlamentin shqiptar dhe strukturës që Qeveria e re do të ngrejë posaçërisht për këtë çështje. Duke i qëndruar besnik idesë se punësimi duhet bazuar tek meritokracia, Edi Rama ka këmbëngulur që procesi i marrjes në punë ti besohet konkurseve të forta dhe jo njohjeve miqësore. “Mbyllni projektet për zhvillimin e zonave, shpjet nis puna. Mos pretendoni te fusni miq në vende pune. Çdo gjë do të kalojë nëpërmjet konkurseve shumë të forta”, është shprehur Rama. Takimi i kabinetit të ri ishte i pari që zhvillohet me prezencën e të gjithë të propozuarve për ministra në kabinetin “Rama”. Startimi i punës nga qyteti i Pavarësisë, mesa duket lidhet jo me vetëm me faktin se kryeministri i zgjedhur është deputet i Vlorës, por edhe me koincidencën historike se qeverisja e tij, e pagëzuar si Rilindja Shqiptare, çel 100-vjetorin e dytë të Pavarësisë së vendit.

Rama, konkluzionet e punës të qeverisë, i publikon në rrjet social

Dy ditë intensive të mbledhjes informale të qeverisë, Edi Rama i ka përmbledhur me një rresht të vetëm: “Mbyllet në Vlorë takimi i parë informal i qeverisë së re. Detyrat janë tonat, pushteti i popullit. Detyrat janë tonat, pushteti i popullit, duke lënë të kuptohet se misioni i kabinetit të ri, duhet të jetë puna në shërbim të qytetarit”.