Rama: Probleme me edukimin fizik, të shtohen orët në shkollë

396
Sigal

VLORË – Kryeministri Rama ka mbetur dje i zhgënjyer nga aftësitë e mësuesve të fizkulturës së rrethit të Vlorë. Ai ka ndjekur në Pallatin e Sportin, stërvitjen e parë të mësuesve të edukimit fizik, të cilët do të inkuadrohen në programin “Sporti në shkollë”, iniciuar nga Ministria e Arsimit që këtë vit shkollor. “Duket që mësuesit kanë vite pa lëvizur vetë. Nuk e di sa kanë bërë që të lëvizin të tjerët, po e rëndësishme është që ne të fillojmë”, – theksoi Rama, duke vënë në dukje, dobitë e ushtrimeve fizike për popullatën duke e krijuar kulturën që nga vogëlia. Nga ana tjetër, Rama njoftoi se në të gjithë vendin, do të shtohet numri i mësuesve të edukimit fizik.“Siç e dini, në fillim të vitit të ri shkollor, ne do të nisin programin e madh “Sporti në shkollë”, -tha kreu i Qeverisë, – që do të thotë se na duhet ta fillojmë nga përgatitja e mësuesve të edukimit fizik… Të mos harrojmë që jemi vendi i vetëm në Europë dhe me distancë nga vendi i parafundit për lëvizje fizike të popullatës.

Më tej ai shtoi: “Të mos harrojmë që sporti për të gjithë, sporti në shkolla, është një ndihmë shumë e madhe që iu jepet prindërve në funksion të largimit të fëmijëve nga rruga e shumë alternativave të tjera të dëmshme, si droga, kafenetë, bilardot, bixhozi, si humbja kot e kohës që në fakt sporti e bën kohë sociale dhe kohë cilësore për të rritur edhe më vetëdijen sociale të njerëzve”.