Rama: Pse na duhen 71 mandate në zgjedhje

492
Kryeministri shpjegon marrëveshjen me Bashën dhe miratimin e vetingut dhe shprehet se PS do të fitojë e vetme
Kryeministri Edi Rama e vlerësoi si një moment historik zhbllokimin e vetingut në Kuvend. Gjatë një takimi me fermerët e Manzës në Durrës, Rama tha se tashmë ndodhemi pas një momenti historik, zhbllokimit të vetingut, “që ne luftuam aq shumë dhe natyrisht ia dolëm”. “Në këtë vend politika nuk i ka lënë shumë vend vetes për të qenë e besueshme dhe kur qëllimet e mëdha realizohen, se prapë fitojnë muhabetet e konspiracionit, muhabetet e rakisë: jo po këta u bënë bashkë të falin njëri-tjetrin” etj etj. Vetingu nuk fillonte se PD-ja kishte ikur nga Parlamenti dhe mund të fillonte vetëm nëse PD-ja do të vinte dhe do të bënte atë që bëri, sepse kishte bllokuar komisionet me 50% e saj”, tha Rama, duke shpjeguar edhe marrëveshjen me Bashën

Sipas shefit të qeverisë, anëtarët e organeve të vetingut janë verifikuar nga Avokati i Popullit dhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. “Këta njerëz do të ulen në dy komisionet e vetingut dhe do të fillojnë pastrimin e shkallëve të drejtësisë nga drejtësia e korruptuar dhe pastaj, edhe politikanët që kanë bërë zullume do të paraqiten para drejtësisë dhe do të marrin ndëshkimin e merituar. Njerëzit nuk kanë faj se kanë parë shumë, por ky moment nuk ngjan me asnjë tjetër, është një moment që shumëkush dhe brenda nesh nuk e mendonte”, u shpreh Rama. Sipas tij, reforma në drejtësi ka qenë objektiv që në ditët e para të pluralizmit.

“Nuk kemi ardhur në fuqi në 2013 për ta rrënuar, për të kaluar krizën e radhës nga një sektor në tjetrin, por për të kuruar dhe shëruar, që do të thotë se reforma në drejtësi është operacioni më i rëndë i bërë në trupin e shtetit shqiptar në 27 vitet, sepse është operacion që e çon thikën deri në palcë dhe do të pastrojë gjithë metastazat e kancerit në sistem. Një gjë është e sigurtë: Shqipëria është sot më e mirë se ç’ishte dje dhe ka më shumë shpresë dhe është më dinjitoze përpara ndërkombëtarëve”, nënvizoi kryeministri. Kreu i Partisë Socialiste kërkoi votën në zgjedhjet e 25 qershorit, duke akuzuar Partinë Demokratike për prishjen e shtetit. “Dy rrugë ka: Ose votoni Partinë Socialiste, që të vazhdojmë të ngremë katet e shtëpisë, ose çojeni votën tek Partia Demokratike që t’i hyjnë themeleve, siç e kanë zakon, e t’i bëjnë def. Nëse i jepni Partisë Socialiste mbi 71 mandate, timoni i reformave dhe i shtetit është në duart më të sigurta që janë këtu. Nëse jepni nën 71 mandate, mund të ketë Partia Socialiste timonin, por kushedi se sa duhet të ketë në prehër për të mbajtur timonin dhe pa rrip sigurie”, u shpreh Rama. Ai shtoi se qeveria e tij ka bërë gjithçka ka mundur. “Nuk kemi bërë sa kemi dashur, kemi bërë gabime sa të duash. Kemi të meta plot. Nuk jemi më të mirët, por, siç thotë ajo reklama, më të mirë nuk kemi parë. Nëse ju keni parë, na i tregoni dhe ne që të themi nuk jemi vetëm ne. Provën që këtë vend mund të bëhet shtet, ne e kemi dhënë. Provën që në këtë vend polici mund të bëhet polic dhe poçi mund të ngelet poç dhe jo të dridhet nga tensioni i ulët dhe të ndizet e të fiket sipas qejfit, e shkolla të jetë shkollë, spitalet të jenë spitale, e kemi dhënë”, nënvizoi Rama.
Sigal