Rama shpall Keti Bazhdarin kandidaten e së Majtës për Bashkinë e Shkodrës

407
Data 1 prill nuk solli listën e së Majtës për 61 kryebashkiakët për zgjedhjet e 21 qershorit 2015, por kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së djeshme në Shkodër ka publikuar edhe emrin e kandidates të se Majtës për Bashkinë e Shkodrës
Keti Bazhdani
Bashkia e Shkodrës ka qënë, tradicionalisht një bastion politik i PD-së. Mirëpo e Majta, si maxhorancë, kësaj here i ka kushtuar rëndësi të veçantë përzgjedhjes së kandidaturës për kryebashkiakun e Shkodrës. Kjo ka edhe një arësye më shumë, sidomos pas ngjarjeve që ndodhën me deputetin Doshi. Kryeministri Rama deklaroi nga Shkodra se ish-kryetarja e degës së PS-së, Keti Bazhdari, është kandidatura më e mirë për të fituar bashkinë, duke e konfirmuar kështu në garën për bashkinë e Shkodrës. Sipas Ramës, ajo ka mbështetjen e të gjithë koalicionit të Majtë. Ilir Meta ka deklaruar që çdo kandidaturë e së Majtës, do të jetë një marrëveshje e përbashkët dhe do të ketë përkrahjen e të të gjithëve, ndaj edhe për kandidaturën e Bazhdarit, Meta ka dhënë miratimin e tij. Bazhdari, e cila vjen nga një familje e persekutuar, drejton grupin e punës për çështjet e ish-të përndjekurve në PS. 
Rama shpall edhe kandidatët për bashkitë e tjera të Qarkut të Shkodrës
Gjithashtu, Rama ka prezantuar si kandidaturë të PS-së në Malësinë e Madhe, Tonin Marinën, Gjok Lleshin në Vaun e Dejës dhe Fran Uçin në Fushë-Arrëz. Kryeministri ka folur edhe për deputetin e zonës, Tom Doshin, në arrest shtëpie. “Nuk kishte si të mos përjashtohej nga PS-ja, tha ai, ishte e pashmangshme, kur ushtronte presione ndaj ministrave dhe drejtorëve të institucioneve.” 
Petrit Vasili: LSI mbështet Keti Bazhdarin për fitoren e Bashkisë së Shkodrës
Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili përshëndet kandidaturën e znj. Keti Bazhdari për Bashkinë e Shkodër. Në një prononcim për mediat, z. Vasili vlerëson figurën e znj. Bazhdari si një kandidate e shkëlqyer e aleancës së majtë në zgjedhjet e 21 qershorit. “LSI-ja përshëndet konfirmimin e znj. Keti Bazhdari për Bashkinë e Shkodrës. Ne vlerësojmë se Keti Bazhdari është një kandidate e shkëlqyer”, thekson z. Vasili. Në vijim të fjalës së tij, Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së shprehet se Shkodra meriton ndryshimin në zgjedhjet vendore dhe se LSI do të mbështesë kandidaten Keti Bazhdari për fitoren e Bashkisë së Shkodrës në zgjedhjet që do të zhvillohen në qershor. “LSI-ja mbështet Keti Bazhdarin për fitoren e Bashkisë së Shkodrës. Ky qytet e meriton ndryshimin”, tha z. Vasili, Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së.
Profili i KETI BAZHDARI
Keti Bazhdari ka lindur me 28 prill 1980 në qytetin e Shkodrës. Ajo ka studiuar Financë-Kontabilitet në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër. Ndërsa ka kryer masterin për Administrim Publik dhe Politika Publike. Keti Bazhdari është filantrope dhe politikane. Ajo drejton një prej fabrikave më të mëdha të biznesit fason në vend dhe ka një cv mjaft aktive në projekte sidomos sociale. E fundit është fondacioni Aleanca Civile drejt Integrimit, apo “Cati Foundation”. Bazhdari vjen nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist. Babai i saj është arrestuar në vitin 1956 si mbështetës i Revolucionit Hungarez të Imre Nagit. Gjatë vitit 2010 Bazhdari u zgjodh në krye të PS-së dega Shkodër. Gjatë vitit 2012 ajo dha dorëheqjen nga ky post për të marrë drejtimin e grupit të ngritur nga PS-ja për hartimin e programit për ish-të përndjekurit politikë.
Sigal