Rama: “Unë do të shkoj në Beogdad. ne duhet të shohim nga e ardhmja, jo nga e shkuara”

546
Sigal

Kjo ka qenë deklarata e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në takimin e zhvilluar në Universitetin e Harvardit në Boston.

Disa qindra shqiptarë, mjaft amerikanë dhe nënshtetas të tjerë që jetojnë në Boston, morën pjesë në takimin zhvilluar me Kryeministrin e  Shqipërisë, Edi Rama, në Universitetin e Harvardit në Boston, i cili është një nga universitetet më të njohura, jo vetëm në Amerikë por edhe në botë. Kryeministri Rama ishte i ftuar i posaçëm i Forumit Kenedi, në Institutin e Politikave të Harvardit. Ky Forum, është i mirënjohur, është arena kryesore e Harvardit për fjalime politike, diskutime dhe debate. Forumi pret rregullisht udhëheqës shtetesh, drejtues politikë, qeverive, bizneseve e mediave. Në fillim të takimit, përfaqësues të këtij universiteti falënderuan Kryeministrin Rama që pranoi ftesën për të mbajtur një ligjëratë në universitetin e tyre. Ata theksuan kontributin e tij në fillimet e demokracisë në Shqipëri, punën si ministër i Kulturës, si kryetar i bashkisë së Tiranës, si kryetar i Partisë Socialiste si dhe në detyrën e Kryeministrit. Në fjalën e tij Edi Rama falënderoi Universitetin e Havardit për ftesën e bërë si dhe në shkollimin  këtu të mijëra studentëve , jo vetëm nga Amerika, por edhe nga vende të tjera të Botës, mes tyre edhe të disa studentëve shqiptarë. Në vazhdim të fjalës së tij, Rama falënderoi SHBA-të  për mbështetjen e madhe që i ka dhënë popullit shqiptar ndër vite. Ai u ndal më pas në historinë e rëndë që ka kaluar populli ynë në monizëm, izolimin e tij për 45 vjet me radhë dhe dëshirën që kishin shqiptarët për të njohur botën. Ata përdornin antena për të ndjekur evenimentet sportive apo muzikore në Botë. Nuk ishte faji i popullit, që vendi ynë qe në një gjendje aq të vështirë, ishte faji i sistemit. Pjesë e ligjëratës së tij, e cila u mbajt në anglisht, ishte edhe rruga që ka përshkuar vendi ynë në këto 20 vjet demokraci, ku falë ndryshimit të sistemit ekonomik si dhe ndihmës së emigrantëve, vendi ka pësuar mjaft ndryshime. Ai u ndal edhe te natyra e  Shqipërisë si një vend  me bukuri të rralla,me shumë diell, resurse këto që ofrojnë mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit. Ju të rinjtë e të rejat, nuk duhet të vini në Shqipëri vetëm për të kaluar muajin e mjaltit, por të vini në çdo kohë, iu drejtua ai të rinjve pjesëmarrës në forum. Pasi foli për Luftën e Parë Botërore, e cila nisi në Ballkan, ai u ndal te konferenca  për vendet e Ballkanit, zhvilluar në muajin gusht në Gjermani. Ky takim, hap një rrugë të re për këto vende për një afrim më të madh mes tyre si dhe me Bashkimin Europian. Secili vend i Ballkanit, është një, por edhe vetë Ballkani është një, theksoi ai. Ne i përkasim Bashkimit Europian. Nuk jemi te germa e parë e BE-së (te B-ja) por jemi te e dyta, te E-ja. Këtë nuk na i heq dot askush. Synimi ynë i përbashkët është BE-ja.

Me interes të veçantë u ndoqën edhe pyetjet që disa pjesëmarrës i bënë Kryeministrit Edi Rama si dhe  përgjigjet që ai u dha. Pyetjes që iu bë, se a do të shkojë ai në Beograd pas ngjarjeve që ndodhën në ndeshjen e futbollit, ai iu përgjigj: – Unë do të shkoj në Beograd. Ne duhet t’i tregojmë Europës dhe Botës se jemi një rajon i civilizuar. S’duhet të biem në kurth nga një ndeshje futbolli. Ne s’duhet të vetizolohemi. Rruga e kthimit mbrapa, duke folur me gjuhën e urrejtjes, është rruga më e lehtë. Duhet të shohim nga e ardhmja. Jemi vende fqinje, që kemi një synim të përbashkët, integrimin në BE. Flamuri shqiptar që u valëvit në stadium, nuk ishte asgjë para sharjes dhe urrejtjes së tifozëve serbë për shqiptarët, para goditjes së sportistëve tanë e veprimeve  të tjera që ndodhën aty. Ai ishte vetëm një flamur, ndërkohë që, në stadium kishte sa e sa flamurë serbë. Fantazia arriri deri aty sa u tha që droni ishte ngritur nga vëllai im, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Ajo që ndodhi, nuk ishte faji ynë, ishte faji i palës serbe. Fatkeqësisht, ngjarja u përdor nga politika. Shpresoj që bota të jetë e informuar për atë që ndodhi. Një pjesëmarrës tjetër e pyeti zotin Rama për diskriminimin, që sipas folësit ekziston në vendin tonë. -Në Shqipëri nuk ka diskriminim, as diskriminimfetar, as për shkak të ngjyrës apo të diçkaje tjetër. Besimet fetare në Shqipëri, ai mysliman, kristian, katolik dhe bektashian, jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin. Po e ilustroj këtë me një të dhënë nga familja ime. Unë vetë jam katolik, gruaja është myslimane, djali i parë kristian ndërsa djali i vogël katolik. Në pyetjen e saj, një vajzë e re, i tha kryeministrit shqiptar se ajo punonte në një kompani të madhe, e cila mund të investonte edhe në Shqipëri, por ngjarja  që ndodhi në Bankën e Shqipërisë, tregon pasiguri. Ç’mendoni ju për guvernatorin e ardhshëm? Përgjigja e Ramës, ishte:-Ne e kemi dënuar atë ngjarje dhe jemi duke punuar për të gjetur guvernatorin e ri. Janë pranuar 150 aplikime. Do zgjedhim një person profesionist, jo politikan. Mund të jetë edhe i huaj, mjafton të jetë i zoti. Një pyetje tjetër që iu drejtua kryeministrit shqiptar, ishte ajo e mungesës së dritave.-Ne jemi nga vendet më të pasura me burime ujore, por fatkeqësisht ende nuk sigurojmë kërkesat tona për energji elektrike. Izraeli nuk ka ujë, por e nxjerr atë nga toka dhe siguron nevojat e veta për ujë të pijshëm, për energji elektrike si dhe për bujqësinë. Pra tek ne mungon menaxhimi. Po punojmë për ta përmirësuar atë. Pati edhe pyetje të tjera si ajo për luftimin e korrupsionit, të cilës Rama iu përgjigj se ai është i pashmangshëm edhe në vende të tjera.Te ne ai hodhi rrënjë në këto 20 vjet në drejtësi, në institucione të ndryshme shtetërore etj.. Ne po marrim masa dhe po ia dërgojmë drejtësisë personat e korruptuar. Gjithashtu, po përpiqemi të modernizojmë shërbimet ndaj popullit, si një masë që të ul korrupsionin. Në këtë forum të zhvilluar në Universitetin e Harvardit, Kryeministri Edi Rama, shoqërohej edhe nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, nga ai i Bujqësisë, Edmond Panariti etj..

Bashkëbisedim i Ramës në Universitetin e Harvardit, vinte pas takimit që ai zhvilloi me shumë bashkatdhetarë në restorantin e njohur shqiptar “Vlora” në Boston.

Nga Fuat Memeli-Boston