Rama: Synimi ynë krijimi i një administrate të fortë dhe qëndrueshme

525
Kryeministri Edi Rama deklaron se objektiv është krijimi i një administrate të qëndrueshme dhe me profesionistë. Gjatë një takimi në Kryeministri me studentë të rinj, kreu i qeverisë tha se nuk është arritur të krijohet një administratë që të shërbejë në çdo qeveri, por se kjo gjë synohet të realizohet. Sipas tij institucionet nuk janë ende në nivelin që kërkon ligji, ndaj synohet të krijohet një administratë e fortë. 
“Ka konkurse që dalin pa fitues, për shkak se konkurset janë reale dhe të vështira. Mungesa e përvojës është një faktor. Angazhimi vullnetar i të rejave dhe të rinjve ndihmon shumë gjithë ata që duan të bëhen pjesë e administratës. E nisim me 1900 persona, por synojmë që në dhjetë muaj të shkojmë në 10 000 vajza dhe djem të interesuar për ta njohur nga brenda administratën për t’u bërë pjesë e saj”, u shpreh Rama. Ai shtoi se është parashikuar edhe një seleksionim si rezultat i angazhimit të të rinjve, për të mbështetur dhe çuar më tutje nismën, ku 200 vajza dhe djem që do të dallohen dhe që do të duan, do të bëhen menjëherë pjesë e administratës publike, me konkurs, por duke pasur një avantazh më shumë.
“Është një program për vazja dhe djem të moshës 21-26 vjeç, për njerëz që kanë studiuar apo po i përfundojnë studimet dhe që u duket e pamundur të çajnë në administratën publike. Në një takim me fituesit e konkurseve, moshatarët tuaj më kanë thënë që kanë konkurruar edhe 6 herë, e në fund ia kanë dalë mbanë, pasi e kanë kuptuar përgatitjen që duhet për konkursin”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se, “Intershipi do të ketë natyrë rajonale. Nuk do të ketë vetëm studentë shqiptarë, por do të ketë shkëmbim studentësh në numër të barabartë dhe me vendet e rajonit”. “Për ata që do të dallohen, do t’u japim mundësi. Edhe nëse nuk hyjnë në administratën publike, me vete do të kenë diplomën dhe përvojën e punës në ndërmarrje të ndryshme”, deklaroi kreu i qeverisë, Rama.
Sigal

Klosi: Programi do të respektojë barazinë gjinore

Ndërsa, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi u shpreh se, aplikimet për këtë program kanë nisur që nga data 1 qershor deri në 14 qershor. “Do të përpiqemi që sa më shumë aplikantë të aplikojnë në këtë program. Dhe nga data 14- 29 qershor do të kemi periudhën e vlerësimit. Në 1 korrik do të kemi shpalljen e fituesve dhe në periudhën korrik-gusht-shtator do të jetë periudha që ju do të keni mundësitë të merrni pjesë”, iu drejtua ministri Klosi aplikuesve.
Ministri Klosi tha se, programi do të respektojë barazinë gjinore dhe mbështetjen e shtresave në nevojë. “Do të donim që këtë projekt ta thellonim edhe me pushtetin lokal. Do të shkojmë nga 1900 në 2500 pjesmarrës”, tha Klosi, duke shtuar se, “ne si ministri propozojmë që në këto 1900 aplikantë të kemi disa elementë që duhet t’i promovojmë. Të kemi barazi gjinore, me 50% vajza dhe 50% djem. Dhe 3 deri 5 % e aplikantëve duhet të jenë nga personat e shtresës me aftësi të ndryshme”.