Rama: Rekomandimi, rezultat i modernizimit të Policisë së Shtetit dhe luftës kundër kanabisit, PD dështoi

439
Sigal

Kryeministri Edi Rama, duke marrë fjalën në seancë plenare, ka deklaruar se, qëndrimi i opozitës nuk e mjegulloi dot rekomandimin e KE për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Në fjalën e tij, Rama është shprehur se kushti, sipas tij absurd, i vendosur nga opozita për hapjen e negociatave ishte vetëm një përpjekje e dështuar. 

“KE ka rekomanduar hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, që 3 vjet më parë dukeshin mision i pamundur. Kushti i vetëm lidhet me këta, sepse ligjin e vetting-ut e kanë bllokuar këta. E kanë çuar këta në Gjykatën Kushtetuese, sepse po rropaten ditë e natë për të marrë masat që sido që të vijë puna, edhe pasi Venecia të shprehet, sërish ta rrëzojnë”, ka thënë Rama. 

Ai është shprehur i gatshëm që vetting-u të trajtohet si një “kusht i përbashkët”, edhe pse ASHE është 100 për qind në mbështetje të ligjit dhe nisjes së zbatimit të tij. 

Duke iu referuar raportit, Rama i është përgjigjur akuzave të bëra në adresë të tij lidhur me korrupsionin, kanabisin dhe krimin e organizuar. 

“Në luftën kundër korrupsionit, KE vlerëson se është bërë progres i vazhdueshëm. Tek lufta ndaj krimit të organizuar dhe kultivimit të kanabisit, KE vlerëson, me të zezë mbi të bardhë, modernizimin e Policisë së Shtetit dhe luftën kundër kanabisit”, ka theksuar Rama. 

Gjithashtu, ka shtuar ai, politika e jashtme dhe roli i Shqipërisë në rajon kanë një vlerësim maksimal. 

Në fund Rama i është përgjigjur edhe qëndrimeve të opozitës ndaj deklaratës së tij për Donald Trump kur ky i fundit ishte ende kandidat. Kryeministri i ka cilësuar deputetët e opozitës si personazhe tragjikë, patetikë e provincialë. 

“Unë flas për një kandidat duke shprehur kundërshti për deklaratat e tij për Kosovën, myslimanët dhe emigrantët. U jam kundërvënë atyre fjalëve dje me bindje dhe me shumë bindje sot dëshiroj suksesin e presidentit të ri të SHBA”, ka thënë Rama.