Rama : Qeveria nuk do shkëputet nga populli, zëri i tyre do dëgjohet, duhet durim

532
Kryeministri Edi Rama në një dëgjesë me banorët e Vlorës, deklaroi se nuk do të lejohet që qeveria e re të shkëputet nga populli që i dha votën. Ai tha se qeveria do e mbajë lidhur me popullin përmes një koalicioni të madh me njerëzit e zakonshëm të të gjitha shtresave dhe niveleve, të cilët kanë të drejtë të shprehin shqetësimet e tyre.“Do t’i japim çdo zyre dinjitetin e merituar nga njerëzit”, u shpreh Rama në dëgjesën e djeshme me qytetarët e Vlorës. Ai shtoi se, është një luftë që bëhet nëse çdo njeriu të zakonshëm i jepet aksesi përmes platformës, ta çojë zërin deri tek ministri menjëherë dhe jo t’i nxihet jeta me muaj e vite derisa të shohë një ministër rrugës. Në vijim ai ironizoi Vangjel Dulen dhe Nard Ndokën, duke u thënë qytetarëve se “Futet në koalicion Vangjel Dulja me Nard Ndokën. E çfarë kanë ata më shumë se ju? Futen në koalicione dhe bëhen ministra. Pse mos të futeni ju në koalicion?”. Më tej duke bashkëbiseduar me qytetarët tha problematikat që dëgjoi, lidhen me pushtetin vendor.“Gjëja që ne duhet të bëjmë dhe do ta bëjmë patjetër si Vlorë është që duhet t’i japim zyrave një dinjitet të merituar nga njerëzit që paguajnë taksa”, tha ai. Ai tha se nuk mund të bëjë si me shkop magjik atë që nuk u bë në çerek shekulli, dhe u kërkoi atyre durim, edhe pse, siç u shpreh Rama, vlonjatët nuk e njohin fjalën durim ndaj asnjë vlonjatë nuk ka këtë emër. “Unë e di që fjala durim në Vlorë është një fjalë e huaj prandaj nuk ka në Vlorë vlonjat me emrin Durim. Ne duhet të jemi bashkë unë e kuptoj që durimi i është sosur edhe më të duruarve edhe tironsave. Por ne nuk mund të na kërkohet bagazhi i të gjithë asaj që nuk u bë për çerek shekulli se nuk kemi shkop magjik. Këtu nuk është fjala ikën ca parti nga tepsia dhe tani do e marrim ne tepsinë dhe do i zëvendësojmë me tanët, nuk funksionon kështu. Nuk na duhen pseudo partizanë që futen atje dhe i nxijnë jetën miletit”, tha Rama.
Sigal