Rama sulmon sërish gazetarët, ‘këshillë’ investitorëve: Ju pengojnë aparatin tretës

90
Pasi i sulmoi ditën e djeshme me ofendime dhe akuza, kryeministri Edi Rama nuk është ndalur as sot ne fyerje ndaj gazetarëve. Gjatë një takimi me 300 biznese të huaja në Tiranë në Konferencën e Dhomave të Tregtisë, kryeministri Edi Rama këshilloi sipërmarrësit të mos dëgjojnë gazetarët.
“Me sugjerimin që kush ka ardhur sot t’i gëzohet këtij vendi të bekuar dhe të bukur dhe me këshillën miqësore që të mos takoni gazetarë dhe të lexoni gazeta sepse ju pengojnë gjithë aparatin tretës. Ju uroj mirëseardhjen dhe ju siguroj se kush investon sot në Shqipëri nuk do pendohet nesër dhe kush nguron sot nesër do thotë si ka mundësi që ma morën radhën ca të tjerë”- tha Rama.
Kujtojmë se edhe një ditë më parë Rama ofendoi gazetarët, teksa u pyet jashtë ambienteve të Kuvendit mbi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e Saimir Tahirit.
“Ju nuk dini, lexoni, thërrisni mendjes, nuk kuptoni, jeni të paaftë, budallenj, pyetje idiote, të paditur, flas si të më dojë zemra” ishin disa nga ofendimet e Rames ndaj gazetarëve dje.