Rama sot në Itali, takim me kryeministrin Xhentiloni

539
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Itali, ku do të pritet edhe nga homologu i tij, Paolo Xhentiloni. Pas takimit, të dy kryeministrat pritet të dalin edhe në një konferencë për shtyp. Më pas, Rama do të pritet edhe nga kreu i Senatit, Pietro Graso. Në qendër të bisedimeve të Ramës me krerët e shtetit italian pritet të jetë bashkëpunimi ekonomik, lufta ndaj krimit e trafiqeve të paligjshme, si dhe përpjekjet e Shqipërisë për të çelur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Vizita e Ramës në Itali vjen një muaj pas asaj të presidentit të Republikës, Ilir Meta. 

Ndërkohë dje, kryeministri Rama njoftoi ndryshimet që janë bërë në konsullatën shqiptare në Milano, në sajë të bashkëpunimit mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. “U ngritën sot edhe flamujt në godinën e re të Konsullatës Shqiptare të Milanos. Në vijim do të çelim të tjera stacione dinjitoze e të përbashkëta për shërbimet konsullore për shqiptarët nëpër botë”, u shpreh kryeministri, i cili ka premtuar edhe reformimin e shërbimeve konsullore, në mënyrë që ato të jenë më efikase dhe me më pak kosto. Për këtë ka nisur një program bashkëpunimi mes qeverive të Tiranës e Prishtinës, që synon edhe përfaqësim të përbashkët në disa shtete. 
Sigal