Rama: Zgjedhjet e së dielës do të jenë me standardet më të larta

381
Kryeministri i vendit dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i ftuar mbrëmjen e djeshme në emision Top Story ka komentuar pjesëmarrjen e qytetarëve në fushatën zgjedhore, ku u shpreh se kjo gjë e ka bërë të ndjehet i befasuar. Sipas Ramës një pjesëmarrje e tillë do të thotë se ka një pozitivitet, që as vetë nuk e priste në nisje të fushatës. Më tej Rama iu përgjigj edhe akuzave të disa mediave dhe të opozitës se programi “Rilindja Urbane” janë investime elektorale.
“Jam befasuar nga pjesëmarrja shumë e madhe e njerëzve në takime, në dëgjesa. Ka një frymë mbështetëse, besimi, pritshmërie të lartë, ka një pozititivitet që e pranoj që nuk e kam pritur në fillim as vetë. Kam besuar që në fillim, kam qenë shumë në minorancë dhe i vetëm në fillim, kur kam mbrojtur bindjen time që platforma nuk do të largojë njerëzit sepse njerëzit kanë një sens shumë të përpunuar të gjësë së duhur dhe reformat do të kishin mbështetje dhe pak nga pak, mesa duket kanë nisur të binden edhe shumica, dhe kjo fushatë e konfirmon këtë që njerëzit vazhdojnë të kenë një pritshmëri shumë të lartë ndaj nesh, këtë e konfirmojnë edhe anketimet që ne kemi. Reformat kanë krijuar shpresë. Ka edhe shumë për të bërë, sakrifica që duhet të bëjmë së bashku. Ne nuk kemi shpikur një formë të ndërmjetme ose indirekte për të bërë fushatë me fondet. Kemi ristrukturuar një fond që ka qenë aty, fond i grantit të kushtëzuar për njësitë vendore. Ne e kemi ristrukturuar duke e kthyer në Fond të Zhvillimit të Rajoneve. Nuk kemi marrë para nga pjesë të tjera për të bërë këtë, thjeshtë e kemi riorganizuar”, tha Rama.
Për sa i përket ekonomisë nëse ajo është aty ku duhet, zoti Rama tha: “E rëndësishme është që ekonomia ka dhënë shenja pozitive të rritjes dhe kjo është parë në disa sektorë. Në 18 muaj ne kemi dhënë një provë të sigurt që hemorragjia në të gjithë sektorët është ndalur. Gjatë 18 muajve qeverisje të së majtës investimet e huaja në vend kanë pësuar rritje. Në harkun e këtyre 18 muajve numri i bizneseve të huaja në vend është më i madhi i të gjitha viteve”. 
Më tej kreu i qeverisë e cilësoi fushatën elektorale si tepër të qetë dhe shtoi se “kjo mund të ketë ardhur edhe për shkakun se tashmë Berisha nuk është më në krye të Partisë Demokratike’. Ka një përpjekje të Partisë Demokratike për të tensionuar fushatën, e cila është shumë e qetë. Unë kam bërë edhe fushata të tjera, por asnjëherë nuk kemi pasur një fushatë pa asnjë tension real, ndoshta edhe sepse Saliu është në pension. Pasardhësi përpiqet t’i ngjajë paraardhësit, por është një kopje shumë e zbehtë në aspektin e përpjekjes për të krijuar tension. Ti vijë turp Luzim Bashës për këtë rast. Në fakt, Meta ka të drejtë kur thotë se Basha gënjen edhe kur thotë se sa është ora. Sapo unë kam marrë mesazhin nga kryetari i Bashkisë së Vorës, në punë minutash problemi është trajtuar me urgjencë nga policia. Nëse ai është burrë të dalë dhe të thotë se kush gënjen në këtë rast”.
Rama premtoi se zgjedhjet e së dielës do të jenë me standardet më të larta. “Nëse zgjedhjet e 2013 ishin më të mira në histori, këto nuk do të krahasohen me ato zgjedhje për sa i përket standardeve dhe kushteve për të bërë fushatë. Duhet të vlerësojmë rëndësinë që ka procesi, të zhvillojmë zgjedhje të qeta, zgjedhje ku njerëzit të votojnë lirisht, ku strukturat e Policisë së Shtetit të jenë në lartësinë e detyrës si në një shtet normal europian. Përpara kësaj, rezultati, matematika e fitores tonë është dytësore”.
Sigal