Rama: Uroj që Saimiri të mos ketë lidhje me kriminelët

461
Kryeministri Edi Rama reagoi pas publikimit të kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe dhënies së autorizimit për arrestimin e tij. “Kur them, dua një vend me drejtësi kuptoj vetëm drejtësi! Kur them, dua të vërtetën nga drejtësia s’e bëj si ata që veç janë tallur dhe tallen me drejtësinë, edhe sot që flasim, prej 27 vjetësh rresht! E besoj këtë fjalë me gjithë mend dhe luftoj për kuptimin e plotë të kësaj fjale, me gjithë zemër. Drejtësi për të gjithë dhe drejtësi mbi këdo”, u shpreh Rama. Ai tha se shpresonte që deputeti socialist të mos kishte lidhje me aferën e trafikut të drogës nga grupi Habilaj. “Uroj që Saimiri të provojë deri në fund, që s’ka lidhje me këtë histori kriminelësh. Por këtë dua ta mësoj nga drita e së vërtetës dhe këtë dritë s’e kam, as unë, as qeveria, as partia. E ka vetëm drejtësia që duhet të na e ndriçojë këtë udhëkryq mes llafeve e provave. Deri në fund”, tha Rama. Në një deklaratë përpara vendimit të prokurorisë, kryeministri sulmoi edhe opozitën. “Ta harrojnë se do të na ndalin dot në këtë luftë, të gjithë ata që vazhdojnë t’i marrin shqiptarët për budallenj dhe që synojnë bllokimin e rrugës sonë për Shqipërinë që duam – me shtet, punë, mirëqenie. Me mandatin e 25 qershorit, ne do t’i bëjmë, jo vetëm rrjeteve kriminale, po edhe korrupsionit në tërësi, atë që asnjë nga këta që hidhen sot përpjetë në kazanin e politikës e të medies, s’ka guxuar as ta mendojë, në çerekshekulli rrumpallë e bashkëjetesë harmonike të pushtetit me llumin, ku ky vend mbeti pa shtet, pa ligj, pa drejtësi”, u shpreh Rama.
Sigal