Rama takon sot 46 kryebashkiakët e ASHE, mungojnë të zgjedhurit e opozitës

504
61 kryebashkiakët e rinj të zgjedhur më 21 qershor, janë thirrur sot në një takim nga Kryeministri Rama në Kryeministri në orën 12:00. Mësohet se në këtë takim do të mungojnë të zgjedhurit e opozitës, ndërkohë që pritet të marrin pjesë vetëm 46 bashkiakët e mbështetur nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, duke përfshirë këtu dhe fituesin e Bashkisë së Finiqit të mbështetur nga MEGA.
Të djathtët, të cilët fituan 15 bashki nuk do të marrin pjesë në këtë takim. Mësohet se Kryeministri Rama do t’u dorëzojë drejtuesve të rinj të bashkive dosjen e plotë të punës së tyre, mbi të cilën do të mbështeten deri në daljen e akteve nënligjore në zbatim të reformës së re territoriale. Dosja përmban dhe manualin e përgatitur nga ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi dhe Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale, i cili udhëzon të sapozgjedhurit vendorë se çfarë do të bëjnë me detyrën e tyre për një periudhë 6¬mujore.
Në ndihmë të bashkive të reja, do të jenë dhe 12 koordinatorë në të gjitha qarqet e vendit që do të ndihmojë në funksionimin e skemës së re të ndarjes territoriale. Takimi do të zhvillohet në sallën e Hartave, ndërsa pritet që Kryeministri të mbajë një fjalë për herë të parë përpara kryebashkiakëve të rinj që prej zgjedhjes së tyre. 
Sigal