Rama thellon akuzat: Denoncimet online do jenë ferri i kujtdo

558
Reagimet e shumta nga politikanë e njerëz të zakonshëm, kundër listës së zezë me 100 emra të zyrtarëve të korruptuar, kanë detyruar shefin qeverisë të kundërpërgjigjet
Pak orë pasi kishte publikuar listën me emrat e 100 zyrtarëve, për të cilat tha se ishin denoncuar nga qytetarët si të korruptuar, kryeministri Edi Rama, publikon një tjetër status në rrjetin e tij social. Ka reaguar ashpër ndaj kritikëve. I ka cilësuar “lule Mos më prek”. Madje shprehjet e tij kundër kundërshtarëve kanë qenë edhe ironike. “Jam shumë i impresionuar nga reagimet e zhurmshme të luleve “Mos më prek” për emrat e zyrtarëve të rreshtuar në përmbledhjen e raportit të postimit “Eksperienca juaj negative!”. Rama ironizon me fjalët: Çfarë ka ndodhur që deri edhe opozita e vjetër dhe e re, qenkan alarmuar në pikën që të vënë kujën përmes vetë udhëheqësve të tyre?! Kësaj i thonë tamam, “Bir Selman i nënës kë të qaj më parë?!”…”. në shkrimin e tij, kryeministri rreket të sqarojë situatën në të cilën ndodhet dhe përse ka vepruar në këtë mënyrë. Ndonëse ka publikuar emra, gjyqtarësh, prokurorësh, avokatësh, Rama nuk flet për akuza konkrete, por thjeshtë është nisur nga denoncimet e personave të ndryshëm, të cilët mund të jenë prekur në ndonjë situatë. Kryeministri thotë se do të sqarojë situatën për të gjithë ata që kanë vesh për të dëgjuar. “E para, emrat janë nxjerrë nga komentet e miqve të këtij rrjeti social, pra kanë qenë aty, në postimin prej ku janë përmbledhur dhe nuk janë as “listë e zezë”, as “listë shtrigash”, as kurrfarë gjëje tjetër përveçse një përmbledhje mekanike që ka bërë Skuadra e Shënimeve. E dyta, përmbledhja në fjalë nuk është as opinioni im, as qëndrim i imi, as qëllim për të hedhur hije mbi ndokënd apo arsye për të vepruar administrativisht ndaj askujt prej individëve në fjalë.

E treta, “lulet mos më prek” dhe gjithë tallavaxhinjtë e katundit politik e mediatik që qenkan kuturisur sot të vënë kujën për demokracinë në rrezik, i këshilloj të ruajnë energjitë, se nuk kanë parë e as dëgjuar gjë akoma!”, shkruan Rama në statusin e tij. 

Më tej Rama shkruan se platforma online e bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm “PËR SHQIPËRINË QE DUAM”, e cila do të hapet me fillimin e punës së qeverisë së re, do të jetë ferri i kujtdo që paguhet nga shteti dhe abuzon me njerëzit e zakonshëm, jo vetëm duke u futur duart në xhepa, po qoftë edhe duke u sjellë pa etikë me ta. “Dhe nuk do të jetë një ferr thashethemesh digjitale nga qytetarë digjitalë që nuk tregojnë identitetin e tyre, po do të jetë ferri i një koalicioni të madh kundër tepsixhinjve, harbutëve dhe parazitëve që paguhen nga taksat tona dhe pa pikën e turpit abuzojnë sa herë u del në shteg njeriu i zakonshëm me hallin e tij! Pa merak, gjithçka do të jetë morale, ligjore e transparente dhe ferri në fjalë do të jetë prej vërteti, jo digjital, sepse boll u sfilit Shqipëria nga Tepsia dhe boll u pataksën njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, nga ferrat e administratës shtetërore që janë rritur prej çerekshekulli në lëkurën e Shqipërisë”, përfundon kryeministri Rama.
Sigal