Rama: Votat për njeriun e duhur/ Meta: Zhvillojmë turizmin e Kolonjës

438
Aleanca për Shqipërinë Europiane ka prezantuar kandidatin për Bashkinë e Kolonjës, Arben Malo. Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në këtë prezantim ka hedhur akuza ndaj kandidatit të opozitës për këtë bashki duke e quajtur “ngrënës pyjesh”. Sipas Ramës ashtu siç qeveria ka bërë në këto 18 muaj, duke financuar fillimin e një rilindje urbane, ashtu do të vazhdojë edhe në çdo cep të bashkisë së Kolonjës. 
“Sot, ne kemi ardhur këtu, në fakt, në një bashki ku nuk ka garë dhe s’mund të ketë garë midis një kandidati që ne kemi propozuar dhe mbështetur dhe një pyjengrënësi që ka sjellë këtu SHQUP-i. Një kandidat që ka ngrënë më shumë pyje se bukë në jetën e tij dhe që është një nga përgjegjësit e një shkatërrimi të madh që i është bërë pasurisë së Kolonjës. Kështu që unë nuk besoj se ja vlen të diskutojmë shumë për garën, por besoj shumë se ja vlen të flasim për thellësinë e madhe që duhet të ketë fitorja e Aleancës për Shqipërinë Evropiane dhe Arbenit. Qeveria në Tiranë i ka kthyer sytë edhe nga Erseka, edhe nga Kolonja dhe ashtu siç kemi bërë në këto 18 muaj, duke financuar fillimin e një rilindje urbane, edhe këtu do të vazhdojmë për ta çuar frymën dhe erën e rilindjes në çdo cep të bashkisë së Kolonjës. Unë kam shumë besim që gratë dhe vajzat në shtëpitë e demokratëve do të bëjnë punën e tyre. Do t’ia u bëjnë të qartë burrave që këto votime nuk janë për SHQUP-in. Këto votime janë për Kolonjën. Këto votime nuk janë për politikën e madhe, këto votime janë për të zgjedhur njeriun e duhur dhe për ta çuar qytetin, bashkinë dhe fshatrat së bashku në drejtimin e duhur. Ne e dimë shumë mirë që reformat janë të dhimbshme. Por një gjë është e sigurt, që reformat japin rezultat, që masat që i shoqërojnë bëjnë sukses. Dhe që rezultati dhe suksesi nuk është qëllim në vetvete, por është që të krijojnë mundësinë që të bëjmë shumë më shumë”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta vlerësoi kulturën dhe traditat e zonës së Kolonjës dhe kontributin e tyre dhënë për Shqipërinë. Më tej Meta tha se copëzimi i deritanishëm i pushtetit vendor e bënte të paaftë pushtetin vendor, edhe kur kishte vullnet dhe dëshirë nga drejtuesit e tij për të bërë vërtet projekte të rëndësishëm për zhvillimin e komunitetit. 

“E kam thënë edhe më parë kur kam qenë në Kolonjë, se pa kolonjarët nuk do të kishte rilindje kombëtare. Sepse kolonjarët ishin në vijën e parë të luftës për të mbrojtur, jo vetëm atdheun dhe territoret e tij, por mbi të gjitha për të mbrojtur gjuhën dhe e mbrojtën me gjakun e tyre, për të mbrojtur kulturën dhe historinë dhe njëkohësisht ishin një burim i madh frymëzimi për të gjithë shqiptarët kudo në botë. Edhe reforma jonë administrative territoriale e cila hyn në fuqi në zgjedhjet e 21 qershorit është historike, sepse i jep shumë më tepër mundësi, resurse, kapacitete, instrumente kryetarit të ri të Bashkisë së Kolonjës dhe këshillit të ri të Kolonjës për të ofruar më shumë shërbime, më shumë punësim dhe më shumë perspektivë për komunitetin e mrekullueshëm të Kolonjës. Kolonja ka resurse turistike të jashtëzakonshme, dhe besoj se këto ndryshime në infrastrukturë do të bëjnë të mundur zhvillimin e turizmit, agro-turizmit sepse pyjet që ka Kolonja. Dhe për këto qeveria ka nevojë për një partner i cili të punojë në drejtimin e duhur dhe unë besoj se Arben Malo është në drejtimin e duhur”, theksoi Meta.
Sigal