Rama-Thaçi kujtojnë Eksodin

451
Sigal

KUKËS – Qyteti i Kukësit është parapërgatitur sot të presë një valë të re “emigrantësh” nga Kosova, për të dytën herë pas 15 vjetësh. Por, këtë radhë kosovarët do të vijnë ndryshe në Shqipëri: si vizitorë tek ata që i pritën në ato vite të vështira të të genocidit serb mbi ta.

Qeveritë e të dyja vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë kanë përgatiru sot një program mjaft të larmishëm, me aktivitete përkujtimore të rangut politik dhe atij social. Ato nisin në orën 10 me ardhjen në Morinë të Kryeministrit Hashim Thaçi dhe takimin e tij pak minuta më vonë, me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën për të mbajtur sëbashku një konferencë të përbashkët për shtyp.

Krerët e pushtetit lokal e kanë vlerësuar shumë mbajtjen e këtyre aktiviteteve në Kukës. Prefekti Safet Gjici është shprehur se qeveria po e rikthen vëmendjen nga qarku i Kukësit, i cili është ndër më të varfrit në vend. Ndërsa për Kryetarin e Bashkisë Kukës, Hasan Halilaj, përkujtimi i “Eksodit 99” për herë të parë po merr dimensionin e duhur sa i përket vlerësimi të qeverisë shqiptare

ORA 10:00 KUKESI NE SHI PRET QINDRA SHQIPTARE E KOSOVARE

Gazetari i “A1Report!” Arbër Hitaj ka njoftuar që në Kukës tashmë janë mbledhur një numër tejet i madh qytetarësh, që po presin fillimin e ceremonive. Dy Kryeministrat Rama e Thaçi, pasi janë takuar në Morinë, i janë drejtuar qytetit. Kryeministri Rama njoftoi në Fb para pak minutash se është nisur “për Kukës, nën një dëborë të mbare me miq nga të dy anët e kufirit dhe Kryeministrin Thaçi në 15-vjetorin e eksodit përbashkues.”

Përveç kabinetit qeveritar të Kosovës, ka një prani të madhe të përfaqësuesve shqiptarë nga Maqedonia.

QEVERIA DHE PS, FTESE QYTETAREVE PER PJESEMARRJE ME VIDEO-MESAZH

Një video – mesazh që fton qytetarët të përkujtojnë eksodin e 15 vjetëve më parë është shpërndarë prej ditësh në rrjetet sociale nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Partia Socialiste e Shqipërisë. Në video flasin qytetarë shqiptarë, që kanë pritur në shtëpitë e tyre qytetarët e Kosovës, tek i iknin luftës, por edhe të rinj kosovarë, që kur ishin të vegjël, gjetën mikpritje në Shqipëri.

Videoja, më shumë se një përkujtim, është në radhë të parë një ftesë për t’u ritakuar pas 15 vjetësh në Kukës, në datën 16 prill, shqiptarë e kosovarë sëbashku, në një realitet dhe moment tjetër historik, kur Kosova është bërë një shtet sovran. Qeveria shqiptare ka planifikuar të shfaqë në Kukës, koncerte të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, të këngëtarëve të rinj, shfaqje të cirkut, tryeza me gatime tradicionale të të dy vendeve etj.

Takimin në Kukësin, qytetin-portë që priti dhe shpërndau më pas nëpër Shqipëri, mijëra refugjatët e luftës,  e ka njoftuar në Kosovë para pak ditësh edhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë takimit me homologun e tij Jakup Krasniqi.

SOT NE KUKES, PROGRAMI I AKTIVITETEVE

Ora 10:00              Mbërritja e Kryeministrit të Kosovës dhe delegacionit të tij në pikën kufitare të Morinës.

Ora 10:05              Nisja drejt Pallatit të Kulturës së qytetit të Kukësit

10:15 – 10:25         Takimi i dy Kryeministrave dhe delegacioneve të tyre si dhe ceremonia zyrtare e Pritjes tek Pallati i Kulturës.

Ora 10:30 – 12:30 Konferenca “Nga Eksodi tek Partneriteti Strategjik” tek  Pallati i Kulturës Kukës

Ora 12:30             Vizite tek Panairi Artizanal

15:00 – 15:45        Ndeshje miqesore Kukesi-Mitrovica

16:00-17:00            Vizite tek zyra e Kryetarit te Bashkise

17:00- 18:00           Takim me Familje Kosovare dhe Familje Kuksiane pritese tek Obelisku i Kukesit/Kulla e Qendreses

13:00 – 17:00       Aktivitete kulturore të ndryshme në Shesh (Ansambli Popullor, Cirk, Stenda për artin Kulinar, Kinema Lëvizëse)

17:00 – 21:00         Koncert me këngëtarët më të njohur nga te gjitha trevat shqiptare tek Sheshi përpara Pallatit të Kulturës

21:00 e vazhdim     Koncertet dhe aktivitetet kulturore vazhdojnë në shesh