Rama “zbret” qeverinë në rrethe, spostohen prefektët

580
Kryeministri vendos të bëjë mbledhje të ekzekutivit në çdo qark, ndërsa ministrat me radhë do të zhvendosin zyrat
Kryeministri Edi Rama ka vendosur ta largojë ekzekutivin nga Tirana dhe të zhvendoset në rrethe për të zhvilluar mbledhjet e qeverisë. Një hap që pritet të shoqërohet edhe me masa të tjera për spostimin e qeverisjes qendrore drejt bazës, ndërsa zyrtarisht prefektët mbeten përfaqësuesit e ekzekutivit pranë pushtetit vendor. Lëvizja e re e qeverisë pritet të shkaktojë edhe paqartësi për mënyrën e organizimit, ndërsa edhe ministrat do të zhvendosin zyrat me radhë në qytete të ndryshme. Kryeministri Rama foli dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së për një marrëveshje mirëkuptimi, e cila do të hartohet prej tij dhe do t’i dorëzohet edhe deputetëve për t’u firmosur. “Është një marrëveshje që sanksionon rregullat e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes qeverisë, grupit parlamentar dhe PS-së, si tre pjesë të pandashme të të njëjtit ekip qeverisës”, tha Rama. Kryesocialisti zbuloi disa elementë të kësaj marrëveshjeje, që janë mbledhja e qeverisë gjatë një sesioni parlamentar, nga një herë në çdo qark për të qenë sa më pranë komunitetit dhe zhvendosjen e secilit ministër një herë në muaj në një qark të vendit. Një nga risitë e qeverisë së re, për të ecur në rrugën e premtimeve të fushatës, është prezantuar edhe koordinatori kombëtar për bashkëqeverisjen me qytetarët, detyrë që Edi Rama ia ka ngarkuar Saimir Tahirit. “Ndërtimi me shpejtësi, qëndrueshmëri, efikasitet i koalicionit me njerëzit do të fillojë menjëherë punën në terren, duke emëruar një koordinator kombëtar për bashkëqeverisjen që do të jetë Saimir Tahiri. Platforma që do të shpallim publikisht pas pak ditësh nuk do të jetë një faqe e radhës, por do të jetë mekanizëm i gjallë njerëzish”, u shpreh Rama. Në muajin tetor, PS pritet të mbajë edhe Asamblenë e radhës, për të zgjedhur kryesinë e sekretariatin e ri. Rama ka kërkuar nga deputetët socialistë disiplinë. Për deputetët nuk do të ketë më udhëtime jashtë shtetit si më parë, madje edhe shpenzimet për këto udhëtime, do të ulen ndjeshëm ndërsa mungesat të enjteve në seancat plenare do të jenë të pajustifikuara.

Shqipëri-Kosovë, qeveritë në Korçë e Vlorë
Veç planit të Ramës për kalimin e mbledhjeve të qeverisë nga qendra në bazë, ministrat do të mblidhen të paktën dy herë jashtë Tiranës për të takuar homologët e tyre nga Kosova. Mbledhja e radhës e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë do të mbahet në Korçë më 27 nëntor, ndërsa një mbledhje tjetër do të zhvillohet më 28 nëntor në Vlorë, ditën e shpalljes së Pavarësisë. Këtë e konfirmoi kryeministri Rama, pas takimit me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Bexhet Pacolli. Në të parën vizitë zyrtare që nga marrja e detyrës, Pacolli u prit nga Ditmir Bushati, i cili e kishte po ashtu të parën pritje në cilësinë e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Diplomacia ekonomike, sipas ministrit Bushati është fokusi i këtij mandati, e për këtë ai kishte një ftesë edhe për ministrin Pacolli. “E ftova presidentin Pacolli edhe në një aktivitet që ne do të bëjmë për diplomacinë ekonomike, duke pasur parasysh që barrën e madhe mbi supe në vite, tërë eksperiencën private dhe publike, për të na ndihmuar kësisoj për të orientuar pak edhe kompasin e Shërbimit tonë të Jashtëm drejt këtij segmenti shumë të rëndësishëm të diplomacisë”, u shpreh ministri Bushati. Më pas, ministri Pacolli u ndal në Presidencë, ku u takua me kreun e shtetit Ilir Meta, i cili e përgëzoi për detyrën e re, duke vlerësuar edhe angazhimin e tij personal në njohjet e pavarësisë së Kosovës.
Sigal