Rama: Shqiptarët votuan Rilindjen. Dhe Rilindje do të jetë!

532
Sigal


Zbardhet programi i qeverisë së re, i cili do të votohet sot në Kuvend

Zyra e Kryeministrit të mandatuar Edi Rama bëri publike për mediat programin e ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane 2013-2017′, i cili pritet që të dorëzohet sot  për votim Kuvendit të Shqipërisë. “SHQIPËRIA E GJENERATËS TJETËR” është programi i cili do të qeverisë vendin për 4 vite të ardhshme bazuar në 3 shtylla: Liri, Përgjegjësi, Solidaritet.  Programi është i detajuar në 5 kapituj, të cilët janë: Integrimi në Bashkimin Europian, Shqipëria europiane në rajon dhe në botë, shteti i së drejtës dhe demokratizimi shoqërisë, zhvillimi ekonomik dhe shërbimet publike.  “Marrja e statusit të vendit kandidat dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian do të përbëjnë përparësinë e veprimit politik të shumicës së re’, thuhet në dokumentin prej 79 faqesh. Sa i takon politikës së e Jashtme, programi i qeverisë ‘Rama’, synon ‘jo vetëm të korrigjojë gabimet e së shkuarës që kanë rrezikuar të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë, por të rrisë cilësinë dhe të përshpejtojë ritmin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, besueshmërinë në rajon dhe strukturat euro-atlantike.’ “Qeveria do të ndërmarrë masa për parandalimin e  krimit kundër jetës dhe pronës së qytetarëve, duke  i kushtuar vëmendje të veçantë rasteve të krimit  në familje, mbi baza gjinore, kundër të miturve,  të moshuarve e të gjitha shtresave shoqërisht në nevojë, hakmarrjes dhe gjakmarrjes, si dhe ndaj  konflikteve të hapura me potencial për të sjellë  pasoja kriminale. Duke përfituar edhe nga ndihma  dhe përvoja e partnerëve ndërkombëtarë, do të shënojmë rritje cilësore në luftën kundër krimit  ekonomik e veçanërisht kundër pastrimit të  parave”, thuhet në kapitullin e shtetit të së drejtës dhe demokratizimit të shoqërisë. Qeveria e re ka vullnet të palëkundur politik për  luftimin e korrupsionit si një nga plagët më të thella  të Shqipërisë që e ndan atë dukshëm nga vendet e Bashkimit Evropian. Për këtë qeveria ‘Rama’ parashikon përqendrimin në tri drejtime: parandalim, ndërgjegjësim dhe ndëshkim.  “Do të kalojnë në sitë të gjithë legjislacionin ekzistues  dhe do të propozojnë nisma ligjore për mënjanimin sa  më të madh të mundësive për t’u angazhuar në praktika  korruptive në sektorin publik dhe privat, në përputhje me  standardet e BE-së dhe instrumenteve ndërkombëtare (si  GRECO, OECD, UNCAC)”, thuhet nder te tjera ne dokument.

 Rama: Shqiptarët votuan Rilindjen. Dhe Rilindje do të jetë!

Parakapitujve të programit të qeverisë, kryeministri Edi Rama ka shkruajtur se gjatë kësaj qeverisje ai dhe skuadra e tij do punojnë me përkushtim për të jetësuar ndryshimin që Shqipëria e kërkoi më 23 qershor, siç tha ai. Jam krenar për besimin që një shumicë e pazakonshme zgjedhësish investuan tek ne, Aleanca për Shqipërinë Evropiane. Njësoj siç luftuam të bashkuar për ta fituar këtë besim të madh, do të luftojmë më tutje, me ende më shumë përkushtim ndaj vendit dhe njerëzve, për të jetësuar ndryshimin që Shqipëria e kërkoi më 23 Qershor, me forcën e një vote plebishitare të ngjashme vetëm me atë të vitit 1992. Vullneti popullor i shprehur me atë forcë e rilindi demokratikisht këtë vend përmes zgjedhjesh më në fund të lira e të përshëndetura botërisht dhe na e dha ne socialistëve e progresistëve, privilegjin e lartë të drejtimit të punëve të Shqipërisë. Ne e marrim këtë detyrë me mirënjohjen e thellë që buron prej një privilegji kaq të posaçëm, dhe me të gjithë përuljen që dikton besimi i ardhur nga gjykimi i popullit Sovran. Jemi krenarë për fushatën plot dritë, ngjyra, energji pozitive që zhvilluam si një koalicion për të ardhmen, duke ringjallur shpresën dhe zgjeruar pjesëmarrjen aktive të njerëzve shumë përtej kufijve të partive politike”, shprehet Rama. Ai shton se: “Me diskutimin dhe miratimin e këtij programi në Kuvend, nis përballja e përditshme me realitetin e vështirë të një Shqipërie të lënduar thellë në trup, zemër e mendje, nga një rrënim i gjithanshëm”. “Liri e njerëzve dhe e konkurrencës pa asnjë diskriminim e kufizim politik, në funksion të meritës; Përgjegjësi e gjithkujt përpara vendit e ligjit, në funksion të një shoqërie ku të drejtat e secilit nuk ndahen nga detyrimet ndaj komunitetit;Solidaritet me më të dobëtit, në funksion të një bashkëjetese ku barazia e mundësive s’mund të mjaftojë pa drejtësinë sociale”. Këto sipas Ramës, janë vlerat që do të ndriçojnë rrugën e Aleancës për Shqipërinë Evropiane, në çdo vendim dhe veprim për përmbushjen e këtij programi. Të Rilindim Shqipërinë, të ecim drejt Shqipërisë së një gjenerate tjetër, ky sipas Ramës është vizioni i këtij programi. “Vizioni ynë është Një Rilindje Shqiptare. Misioni ynë është të ecim më shpejt për të ndërtuar Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër. Funksioni ynë është mirëqeverisja për të përmbushur zotimet tona duke vënë në jetë, me kurajo e vendosmëri politika të reja dhe duke i dhënë jetë, një kulture të re të ushtrimit të pushtetit. Bindja jonë është e thjeshtë: Shqipëria meriton më shumë. Qëllimi ynë është i qartë: Të qeverisim siç e meriton Shqipëria. T’u japim shqiptarëve një pamje të prekshme të Shqipërisë Evropiane që ëndërrojnë dhe meritojnë. Ta bëjmë Shqipërinë model frymëzues jo vetëm të paqes, po edhe të zhvillimit në rajon. Ne i sjellim Kuvendit të Shqipërisë këtë program qeverisës, të plotvetëdijshëm se ku duam të shkojmë; me vullnetin për të ndarë me njerëzit e këtij vendi çdo të vërtetë, sado të hidhur; me gatishmërinë për të marrë për këtë vend gjithë vendimet e nevojshme, sado të vështira; me vendosmërinë për t’u rënë ndesh pushteteve apo pozicioneve të privilegjuara që janë krijuar përmes padrejtësive qeveritare, duke deformuar ekonominë tonë, sado të konsoliduara; me frymën e ndërtimit të urave të bashkëpunimit me këdo që ndan me ne jo çdo ide ose bindje, po së paku vetëdijen se Shqipëria është atdheu, kurse Evropa është e ardhmja jonë. Unë besoj fort se me këtë vetëdije, shqiptarët votuan Rilindjen. Dhe Rilindje do të jetë!”, përfundon Rama.