Rama: Unë dhe ministrat, pushime vetëm në Shqipëri

573
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas disa shkrimeve të mediave greke se ai po kalon pushimet në Parga, së bashku me bashkëshorten. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Rama mohon se është me pushime, ndërsa thotë se ato do i kalojë vetëm në Shqipëri. Madje ai thotë se ky rregull për të kaluar pushimet në Shqipëri është edhe për ministrat. “Mediat greke thonë jam me pushime në Greqi. 1 – S’jam me pushime. 2 – Pushimet i bëj vetëm në Shqipëri. 3 – Ky do jetë rregull edhe për ministrat”, shprehet Rama. Në qeverinë e re që do të drejtojë prej shtatorit, kryeministri pritet të zyrtarizojë edhe këtë rregull për anëtarët e kabinetit, duke kufizuar lëvizjen e tyre jashtë Shqipërisë për të kaluar pushimet. Një rregull që shefi i qeverisë duket se ka të pamundur ta imponojë për këtë vit, ku “kontrollon” vetëm gjysmën e ministrave. Ndërkohë mbetet ende për t’u përcaktuar e ardhmja e qeverisë aktuale, ndërsa kryeministri është në pritje të dorëheqjes së ministrave teknikë të vendosur pas marrëveshjes politike të 18 majit. Sidoqoftë, për zëvendësimin e tyre, në rast të një dorëheqjeje, do të duhet edhe ratifikimi nga Kuvendi, pas dekretimit nga Presidenti i Republikës. Gjithashtu, në qeveri ndodhen edhe përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa kjo forcë politike ka deklaruar publikisht qëndrimin e saj në opozitë pas rezultatit të zgjedhjeve të 25 qershorit.
Sigal