Rama: “Saliut i rëndojnë mëkatet e korrupsionit”

483
Sigal

Kryetari i PS-së prezanton kandidatët në Qarkun e Lezhës, duke akuzuar Kryeministrin për keqqeverisje

Partia Socialiste i përmbylli në Lezhë takimet elektorale të ditës së djeshme,. Teksa prezantoi kandidatët e skuadrës së Rilindjes, kreu i PS-së, Rama u shpreh i bindur se lezhjanët më 23 Qershor do votojnë syhapur dhe për veten e tyre. Rama premtoi se ai ka përgjegjësi të shumëfishtë, për t’i dalë për zot çdo zotimi që ka bërë. “Era e Rilindjes paska fryrë aq fort sa e paska mbushur jo vetëm sheshin, por gjithë hapësirat boshe mes pallateve në Lezhë, me njerëz të gatshëm për t’u bërë pjesë e Rilindjes. Unë përulem para jush sepse as në ëndrrën më të bukur nuk do e kisha parë këtë shesh të tejmbushur. Sot Lezha falë jush po i jep gjithë Shqipërisë një mesazh të rëndësishëm se ka vendosur të mos votojë më sy mbyllur për partinë por sy hapur për rilindjen, për të hapur rrugën për vetveten”, tha ai. Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit Berisha, se në Lezhë do marrë 5 mandate, kryesocialisti e ironizoi, teksa tha se ai e ka humbur edhe mandatin e 4-t. “Kur vjen këtu katragjyshi thotë se do marrë mandatin e 5-të, por sot duket si iku i katërti, se ai është shumë i lodhur. E keni dëgjuar kur thotë jam i lodhur por për popullin, po mirë pse populli nuk ka ujë për të pirë, pse populli nuk ka ujë për të vaditur tokën e bukës, pse populli në veri përmbytet sa herë bie shi. Saliu është i lodhur sepse është rënduar shumë nga zullumet e pushtetit, nuk rri dot më në qafën e popullit. Përveç zullumeve duhet të mbajë dhe antiplumbin që e lodh edhe më shumë, jo vetëm nga pesha e hekurave por edhe nga pesha e mëkateve”, -u shpreh Rama. Duke akuzuar më tej kreun e qeverisë, Rama tha se, “8 vite më parë nxirrte duart përpara jush dhe thoshte shikojini i kam të pastra, më votoni mua. Tani i ka të zhytura në zullumin e korrupsionit që e ka rrënuar Shqipërinë. Në vijat e duarve të tij mund të lexosh rrugën e tragjedive të këtij vendi, nga Gërdeci tek 21 janari, nga përmbytjet pafund tek listat e ushqimoreve. 4 vite më parë thoshte na jepni votën se bota na beson. Po sot kush i beson? Keni parë më botën t’ja hedhi sytë këtyre? Sot katragjyshit nuk i beson më asnjë demokrat i zakonshëm i këtij vendi, neve na beson Shqipëria dhe bota. E keni dëgjuar gati sa nuk qan këto ditë, aman lodhem për ju, jam mjek, jam human, ma jepni edhe ketë herë votën, po si mund t’ja japin më votën shqiptarët, hera e parë 4, hera e dytë 44, kujtoni 44 dhe votoni 29”, vijoi Rama. Të gjitha ata që sot janë të papunë tha më tej Kryesocialisti, duhet të votojnë për PS më 23 Qershor për të pushuar nga puna kryeministrin Berisha. “Duart e të papunëve duhet të pushojnë katragjyshin e lodhur me antiplumb nga puna, që Shqipëria të fillojë rrugën e punësimit. Në 23 Qershor të gjitha dyert e atyre që janë papunë duhet të shkojnë tek numri 29 për ta bërë shërbimin shëndetësor falas”,- tha Rama ndër të tjera.

Kur e keqja e kap për fyti një popull, faji është i të mirëve që rrinë duarkryq

Edi Rama gjatë një takimi elektoral në qytetin e Laçit, deklaroi se laçianët para dy vitesh larguan hijen e pushteti të Partisë Demokratike, që për 20 vite rrënoi qytetin. “Nuk kam fjalë kjo këtu në Laç, është një pamje e paparë. Ju e keni nisur këtë rrugë, 2 vjet më parë, 2 vjet më parë ju vendosët, ta largoni nga Laçi, hijen e katragjyshit dhe vendosët që në vend të katragjyshit të zgjidhni një djalin tuaj, shokun dhe vëllain tuaj. Artur Bardhi, i cili sot si kryetari i Bashkisë na bën të gjithëve krenar. Ju e keni shijuar frytin e ndryshimit, ju e dini se çfarë ndryshimi madh është kur ikën katragjyshi dhe kur gjenerata e re merr në dorë fatet e komunitetit. Ju e keni çliruar qytetin me largimin e asaj çete se kudo ku shkel, ndalon dhe rri rrënon.  Rama premtoi se, Partia Socialiste në 4 vitet që vijnë do të bëjë për rrethin e Kurbinit atë që partia Demokratike nuk bëri për 20 vite me radhë, teksa i ka bërë thirrje jo vetëm socialistëve, por dhe demokratëve të votojnë për “Rilindjen” qyteti dhe gjithë Shqipërisë.

KONGRESMENI AMERIKAN DANA ROHRABACHER: “AMERIKA, MIRËNJOHËSE SHQIPËRISË SI ALEAT I PALËKUNDUR”

Kongresmeni amerikan Dana Rohrabacher ka mbajtur ditën e djeshme në kongresin amerikan një fjalim mbi Shqipërinë. ” Njëzetë vjet më parë, Shqipëria ishte duke u përpjekur për të lënë pas vitet e shtypjes dhe varësisë; një periudhë kur ishte një klon i Koresë së Veriut. Tani, Shqipëria është një demokraci me përfaqësues të zgjedhur, që angazhohen në debate të hapura në një shoqëri civile të fuqishme. Shqipëria është një anëtare e NATO-s që vazhdon të kontribuoj me trupa në Forcën Ndërkombëtare të Sigurisë në Afganistan, dhe mori pjesë në lirimin e Irakut, të drejtuar nga SHBA. Tani ajo aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në kontrast me diktaturën ateiste që la pas, sot kishat dhe xhamit shqiptare janë plotë. Në mënyrë të ngjashme, ekonomia  marksiste është zëvendësuar me një ekonomi tregu në zgjerim. Amerika mund te jetë veçanërisht mirënjohëse qeverisë së Shqipërisë dhe kryeministrit shqiptar Sali Berisha, i cili ka qenë një aleat i palëkundur i kombit tonë. Kohët e fundit kur SHBA kishte nevojë për vende të gatshëm për t’u ofruar azil anëtarëve të MEK, të bllokuar në Irak, Kryeministri Berisha ra dakord për të pranuar 210 anëtar të atij grupi – shumë më tepër se çfarë ishte i gatshëm të merrte çdo vend tjetër. Ajo ishte një shenjë e besimit të mirë dhe miqësisë që ata njerëz nuk do ta harrojnë shpejt. Kryeministrit Berisha iu desh kurajoja e vërtetë për të bërë këtë ofertë bujare. Në këto kohë të pasigurta, është e rëndësishme të dimë cilët janë miqtë tanë. Kryeministër Berisha faleminderit që jeni një mik besnik i Amerikës”, – tha Kongresmeni amerikan Dana Rohrabacher në fjalën e tij të mbajtur në Kongresin Amerikan.

ILIR META :  LSI-JA SYNON RISTRUKTURIMIN E EKONOMISË DHE RRITJEN E PUNËSIMIT

Ilir Meta, i shoqëruar nga kandidatët për deputetë të LSI-së në Durrës, ka zhvilluar takime me qytetarët në këtë qark. Fillimisht z. Meta u ndal në një bashkëbisedim me banorët në zonën e Vollgës. Më pas ai mori pjesë në një takim entuziast me qindra banorë, takim i organizuar në sheshin para stadiumit “Niko Dovana”. Në komunikimin e tij me qytetarët durrsakë Lideri i LSI-së deklaroi se, për LSI-në 23 Qershori është shumë i rëndësishëm sepse fitorja duhet të jetë sa më solide pasi sipas tij vetëm kështu do të mund të bëhen reforma sa më solide për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Durrësit, të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi se LSI ka treguar se është një forcë për stabilitetin e vendit, ka treguar se është një forcë për integrimin e vendit. Z. Meta tha se, LSI ka programin më të qartë sepse programi i saj synon ristrukturimin e ekonomisë që ekonomia të rritet, duke identifikuar qartë burimet e kësaj rritjeje ekonomike, në mënyrë të veçantë rritjen e prodhimit vendas që të ulen importet dhe të rriten eksportet dhe të garantohen vende pune të qëndrueshme dhe afatgjatë.

DEKLARATË PËR SHTYP E DEPUTETIT TË PS-SË, QARKU VLORË, Z.FATMIR TOÇI

Na ndajnë vetëm 9 ditë nga koha kur shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit për të vendosur për fatin e tyre dhe për fatet e këtij vendi. Padyshim, jemi në fazën përmbyllëse të fushatës zgjedhore dhe unë dua të them para jush sot se po ndeshemi me fenomene dhe probleme të cilat po i  japin një ngjyrë të veçantë kësaj fushate. Po shohim se në të gjithë Vlorën, sidomos ne zonat rurale, ka një lukuni kandidatësh e sekserësh të tyre, parti familjare, parti fisesh, deputetë apo kandidatë të varur e të pavarur, te cilët po shkojnë familje më familje me premtime që dalin jashtë moralit të një fushate të ndershme, jashtë kufijve të përcaktuar qartazi edhe nga Kodi Zgjedhor. Premtimet e tyre nuk ndalin vetëm te pakot me ushqime dhe zarfet me lekë, por shkojnë deri te shënimet në fletë të bardha me laps në dorë. Ndalojnë njerëz rrugës duke thënë: “Ku do të punosh ti nesër? Ne jemi të sigurt, do marrim kaq apo aq deputetë.” Apo duke thënë madje se fati i parlamentit shqiptar varet nga fati këtij apo atij.