Rama takon Reynders: Zbatojmë reformat, kryesorja ajo në drejtësi!

41

TIRANE – Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim Zëvendëskryeministrin dhe njëkohësisht Ministër i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Didier Reynders.

Biseda u fokusua në perspektivën europiane të Shqipërisë, për të cilën Qeveria shqiptare mbetet tërësisht e angazhuar në përmbushjen me sukses të të gjitha detyrimeve, që procesi i integrimit kërkon.

Kryeministri Rama shprehu falenderimet për mbështetjen që Belgjika i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë në rrugën drejt BE-së dhe theksoi vullnetin e qeverisë për të shkuar përpara me zbatimin e reformave, me përparësi reformën në drejtësi.

Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht Ministër i Punëve të Jashtme Reynders, i cili e zhvillon këtë vizitë në kuadër të Kryesisë belge të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, shprehu kënaqësinë për progresin e reformave në vend dhe siguroi se Belgjika do të vijojë të përkrahë procesin e integrimit europian të Shqipërisë, në etapat që vijojnë.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë Ministri belg është takuar edhe homologun Ditmir Bushati dhe Ministren e Integrimit Klajda Gjosha.