Rama: Prokuroria të gjejë dekonspiruesit e operacionit

582
Kryeministri flet për Tahirin dhe deklaratat e SHBA-së. Ministri i Brendshëm do të depozitojë sot kallëzimin penal 
Kryeministri Edi Rama, në një intervistë në “360 Gradë” në “Ora News”, tha se ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, do të bëjë gjatë ditës së sotme një kallëzim penal për ata që kanë dekonspiruar operacionin për arrestimin e ish-drejtuesve të lartë të policisë së Vlorës. Rama tha se është një grup i vogël që kanë dijeni për çështjen. Ai shtoi se i qëndron deklaratës se, nëse Saimir Tahiri shpallet fajtor nga prokuroria është një “vemje”, ndërsa nuk preferoi të komentonte deklaratën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Vjenë.

Policia nuk ka mundur të kapë tre persona që janë ish-shefa policie në Vlorë dhe opozita mendon se ju jeni bashkëpunëtorë me ta?
“Shprehja kësaj radhe më duket jo fort në përputhje me aktivitetin e përditshëm të policisë së shtetit, e cila është në aktivitet të përditshëm. Gjatë këtij viti, policia ka shifrën më të lartë të zbulueshmërisë së krimeve në historikun e shifrave dhe këtë vit, Shqipëria ka numrin më të ulët të vrasjeve. Për sa i përket rastit konkret, unë nuk dua të bëj replika”.

Ka edhe personazhe të tjera si Klement Balili që nuk janë kapur. Për ndryshe nuk do të ngrinit një task forcë.
“Thjesht nuk m’u duk në përputhje me realitetin e përditshëm të policisë. Ka edhe raste të tilla dhe nuk ekziston në asnjë shtet që të ketë kapje 100% të autorëve të kërkuar. Për rastin konkret, unë nuk dua të bëj replika me opozitën. Opozita është në një proces të vetin dhe, nëse ka një subjekt që është dukshëm në drejtim të paditur është opozita. Ministri i Brendshëm nesër (sot) do të materializojë një kallëzim penal për të kërkuar një hetim të plotë për dekonspirimin e sekretit hetimor në rastin konkret, duke përfshirë të gjithë ata që kanë pasur dijeni, përfshirë edhe vetveten dhe duke vënë në dispozicion të organeve të hetimit të gjithë gatishmërinë e palës që përfaqëson pushtetin ekzekutiv dhe policinë, duke kërkuar të vihen në gatishmëri për hetimin edhe të tjerët edhe veten. Numri i personave që kanë pasur dijeni për operacionin është i kufizuar dhe është mundësia për të pasur hetim për të shkuar drejt dekonspiruesit”.

Ju akuzoni Prokurorinë se po dekonspiron ata që heton?
“Ministri i Brendshëm nesër (sot, e premte) do të materializojë kallëzimin për dekonspirim të procesit për të cilin ju thatë, se opozita më ka akuzuar mua. Ministri i Brendshëm do të kërkojë të hetohet rasti për të gjithë ata që kanë pasur dijeni për operacionin”.

Do të hetohet edhe opozita?
“Unë po them diçka shumë të thjeshtë. Është një rast, i cili për fat të keq del në media përpara se sa të materializohet një operacion. Në rastin konkret ekziston dyshimi i arsyeshëm që është dekonspiruar operacioni. Ajo që duhet të bëjë ministri i Brendshëm është të kërkojë hetim për rastet e përsëritura. Nuk bëhet fjalë për të kallëzuar opozitën dhe median, por personat në dijeni për operacionin. Ministri i Brendshëm nuk autorizon hetime, bën një kallëzim penal. Dihet kush janë me emër dhe mbiemër dhe është po ashtu edhe pala e prokurorisë, sepse jemi në një situatë qesharake ku qytetarëve ju servilet një mish-mash me gjysmë të vërteta. Në rastin konkret, numri i personave që kanë pasur dijeni është i kufizuar”.

Këtë kallëzim Xhafaj do ta ndërmarrë për radhët e policisë së shtetit?
“Organi i hetimit në këtë vend është Prokuroria dhe jo policia e shtetit”.
Nga njëra anë, Prokuroria ka ndërmarrë një hetim dhe nga ana tjetër i ka dekonspiruar…
“Unë them kush është përmbajtja që ministri i Brendshëm do të materializojë ditën e premte. Nuk ka në këtë kallëzim asnjë tërheqje nga përgjegjësia, por domosdoshmëri për t’i shkuar deri në fund një hetimi për raste kur mediat apo podiumet politike kanë marrë përsipër të bëjnë gjyqe politike me të ashtuquajtura burime. Këto burime janë keqpërdoruar, abuzuar nga njerëzit që në shkelje flagrante të ligjit komunikojnë me partitë dhe mediat për një detyrë që ligji ua ndalon. Nuk është faji i mediave, por përgjegjësia ligjore e atyre”.

Reagimet ndërkombëtare i keni lexuar?
“Reagimi im dhe i PS-së është në përputhje të plotë me reagimet ndërkombëtare”.

Është një personazh që quhet Herry Kanion, përfaqësuesi i SHBA në OSBE dhe ai thotë ndër të tjera, se një ish-ministër i Brendshëm është i implikuar.
“Kur ta keni atë në studio, pyetni atë”.

Ai thotë se pengesa kryesore për zhvillimin e Shqipërisë është krimi dhe korrupsioni. Këta kanë informacione të gënjeshtërta?
“Nuk ka asnjë gënjeshtër, asnjë konspiracion. Nuk është i pari që e thotë. Nuk jemi ne që themi se krimi dhe korrupsioni nuk e pengon Shqipërinë. Ky është një qëndrim i thjeshtë në OSBE”.

Si mund të jetë i thjeshtë kur thotë se ish-ministri i Brendshëm është përfshirë në trafik?
“Di që ish-ministri është nën hetim në Shqipëri dhe jo në Itali dhe, për sa kohë hetimi nuk ka dhënë këtë rezultat, nuk jam dakord me këtë shprehje”.

OSBE nuk bën komente…
“OSBE bën vetëm komente”.
Kanë edhe ata agjentët e tyre?
“Nuk më rezulton. Vetëm Putini thotë se janë agjenturë”.

Mos ju kanë gënjyer për Tahirin?
“Këtë do ta tregojë drejtësia”.

Nuk kam dëgjuar ndonjëherë termin vemje.
“Nëse drejtësia do të provojë të kundërtën e atyre për të cilat unë e kam mbështetur vazhdimisht dhe i kam dhënë besim maksimal Saimir Tahirit, i qëndroj 100% asaj që kam thënë. Atëherë ai është jo ai që unë kam besuar, por një njeri që meriton fjalën vemje”. 
Sigal