Sigal

Ish-ministrja e Integrimit, njëkohësisht edhe deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha ka reaguar në lidhje me sulmin që kryeministri Edi Rama ka bërë ndaj Presidentit Meta, pasi ky i fundit nuk pranoi kandidaturën e Gent Cakajt për ministër të Jashtëm.

Gjosha ka thënë se është turp për një kryeministër të shprehet në një gjuhë të tillë ndaj Presidentit, si dhe ndaj një zonje të nderuar të Kosovës, si Edita Tahiri.

POSTIMI:

Sa turp për një Kryeministër të shprehet me nje gjuhë të tillë si për Presidentin e Republikës, ashtu edhe për një zonjë të nderuar të Kosovës, si Edita Tahiri.

Pasi rrënoi imazhin dhe funksionalitetin e Ministrisë tonë të Jashtme me kandidatura qokash, tani përpiqet t’i kundërvihet sipas edukatës së tij gjithëkujt që respekton Shqipërinë, pavarësinë e Kosovës dhe kufijtë e saj! Çdokush që mendon se mund të përdor vendet tona për interesa të ngushta personale, është vetëm një naiv që do të ketë një fund të dhimbshëm!

Diplomacia është art i komunikimit, është mishërimi i eksperiencës dhe maturisë, dhe mbi të gjitha është besimi që qytetarët kanë te mbrojtja e interesave kombëtare! Dipllomacia nuk është numri i librave të lexuar dhe as përdorimi i individëve për larje hesapesh, e për destabilizm të një rajoni të brishtë si ky ku ne jetojmë!