Rama prezanton platformën e bashkëqeverisjes me qytetarët, zbulon si funksionon

672
Pas prezantimit në rrjetin social Facebook ku kërkonte ndihmën e qytetarëve për të qeverisur, tashmë kryeministri ka dalë me një dokument të posaçëm
E kishte paralajmëruar gjatë dhe pas zgjedhjeve se në këtë katërvjeçar qeverisës do të ishte në koalicion me njerëzit e thjeshtë. Për këtë gati një muaj me radhë shpërndau në të gjitha zonat e vendit deputetët dhe mblodhi nga qytetarët problemet dhe pikat e dobëta ku duhej të ndërhyhej urgjentisht. Tashmë ka hedhur një tjetër hap. Bashkëqeverisje me njerëzit e thjeshtë. Dje ka shpalosur edhe platformën se si do të funksionojë kjo marrëdhënie qeveri-qytetar i thjeshtë. Tashmë tepsinë nuk do e ndajë me partitë e tjera, por vetëm me njerëzit e thjeshtë. Është i bindur se në këtë betejë që ka nisur, qytetarët do të jenë ata që do të marrin vendimet e duhura. Madje do të kenë të drejtën edhe të kërkojnë mocion mosbesimi. Ai mohoi që përmes këtij mekanizmi të hapet një gjueti shtrigash, se njerëzit mund të sulen me denoncime e të marrin njerëz nëpër gojë, pasi tha se platforma pranon vetëm anëtarë real me identitet të verifikuar si pjesëtarë të këtij koalicioni qeverisës. Kreu i qeverisë mohoi që platforma të jetë si Facebook ku një individ mund të futet me shtatë emra. Rama bëri me dije se çdo person që regjistrohet për të qenë pjesë e këtij procesi dhe për t’i dhënë vetes statusin e anëtarit të koalicionit, do t’i dalë për zot edhe çdo denoncimi për sjellje abuzive apo korruptive, për ngjarje apo informacione shqetësuese që do t’i ndajë. Ai tha se mbas ekranit do të qëndrojë një grup i tërë njerëzish që do të ndjekin në kohë reale; çdo opinion, kërkesë apo ankesë dhe do të bëjë verifikimin për çdo ankesë që lidhet me persona apo me informacione të caktuara. Rama deklaroi se pas kësaj platforme për të cilën shfaqën interes 800 persona, nga dita e hënë do të jenë në gatishmëri 25-30 persona të përzgjedhur, të cilët do të ndahen në grupe. Ai tha se grupi qendror do të jetë në Kryeministri dhe grupet e tjera në çdo ministri, sipas të gjitha kategorive që ka platforma, ku opinionet, kërkesat, ankesat, sugjerimet, nismat do të ndahen sipas kategorive. Rama shtoi se zgjidhja e problemit apo ankesës jepet nga titullari i institucionit dhe çdo anëtar i kabinetit qeverisës do të mbajë përgjegjësi për përgjigjen. Kryeministri tha se do të raportohet në mënyrë periodike për gjithçka denoncohet në platformë dhe që është e regjistruar. Duke prezantuar grafikisht platformën online, siç mund të shihni në videon më poshtë tha se ka një dritare ankesash me një nëngrup dritaresh, se ku bëhet ankesa, qarku, institucioni etj. Rama tha se qytetarët do kenë të drejtë, natyrisht nëpërmjet disa kritereve që të thërrasin nga Kryeministri te ministrat për interpelancë, kur një grup qytetarësh shprehin shqetësim për një çështje të caktuar.
Rama “shqetësohet” për Sajmir Tahirin
Teksa fliste Edi Rama konstatoi mungesën e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. “Ne kemi caktuar një koordinator kombëtar për bashkëqeverisjen me njerëzit. Ai është Saimir Tahiri. Nuk e di, nuk e pashë sot këtu. Por ai ka një eksperiencë mjaft të madhe organizative”, u shpreh Rama. Megjithatë, Tahiri ishte i pranishëm në takim. Prej kohësh flitet se mes Kryeministrit dhe ish-ministrit marrëdhëniet nuk janë më si më parë dhe duket se ka pasur një krisje mes tyre. Duke folur lidhur me platformën, Rama tha se mbas ekranit do të qëndrojë një grup i tërë njerëzish që do të ndjekin në kohë reale, çdo opinion, kërkesë apo ankesë dhe do të bëjë verifikimin për çdo ankesë që lidhet me persona apo me informacione të caktuara. Ai tha se grupi qendror do të jetë në Kryeministri dhe grupet e tjera në çdo ministri, sipas të gjitha kategorive që ka platforma, ku opinionet, kërkesat, ankesat, sugjerimet, nismat do të ndahen sipas kategorive. Rama shtoi se zgjidhja e problemit apo ankesës jepet nga titullari i institucionit dhe çdo anëtar i kabinetit qeverisës do të mbajë përgjegjësi për përgjigjen.

Ja si do të thirret kryeministri në interpelancë
Gjatë prezantimit të platformës për bashkëqeverisjen, Rama është shprehur se qytetarët mund të thërrasin në interpelancë kryeministrin por edhe ministrat për problemet që kanë, por për këtë duhet të plotësojnë një kusht. “Ka edhe një rubrikë ku përfshihet konsultimi publik, këtu është interpelanca, do u japim mundësinë njerëzve të zakonshëm që të thërrasin në interpelancë kryeministrin dhe ministrat, kuptohet me disa kushte, që të jenë një numër i caktuar anëtarësh. Platforma do të ketë ekranin e vet që do të bëhet interpelanca, sipas tematikës që kërkojnë qytetarët e regjistruar” deklaroi Rama.
Sigal