Rama prezanton Toskën: Ndërtimi i rrugës Cërrik-Belsh, prioriteti ynë

459
Kryeministri Edi Rama është ndaluar në Cerrik mesditën e sotme, ku ka prezanzuar kandidatin e koalicionit për Shqipërinë Europiane, Altin Toska. Në fjalën e tij, Kryeministri Rama u shpreh se kandidati Toska nuk përfaqëson vetëm Lëvizjen Socialiste për Integrim, por edhe Partinë Socialiste dhe të gjihtë koalicionin e majtë.
“Së pari dëshiroj që të vendos theksin tek një fakt i thjeshtë, që Altin Toska nuk është kandidati i LSI-së, është kandidati i Partisë Socialiste, i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe i të gjithë koalicioni tonë. Nuk është aspak rastësi që sot, këtu, ne jemi për të prezantuar listën e Partisë Socialiste për Këshillin Bashkiak dhe në qendër të këtij prezantimi kemi kandidatin e përbashkët të Aleancës për Shqipërinë Europiane, Altin Toskën, që është kandidati i të gjithë socialistëve, të gjithë progresistëve, është kandidati i Partisë Socialiste dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim, që janë dy parti, por janë një forcë e vetme udhëheqëse për ta çuar Shqipërinë në drejtimin e duhur”, tha Rama.
“Prioriteti ynë, shtoi Kryeministri, është të bëjmë rrugën që lidh Cërrikun me Belshin, sepse është një rrugë pa rrugë dhe ndërkohë, lidhja me rrugë do të bëjë që e gjithë kjo zonë të marrë një tjetër perspektivë dhe një tjetër energji. Përsa i përket atyre që tha Altini, unë jam plotësisht dakord me Altinin, janë të gjitha shprehje e një vetëdije sociale, shprehje e një qëndrimi të qartë socialist dhe progresist, shprehje e objektivave dhe e vizionit tonë të qartë për të ecur në drejtimin e duhur dhe për të mos lënë asnjë prapa. Cërriku ka mbetur shumë mbrapa në këto vite. Katër vjet, asgjë, zero. Sot vij këtu, dy vjet pasi kemi ardhur për fushatën e kaluar dhe asnjë ndryshim. Zero!”, vijoi Kreu i Qeverisë.
“Bashkë me kryetarin e LSI-së, kur kemi shkuar të mbështesim kandidatë të ndryshëm, aty ku drejtojnë socialistët, era e rilindjes ka filluar të fryjë, aty ku drejtojnë këta të SHQUP-it, ja ku e keni shembullin këtu, Cërrikun. Prandaj ndajeni mendjen shumë qartë, jo vetëm socialistët dhe progresistët, por edhe ata që janë demokratë, të cilëve ne nuk i themi të bëhen socialistë, por këto zgjedhje nuk janë për të tundur shkopin e SHQUP-it, këto zgjedhje janë drejtpërdrejtë për t’i dhënë një mundësi qytetit” tha Rama.
Sipas tij, Bashkia nuk është qeveria. “Këshilli bashkiak nuk është parlamenti. 21 qershori nuk është dita e zgjedhjeve për të ndërruar qeverinë. 21 qershori është dita për të zgjedhur personin dhe forcën e duhur që të ndihmon ty si qytetar dhe ndihmon familjen tënde që jeta jashtë mureve të shtëpisë, që nga rruga, plehrat, transporti dhe me radhë, të gjitha ato që ka bashkia të bëhen më mirë. I keni dëgjuar të flasin për to? Përse nuk falsin? Ata flasin sikur në 21 qershor do marrin votën dhe do ta kthejnë prapa, para 2013-ës, se sipas tyre ishim më mirë kur ishim më keq”, përfundoi Kryeministri Vendit.
Pas kësaj vizite në Cerrik, Kryeministri i vendit, u ndal në Peqin për të prezantuar kandidatin për Bashki të Aleancës për Shqipërinë Europiane, Sajmir Hasalla, nga rradhët e Partisë për Drejtësi dhe Unitet. Gjatë fjalës së tij në Peqin, Kryeministri i vendit është shprehur se përmes kandidatit të majtë në Peqin do të bëhet në pak vite, ajo që nuk është bërë në 20 vite. Sipas tij, Peqini ka një mundësi historike, që përmes reformës territoriale të ti japi vlerë resurseve të saj. “Më 21 Qershor harrojeni PD-në, që ju ka ofenduar me kandidatin e propozuar dhe votoni Sajmir Hasallan, pasi ky është drejtimi i duhur për ju”, vijoi Rama. 
Sigal