Rama: Suksesi i të gjitha reformave varet nga zbatimi i reformës në drejtësi

430
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nga Vlora tha se suksesi i të gjitha reformave të ndërmarra nga qeveria varet nga zbatimi i reformës në drejtësi, në të kundërt ato rrezikohen.

Në një aktivitet për paktin i mirëqënies sociale, kreu i ekzekutivit u shpreh drejtësia duhet të çlirohet nga kthetrat e gjykatësve, prokurorëve dhe politikanëve të korruptuar.

Rama: Të gjitha këto reforma do të fillojnë të japin në cdo hap e më shumë rezultate, por janë të kërcënuara në suksesin e tyre të plotë nëse ne nuk zbatojmë reformën në drejtësi, nëse ne nuk çlirojmë drejtësinë nga kthetrat e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar dhe nënkupto këtu edhe nga kthetrat e politikanëve të korruptuar, që do të thotë që për ne është themlore që të fillojë zbatimin e reformës në drejtësi përmes vettingut, por kur them për ne nuk kam parasysh për qeverinë, nuk kam parasysh për PS, por kam parasysh popullin shqiptar. Për popullin shqiptar që meriton të ketë shtet, meriton të ketë institucione që i shërbejnë, ndërkohë që po dëshmon në mënyrë të vazhdueshme se është i gatshëm të paguajë kontributet e tij.

Një mesazh Rama kishte edhe për opozitën:
Rama: Jam i bindur se pavarësisht të gjitha vështirësive të mëdha dhe pavarësisht kësaj vështirësie që për fat të keq është një vështirësi artificiale e krijuar për çuarjen me tej të reformës në drejtësi, kjo është kohë që gjërat duhen të bëhen dhe gjerave që iu vjen koha nuk iu del dot përpara për një kohë të gjatë asnjë forcë sado e madhe që të jetë.

Duke folur për paktin e mirëqenies sociale, një projekt ky që i delegon bashkive përgjegjësinë që të ngrenë shërbime për çdo kategori në nevojë, Rama tha se skema është në rrugën e duhur. Ndërsa sipas tij shtresat në nevojë tashmë marrin shërbimet dhe shpërblimet e duhura larg klientelizmit dhe korrupsionit.
Sigal