Rama tërhiqet nga Kavaja, nuk do të ketë zgjedhje

497
Pas presionit të opozitës, kryeministri vendos ta largojë nga gara kandidatin e PS-së: Ka një plan për destabilizimin e vendit

Kryeministri Edi Rama njoftoi se i ka kërkuar kandidatit të Partisë Socialiste për kreun e Bashkisë së së Kavajës që të tërhiqet nga gara e ditës së diel. “I kam sugjeruar kandidatit tonë të tërhiqet nga gara e së dielës e t’i kërkojë të tërhiqet edhe kandidatit tjetër, të cilit ia bëj dhe unë këtë apel, shumë miqësisht. Vjen gjithnjë një moment për të thënë fjalën e fundit dhe luajtur gurin e fundit, po ky moment nuk është 7 maji”, deklaroi kryeministri Rama në një dalje të posaçme publike.

Vendimi i kryeministrit, erdhi pas deklaratave të forta të opozitës, e cila ka vendosur që ditën e zgjedhjeve në Kavajë të organizojë atje një manifestim. E djathta nuk është përfshirë në garën për kreun e Bashkisë së Kavajës, duke mos paraqitur asnjë kandidat. Dje, gjatë paradites, kreu i opozitës Lulzim Basha përsëriti dhe një herë, se nuk tërhiqet nga objektivi për një qeveri teknike e cila sipas tij, duhet të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme. “Ne jemi gati dhe stacioni ynë më i rëndësishëm, i pari në këtë betejë finale që do ta fitojë e nesërmja, shpresa dhe e ardhmja, do ta fitoja Republika e Re, është Kavaja. Përballja e parë, është dita e diel në kryeqytetin e lirisë, në kryeqytetin e demorkacisë, në Kavajë. Ditën e diel, le ta mësojë çdo shqiptar dhe çdo mik i huaj, se në 7 Maj Republika e vjetër rrëzohet në Kavajë”, ishte shprehur Basha, pas deklaratës për shtyp të kryeministrit Rama. Opozita ka përsëritur vazhdimisht se ajo nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve pa u arritur më parë një marrëveshje e gjerë politike.

Gjatë daljes së tij publike, Rama akuzoi opozitën se synon destabilizimin e vendit. “Që ka një plan për destabilizimin e këtij vendi, që çadra është ngritur për ta vënë në jetë këtë plan, që pas atyre që janë ngujuar në çadër nga frika e drejtësisë, ka të tjerë që e duan destabilizimin për të dëmtuar Shqipërinë, këto nuk janë më hamendje. Janë fakt!”, tha Rama. Kryeministri shtoi se “të pengosh njerëzit të votojnë, është krim i rëndë”. “Ky krim që nuk ka ndodhur as në vendet më të humbura, me demokraci shumë më të dobët se Shqipëria, në këtë vend nuk mund, nuk duhet e nuk do ta lejojmë të kryhet”, nënvizoi kreu i Partisë Socialiste. Por – theksoi Rama – as kemi arsye dhe as nuk është nevoja që ta bëjmë Kavajën, vendin ku ky krim të tentohet e të ndëshkohet me çdo çmim. “Nëse të ngujuarit në çadër, në dëshpërimin e tyre kërkojnë shesh për të bërë një stërvitje me përmbajtje kriminale në Kavajë, për të nxirë Shqipërinë sa të munden e për të cenuar e dëshpëruar kë të munden përpara 18 qershorit, as ne, as Shqipëria, as miqtë e partnerët tanë të pazëvendësueshëm nuk kemi pse bëhemi pjesë e kësaj stërvitjeje të shëmtuar, por kemi nevojë të zhvillojmë, pasi t’i kemi dalë çdo borxhi PD-së, ndeshjen e 18 qershorit”, u shpreh Rama.

Kryeministri i bëri sërish thirrje kreut të opozitës, Lulzim Basha, që të marrë në konsideratë ofertën e bërë prej tij, duke saktësuar se koha e mundshme për përfshirjen e Partisë Demokratike në zgjedhje skadon të dielën e ardhshme, kur nis dhe përgatitja e materialeve zgjedhore. Rama nënvizoi se për datën e zgjedhjeve më 18 qershor nuk mund të negociohet, sikundër dhe për kërkesën e opozitës për një qeveri teknike. Ai shtoi se do të presë Partinë Demokratike deri më 8 maj për të gjetur një zgjidhje.

Tërheqja e Partisë Socialiste dhe kryeministrit Rama erdhi në mënyrë të papritur, ndonëse mundësia e evitimit të garës në Kavajës ishte përfolur prej kohësh. Megjithatë vetëm dy ditë më parë, kryeministri shprehu bindjen se procesi do të vazhdojë edhe në Kavajë. “Nga shkelja e ligjit duhet të tremben ata që shkelin ligjin, jo ata që zbatojnë ligjin”, ishte shprehur Rama vetëm pak ditë më parë, lidhur me zgjedhjet në Kavajë.
Sigal