Rama pret Kreun e Komisionit Europian, Juncker

98
Pas vizitës së tij në Maqedoni, ku nisi turin Ballkanik, kreu i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Tiranë me synim nxitjen e proceseve integruese të vendit drejt Bashkimit Europian.
Axhenda e Delegacionit të lartë të BE-së në Tiranë nisi me pritjen me nderime ushtarake në Kryeministri.
Juncker takohet fillimisht me kryeministrin Rama, me të cilin do të mbajë edhe një konferencë për shtyp.
Qëllimi i vizitës është ecuria e reformave integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian në kuadër të strategjisë së re të zgjerimit, prezantuar më herët gjatë këtij muaji nga Komisioni Europian që përcakton vitin 2025 si horizont kohor për anëtarësimin e rajonit.
Pak ditë më parë komisioneri Hahn tha në një intervistë për gjermanen ‘Di Velt’ se negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedonisë do të nisin brenda verës, pasi vendet kanë bërë progres të dukshëm me reformat euro-integruese.
Zyrtari i lartë europian tha se Shqipëria në veçanti kishte arritur rezultate në luftën kundër krimit të organizuar.
Turin ballkanik e nisin me vizitën në Shkup. Ndërsa pas Shqipërisë, zyrtarët europianë do të vizitojnë të hënën Serbinë, më pas Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën, të mërkurën Kosovën për ta përmbyllur me Bullgarinë, që ka presidencën e radhës të Bashkimit Europian.