Rama: Votën që PS të qeverisë e vetme

617
Kryeministri deklaron se pas orarit të punës mësuesit apo edukatorët kanë të drejtë të marrin pjesë në takime elektorale
Kryeministri Edi Rama kërkoi edhe nga Laçi votën për Partinë Socialiste, në mënyrë që kjo forcë politike të qeverisë e vetme pas 25 qershorit. “Na duhet një votë që PS ta mbajë timonin vetëm. Se këtu, të gjithë çunat e Laçit janë shoferë pa marrë patenta, njësoj sikur ta kesh timonin në dorë dhe të ta luajë tjetri. Kështu është edhe qeveria. Pastaj, se me kë bashkudhëtojmë i takon të nesërmes. Sot na jepni votën, mos shihni partitë, por interesin tuaj, kush ua bën punën”, tha Rama. Në disa takime elektorale, kreu i Partisë Socialiste ka përsëritur mesazhin, se në Kuvendin e ri forca politike që drejton duhet të ketë 71 deputetë. Sipas Ramës, i duhet dhënë fund qeverisjes së vendit me aleatë më të vegjël, pasi në këtë mënyrë ka edhe një parcelizim të administratës. PS dhe LSI, pas katër viteve bashkëqeverisjes, kanë hyrë të ndara në këtë fushatë elektorale, ndërsa mbetet e paqartë se si do të pozicionohen partitë në rast të nevojës për një koalicion pas zgjedhor.

Ndërkohë, nga Shëngjini në një takim elektoral, kryeministri i ka adresuar një mesazh Partisë Demokratike, duke i thënë që të ndalojë deklaratat për pjesëmarrjen e punonjësve të administratës në fushatën elektorale. Sipas Ramës, çdo drejtor, mësues, edukator ka të drejtën që pas pune të marrë pjesë në fushatë apo të bëjë të gjitha gjërat që do pasi është i zhveshur nga kostumi zyrtar. “PD le të ketë sytë e veshët në administratë dhe të kontrollojë e të shohë, se gjithë kjo paranojë që shteti vë njerëzit në rresht nuk është realiteti ynë. Ka fenomene të tilla, por e rëndësishme ka që të mos ekzagjerohet, se njerëzit kanë të drejtë pas orarit të punës të bëjnë atë që ata duan për zgjedhjet. Mësuesit, drejtorët e shkollave kanë të drejtë që pas orarit të punës të bëjnë çfarë të duan. Nuk mund ta kthejnë këtë histori; doli mësuesi filan, por pas orës së punës ka të drejtën secili të bëjë atë që do”, u shpreh kryeministri. Sipas tij, kanë të drejtë plotësisht drejtorët e shkollave, të gjithë kanë të drejtë që pas orarit të mësimit të bëjnë çfarë iu takon, të shkojnë në fushatë, të flasin, të bëjnë çfarë të duan. “Ndërkohë që patjetër, që kush shfrytëzon Drejtorinë apo zyrën e shefit për t’i bërë presion punonjësve, hajde këtu, më jep emrat, më sill familjen, më bëj këtë, më bëj atë, më sill votën e fotografuar, do të shkojë në burg”, tha Rama.

Deklarata e Ramës vjen pas disa lëvizjeve ndaj zyrtarëve të administratës nga ministrat teknikë të emëruar së fundmi në qeveri. Rasti më i fundit është një urdhër i ministres së Financave, Helga Vukaj, e cila njoftoi shkarkimin e një punonjësi të administratës tatimore. Sipas njoftimit, Kliton Bistri u shkarkua për pjesëmarrje në një miting të Partisë Socialiste, pasi u denoncua nga ish­kryeministri Sali Berisha. Rast i parë ishte ai i Ministrisë së Drejtësisë, ku Gazment Bardhi pezulloi nga detyra drejtorin e burgut të Tropojës, Granit Kurmekaj, si dhe ia referoi rastin e tij prokurorisë, për veprën penale të përfshirjes në fushatën zgjedhore.
Sigal