Rama: Shqipëria tregoi listën e floririt, por nuk dorëzoi asnjë hebre te nazistët. Bashkëpunim me Njetanjahun

572
Rama: Shqipëria tregoi listën e floririt, por asnjë hebre
Kryeministri Edi Rama, i ndodhur dje në Konferencën e Komitetit izraelit-amerikan të Çështjeve Publike, ka diskutuar në lidhje me marrëdhënien mes dy vendeve, ndërsa tha se Shqipëria është në vend të parë kundër ekstremizmit të dhunshëm. “Unë besoj se Shqipëria përfaqëson, se si një vend ku myslimanët dhe të krishterët bashkëjetojnë shumë mirë”, tha Edi Rama. I pyetur për miqësinë që ka Shqipëria me Izraelin, kryeministri u shpreh se për herë të parë këtë verë do të këtë udhëtim të drejtpërdrejtë më avion nga Shqipëria për në Izrael. Gjithashtu një nga pyetjet për Ramën ishte edhe për mbrojtjen që u kanë bërë Shqiptarët hebrenjve, ku tha se ndihet krenar, për atë që ka bërë populli ynë. “Shqipëria tregoi listën e floririt, po asnjë hebre”, deklaroi Rama, kur u pyet se si ka mundësi që askush nuk dorëzoi asnjë hebre tek nazistët. Rama solli shembullin e mbrojtjes së hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore për të ftuar izraelitët që të vizitojnë Shqipërinë, ndërsa tha se synohet të ndërtohet në Tiranë një qendër kulturore për miqësinë mes dy vendeve. “Duam të ndërtojmë një qendër kulturore për miqësinë shqiptaro-izraelite në zemër të Tiranës. Duam që kjo qendër të tregojë historinë e marrëdhënieve tona”, thotë kryeministri. Ai u shpreh gjithashtu se ka marrë premtimin nga homologu izraelit, Benjamin Netanjahu, për të shndërruar qendrën aktuale të hapur në Tiranë kundër ekstremizmit të dhunshëm, në një pikë referimi rajonale. Në fjalën e Edi Ramës, të paktën nga ajo që vetë kreu i Qeverisë ka postuar në rrjetet sociale, vota e Shqipërisë kundër Jerusalemit kryeqytet të Izraelit në OKB nuk është diskutuar.
Sigal