Rama: Qëndrimi i Izraelit ndaj Kosovës, lidhet me kompleksitetin e situatës Izrael-Palestinë

417
Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për mediat e Tel Avivit, deklaroi se “Qëndrimi i Izraelit ndaj çështjes së Kosovës, nuk lidhet drejtpërdrejtë me Kosovën, por me kompleksitetin e një situate që nga krijimi i shtetit të Izraelit në raport me Palestinën”. Ai shprehu besimin që kjo është një çështje që do të shkojë paralel edhe më çështjen që lidh votën e Izraelit me njohjen e shtetit të Kosovës. Më tej në këtë intervistë, Rama vlerësoi “Deklaratën e Miqësisë” së nënshkruar dje mes dy vendeve si shprehje kuptimplotë e këtij fakti, por edhe një gur i rëndësishëm në murin e miqësisë së rigjetur pas një ndërprerje të gjatë nga diktatura dhe ideologjia e diktaturës komuniste në marrëdhëniet me Izraelin, jo vetëm sa i takon luftës kundër terrorizmit por edhe sa i përket një sërë fushash të tjera.

“Besoj se ne do të bëjmë së bashku dhe falë ndihmës së qeverisë izraelite zhvillime të rëndësishme në sektorin e ujit dhe të administrimit të tij, ku Izraeli është një kampion bote në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Edhe pse është një vend që s’ka ujë siç ka Shqipëria, ka arritur të bëjë vërtet art me shfrytëzimin e ujit të kripur dhe ç’kripëzimin e tij për të gjithë funksionet e tij si dhe me përpunimin e ujërave të zeza”, tha Rama. Ai foli edhe për një marrëveshje të rëndësishme, për të cilën tha se jemi në finalizim, për të pasur në Shqipëri edhe grupin më të madh izraelit në fushën e naftës dhe gazit, “DELEK Group”. “Besoj që “DELEK Group” do të fillojë nga viti i ardhshëm të eksplorojë në territorin e Shqipërisë dhe në një sërë fushash të tjera si turizmi apo bujqësia ku ka një interes të veçantë nga ana e investitorëve këtu në këtë vend”, u shpreh ndër të tjera në këtë intervistë kryeministri Rama.
Sigal