Rama takohet në Shkodër me 200 ish -anëtarë të PD-së

541
Sigal

Në kuadër të takimeve “Të djathtët për Rilindje” Kryetari i PS-së, Edi Rama është takuar në qytetin e Shkodrës me një grup prej rreth 200 personash ish-themelues, drejtues dhe mbështetës të PD-së në këtë qark si dhe përfaqësues të shtresës së të përndjekurve politikë gjatë regjimit komunist. Duke shprehur zhgënjimin e tyre të thellë për qeverisjen 8-vjeçare të PD-së, përfaqësuesit e të djathtës kanë theksuar në fjalët e tyre se nuk janë ata që po e tradhtojnë PD-në, por është kjo e fundit dhe qeverisja e saj që ka lënë në mëshirë të fatit të djathtën dhe gjithë Shqipërinë. Është qeverisja e PD-së e cila e ka çuar vendin drejt rrënimi të plotë dhe mungesës së hapësirave për përfaqësuesit e vërtetë të së djathtës. Duke ju referuar situatës në qendrën më të madhe të veriut në Shkodër ata kanë theksuar se strukturat e shtetit në këtë qark janë privatizuar të gjitha nga Jozefina Topalli dhe Astrit Bushati. Përfaqësuesit e së djathtës kanë vlerësuar programin e PS-së për një Rilindje Shqiptare, si e vetmja mundësi për ta nxjerr vendin nga kriza dhe u kanë bërë thirrje edhe të djathtëve të tjerë që t’i bashkohen alternativës së PS-së. Kryetari i PS-së, Edi Rama, theksoi: “Hedhja e një hapi për të kapërcyer kufirin mes të djathtës dhe të majtës është emancipim shoqëror. Është kalimi nga një fazë historike kur marrëdhëniet e individit me partinë kanë qenë marrëdhënie të verbra, marrëdhënie tifozllëku, marrëdhënie të pakushtëzuara në një fazë historike kur marrëdhëniet e individit me partinë janë marrëdhëniet e një qytetari me një forcë politike që ka për detyrë t’i shërbej qytetarit dhe t’i përmbajë angazhimet e veta. Sot PD-ja është përgjegjëse për transformimin e pushtetit të popullit sovran në pushtetin e një oborri familjarësh dhe klientësh në biznes të kryeministrit. Sot PD-ja nuk ka asgjë çfarë t’ju thotë të djathtëve shqiptarë, sepse ata që u vranë, u burgosën, u persekutuan u trajtuan si qytetarë të dorës së tretë. Si mundet 20 e ca vjet më pas Shqipëria të jetë i vetmi vend postkomunist që nuk e ka zgjidhur çështjen e pronës, por përkundrazi është gjithnjë e më e vështirë zgjidhja e çështjes së pronës. Për një arsye të thjeshtë sepse forca udhëheqëse e të djathtës shqiptare është një fuqi që e tërheq të djathtën drejt humnerës bashkë me Shqipërinë. Në 23 Qershor të djathtët nuk do të bëhen socialistë, por do të votojnë Partinë Socialiste në mënyrë që t’i japin mundësi edhe PD-së që të rilindë, duke dalë në opozitë, duke u çliruar nga ky matuf komunist që e ka marrë peng, që i tregon çdo ditë Shqipërisë përralla nga ato që do të bënte botën të qeshte. Po s’ka çfarë belaje i gjen më shqiptarët dhe në 23 qershor shqiptarët do t’i heqin nga qafa ata të cilët i kanë hipur këtij vendi në kurriz dhe nuk po e lënë këtë vend të shkojë përpara.”