Rama u jep myslimanëve lejen e Xhamisë: E keni vetë në dorë

200

TIRANE –  Nga sot përgjegjësi i vetëm për vonesën në ndërtimin e Xhamisë së Madhe të besimtarëve myslimanë, është Skënder Bruçaj. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama ndërsa i dorëzoi kreut të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë lejen për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë në qendër të Tiranës.

“Dhe ashtu si Shën Thomai që nuk besonte pa prekur, se u bë një histori kaq e gjatë e në këtë godinë u bëmë kaq shumë burra medemek të mëdhenj, jo për ngas gjatësia, por nga pushteti, që hyjnë e dalin e flasin për leje. Unë di të them vetëm kaq: Ja ku e keni përfundimisht lejen e ndërtimit të xhamisë së re që është po aq e vërtetë saç është e vërtetë shqiponja me dy krerë dhe përkrenarja e Skënderbeut në këtë dosje. Dhe që nga ky moment ka vetëm një përgjegjës për vonesat, emri i tij është Skënder Bruçaj”, deklaroi Rama.

Bruçaj: Këtë përgjegjësi do ta çojmë deri në fund për të pasur një xhami siç e kanë ëndërruar besimtarët.

Rama: Mos e lini të përmendë më Zotin kur vjen puna tek ndërtimi, po të bëjë ndërtimin tani, se Zoti e bëri të vetën.

Xhamia e Namazgjasë do të ndërtohet me vetëfinancim nga Komunitetit Mysliman i Shqipërisë, ndërsa qeveria ka marrë përsipër dëmshpërblimin e pronarëve të truallit mbi të cilin ndërtohet ky objekt kulti.

Ashtu siç edhe i kishte premtuar kreut të Komunitetit Mysliman, të cilin Rama e quajti mikun e tij, leja për ndërtimin e Xhamisë së Madhe iu dorëzua myslimanëve në vigjilje të festave të 28-29 Nëntorit, ditë këto që veç simbolikës së çlirimit e pavarësisë së vendit do të simbolizojnë sipas kryeministrit, edhe çlirimin e komunitetit mysliman.