Rama: Reforma në drejtësi është një proces i pakthyeshëm

636
Në pritjen e fundvitit me ambasadorët e akredituar në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka ftuar dhe një herë opozitën për uljen në bisedime. Duke nënvizuar se reformat po ecin me ritëm të lartë për shkak se shqiptarët dëshirojnë integrimin në BE Rama nënvizon se tashmë reformat janë të pakthyeshme dhe pse janë humbur disa muaj. “Zbatimi i kësaj reforme është një proces i pakthyeshëm. Humbëm disa muaj për të nisur procesin e vetingut, por varet si e shikon”, tha Rama. Ai e cilësoi integrimin si prioritet, ndaj dhe ftoi sërish për një pakt politik, pasi sipas tij marrëveshja e parë i dha rezultatet për vendin. “As jam lodhur dhe as do lodhem ripërsërituri shprehjen e këtij vullneti përmes ftesave konkrete, edhe më tej në ditët e mbetura të vitit, edhe në vitin e ardhshëm dhe deri kur të kem këtë detyrë për opozitën për të gjithë ata që janë njësoj si unë dhe si ne të interesuar që Shqipëria të bëhet sa më parë pjesë e BE”, u shpreh kryeministri. Po ashtu ai nënvizoi se Shqipëria meriton aq sa dhe vendet e tjera të rajonit. Madje kryeministri shqiptar ka kërkuar që dhe Kosova nuk duhet të mbetet pas. “Jemi të bindur jo me opinion por me fakte se ne meritojmë po aq sa Serbia dhe Mali i Zi që të paktën të negociojmë anëtarësimin”, tha Rama. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, theksoi efektin pozitiv që kanë dhënë bisedimet mes Shqipërisë dhe Greqisë. “Jo më pak i rëndësishëm është angazhimi ynë për të zgjidhur çështjet pezull me Greqinë, që është përkthyer në një moment të ri të dialogut dypalësh”, tha Bushati.
Sigal