Rama shkatërroi vendin duke kapur drejtësinë

34
Ja dokumenti i LSI-së për padinë ndaj Kryeministrit shqiptar
Lëvizja Socialiste për Integrim ka paditur kryeministrin e vendit Edi Rama në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për konsumimin e të paktën 3 veprave penale. Padia i përket fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit, kur Kryeministri Rama bëri thirrje që Policia e Shtetit t’i bashkohej aksionit masiv për vota në favor të PS-së. LSI kishte depozituar një padi më parë në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj Kryeministrit, e cila është mbyllur me argumentin se Kryeministri ka kërkuar falje. “Ne kemi ridepozituar padinë ndaj shtetasit Edi Rama, kryeministër në detyrë, lidhur me shkeljen flagrante të ligjit, të padëgjuar në 25 vjet, ku ai i bëri thirrje publikisht Policisë të braktiste detyrën, por të bënte vota për Partinë Socialiste. Duke tronditur rendin publik, sigurinë dhe duke rrënuar zgjedhjet e duke bërë njësh policinë me krimin. Policinë e udhëhequr nga ata që ishin e nuk janë më, qoftë në drejtimin e policisë apo në drejtim politik të Ministrisë së Brendshme”, thekson LSI. Mësohet se kjo padi është ridepozituar, pasi prokuroria për të mbyllur çështjen i referohet deklaratës së kryeministrit, dhe faljes që ai kërkoi në Facebook. LSI këtë rast e ka krahasuar me një hajdut, i cili mundet që të vjedhë një pronë e më pas të kërkojë ndjesë në Facebook në Twitter apo çfarë rrjeti social të disponojë dhe për pasojë të mos dënohet. “Kurse ky që shkatërroi zgjedhjet e Shqipërisë, shkatërroi themelet e demokracisë, ky nuk mund të shkojë në burg, sepse kërkon falje në Facebook! Dhe këtë falje ia njeh prokuroria, thotë se mjafton falja e tij në Facebook për të bërë gjithçka”, theksohet në deklaratën e LSI. “Këtë lloj drejtësie ne e refuzojmë dhe le ta mbajnë ata që e duan. Prandaj opozita ka kërkuar largimin e kryetarit të Kuvendit, Ruçi. Besoj që një kërkesë legjitime, pasi prej kohësh kryetari i Kuvendit nuk ushtron më këto funksione, pasi ai sot ka një kryetar Kuvendi plotësues, atë de fakto, të vërtetin që është Taulant Balla. Tani nga kjo rrethanë, kryetar plotësues, se ne e dimë që duke ikur Gramoz Ruçi, PS do zgjedhë atë që do, por le ta zgjedhë, e ka gati. Ka kohë që e bën këtë detyrë Taulant Balla. E ka bërë mirë dhe me përkushtim. Ka justifikuar të gjitha pacipësitë që bëhen në sallën e parlamentit, të gjitha paligjshmëritë, të gjitha rrënimet e procesit ligjor, në emër të “integrimit evropian” që nuk mund të ndodhë, kur në Kuvendin e Shqipërisë hyn garda me dhunë dhe rrëmben deputetët. Ndaj ne jemi këtu që ta mbështesim këtë dorëheqje, pasi ashtu siç thashë ky kryetar plotësues, ky pionier i zellshëm, edhe qesharak sigurisht, se në këtë dimension është i pashembullt, ta kryejë si duhet de jure dhe të mos ta vërë më në atë pozicion qesharak që po e vë kryetarin e Kuvendit, i cili pa folur fjalën e parë merr përkthimet përkatëse të partisë nga ana e Taulantit dhe korrigjimin për gabimet që mund të bëjë në mënyrë sistematike. Ndaj në mënyrë të prerë qëndrimi ynë është në mbështetja të plotë të Reformës në Drejtësi. Kemi kërkuar dhe mbështesim hapjen e negociatave me BE. Dhe njëkohësisht kemi mbështetur dhe do të mbështesim të gjithë reagimin e fortë qytetar, i cili kulmon në 27 janar, por nuk është i vetmi, sepse dhe ky që ne bëjmë së bashku është një komunikim i gjerë me qytetarët”, është shprehur LSI në deklaratën e saj.