Rama: S’do ndjehet heqja e fashës, do rrisim pensionet

440
Sigal

Kryeministri Edi Rama u sqaroi pensionistëve dhe personave me aftësi të kufizuar se si ata do mbrohen përballë kësaj rritjeje të çmimit të energjisë .”Ne jemi të detyruar të përballemi me problemin. Por nga ana tjetër jemi të detyruar të mos përsërisim fajin ndaj të gjithë njerëzve në nevojë, duke u thënë ne do t’ju mbrojmë juve paratë janë aty dhe do rimbursoheni dhe duke ju lënë praktikisht në rrugë. Ne po përgatitemi që të rrisim pensionet e gjithë pensionistëve kryefamiljarë, që konsiderohen shtresa më e dobët nga heqja e fashës, dhe të rrisim pagën e ndihmës ekonomike dhe të rrisim pagën e mbështetjes që marrin të gjithë personat me aftësi të kufizuar. Flasim për 200 mije familje. Do jetë një reformë që do garantojë mbarëvajtjen e jetës ekonomike dhe sociale të vendit në vitet në vijim dhe do garantojë që më në fund ky vend të lajë njollën e madhe të turpit si i vetmi vend që jeton duke vjedhur energjinë dhe duke i hapur vetes gropën që në vend se të ndërtojë 150 shkolla të reja në vit i hedh paratë në gropë, ja vjedh vetes. Ka shumë spekulime për operacionin që ka nisur.

Varfëria nuk justifikon vjedhjen e energjisë, dëmi nga të kamurit

Asnjë lloj vjedhje nuk mund të justifikohet. Arsyeja pse Shqipëria sot është në këto kushte nuk janë as pensionistët as personat me aftësi të kufizuar, sepse nuk janë këto hajdutët e energjisë elektrike që e kanë sjellë deri këtu këtë situate. Sigurisht duke përfituar nga verbëria e politikanëve dhe politikbërësve që kanë pasur detyrimin ta qeverisin këtë vend me përgjegjësi kombëtare apo të administrojnë këtë sektor duke mos lejuar që sëmundja të përhapet deri në kërcënim për të asfiksuar të gjithë organizmin tonë social.

Fasha 300 kw, mburojë për hajdutët, jo shtresat në nevojë

Ka pasur në vazhdimësi një pretendim me demek se shtresat në nevojë kanë qenë të mbrojtura. Mjetet mbrojtëse mund të jenë të përcaktuar në buxhet, në letër por katër herë rresht në këto 20 vite kanë dështuar sepse kanë qenë të lidhura me një sërë hallkash të pamundura për tu kapërcyer njëra pas tjetrës nga njerëzit që janë vënë para detyrimit për të paguar çfarë nuk e kanë paguar dot dhe nga ana tjetër e kanë pasur të pamundur të rimbursohen për atë që do duhet të paguanin. Ne kemi një problem të trashëguar që lidhet me ju, njerëzit në nevojë, fasha e famshme e 300 kw, e cila është vendosur aty për t’u mbrojtur ju, por është kthyer në mburojë për ata që e vjedhin energjinë, duke bërë gjithfarëlloj manipulimesh.

Operacioni s’është në kurriz të fukarenjve, askush s’do kursejë nga buka për energjinë

Ne jemi të vendosur të heqim fashën. Kemi pasur dy alternativa, të rrisim çmimin uniform për të gjithë ose të heqim fashën. Alternativa e parë ka qenë e padëshiruar, sepse ishte një alternativë shumë e dhimbshme dhe jo domosdoshmërisht e suksesshme. Alternativa e dytë është një alternativë e dëshiruar për ne, sepse i jep fund një farse të gjatë që është luajtur me idenë që pas meje të bëhet kiameti. 300 kw që u vu si pjesë e farsës nuk funksionon dot më. Jemi të detyruar të përballemi me problemin. Po kështu jemi të detyruar të mos përsërisim fajin ndaj jush, duke ju thënë se do ju mbrojmë juve, paratë janë aty, ju do rimbursoheni dhe duke ju lënë në rrugë. Çdo njëri pjesëtar për 200 mijë familjet. Kjo shifër tregon se ky operacion nuk është në kurriz të fukarenjve. Ka shumë spekulim dhe abuzim me operacionin që ka filluar. Jam i habitur që kaq shumë njerëz kërkojnë të justifikojnë vjedhjen e energjisë me varfërinë dhe pamundësinë. Po të shikojmë nga na vinë humbjet, nuk na vinë nga pensionistët kryefamiljarë, janë pagatorët më të rregullt. Na vinë nga bizneset dhe shumë të kamur që fshihen pas fashës. Shumë shpejt do të jetë fakt konkret në xhepat pensioni i pensionistëve kryefamiljarë, paga për ata që marrin ndihmë ekonomike dhe ndihma e paaftësisë, do të rriten. Asnjëri nuk do ndjejë heqjen e fashës, asnjëri nuk do duhet të kursejë nga buka e gojës për të paguar energjinë elektrike.