Rama: Presidenti ende nuk e ka thënë fjalën e fundit

485
Sigal

Kur të gjithë prisnin të dëgjonin lëvizjen e radhës së Kryeministrit në shahun me Presidentin e Republikës, Edi Rama i dha ende kohë Ilir Metës. “Do t’i japim edhe ca kohë që ta bluajë, por edhe vetes për të hedhur hapin e radhës”, – kryeministri tha Rama në Kuvend. Kryeministri Rama do të luajë lëvizjen e radhës në fushën e shahut politik, duke i riçuar sërish emrin e Sandër Lleshit për ministër të Brendshëm, me bindjen, se me kalimin e një kohe, Presidenti Meta do të krijojë bindjen për ta dekretuar. Për Presidentin Meta do të hapej kështu një tjetër afat kohor 7 ditor, brenda të cilit mund ta dekretojë ministrin. “Nuk kam humbur besimin se Presidenti nuk e ka thënë ende fjalën e fundit mbi këtë çështje”, u shpreh kryeministri Rama.

Reagimi i Presidentit Meta

Teksa kryeministri Edi Rama mbante fjalimin e tij në Kuvend me akuza e paralajmërime ndaj Ilir Metës për mosdekretimin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm, ka ardhur reagimi i Presidentit. Në një status në Facebook, kreu i shtetit, ka postuar një foto duke i uruar “Mirëmëngjesi” shqiptarëve. “Mirëmëngjesi miq! Drejt Kalabrisë tek Arbëreshët,” – shkruan Presidenti Meta.

Kryeministri e shkatërroi Gjykatën Kushtetuese

Mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi si pasojë e zvarritjes së procesit të vettingut dhe përgjegjësia kryesore bie mbi mazhorancën, që në njëfarë mënyre, mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese mund t’i shërbejë vetëm qeverisë, e cila ka një oponencë më pak në qeverisjen e saj. Kryeministri Rama, mungesën e Gjykatës Kushtetuese kërkon ta shkarkojë si përgjegjësi të Presidentit Meta, për mosdekretimin e ministrit të Brendshëm. Rama: “Krisja nuk është personale, por kushtetuese. Uroj që Presidenti mos ta çojë në thyerje, që nuk do të ishte fundi i botës”. Sipas Kryeministrit, nëse ekziston vullneti, çështja zgjidhet edhe në mungesë të Gjykatës Kushtetuese: “Mungesa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese është e kapërcyeshme nëse Presidentit nuk i mungon dëshira. Krisja zgjidhet shpejt”. Rama pohoi se Kushtetuta i ka të shprehura 12 kompetencat e Presidentit dhe ftoi Metën që të konsultohej me paraardhësin e vet, që u detyrua t’i hapte rrugë dekretimit të Fatmir Xhafës. Në fund, Rama mirëpriti gatishmërinë e Metës për t’i sqaruar Parlamentit çfarë nuk e bindi: “Mirë se të vijë dhe të tregojë çfarë nuk më tha as mua”. Nga ana tjetër, Presidenti u përgjigj i buzëqeshur në një foto ndërsa udhëtonte drejt Italisë. Ai është në pritje të lëvizjes së radhës së mazhorancës për emrin e Vitore Tushës.

Zyrtare: Sandër Lleshi emërohet zv.ministër i Brendshëm

Pas seancës jashtë radhe të djeshme në Kuvend për votimin e shkarkimit të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, kryeministri Edi Rama ka mbledhur qeverinë. Kryeministri njoftoi emërimin e Sandër Lleshit në postin e zv.ministrit të Punëve të Brendshme me kompetenca ministri, për të shmangur dekretin e Presidentit Meta, për mosdekretimin si ministër. Po dje, kryeministri Rama e prezantoi zv.ministrin e Brendshëm, Leshi në zyrat e ministrisë së Brendshme, ku shkoi së bashku me Lleshin dhe Xhafaj, pa praninë e medias, ndërsa kur doli nga godina e ministrisë së Brendshme, u shoqërua vetëm me ish-ministrin e Brendshëm, Xhafaj.

Nënkryetari i PD-së, Paloka: Sandër Lleshi, ushtar i Ramës në Ministrinë e Brendshme

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, tha se Parlamenti sot i hapi rrugë emërimit të një ushtari të Kryeministrit Rama në krye të Ministrisë së Brendshëm, duke iu referuar Sandër Lleshit. Sipas Palokës, Sandër Lleshi nuk mund të luftojë dot krimin, sepse ai është pjesë e paktit të Ramës, të cilin e ka lidhur me bandat për të blerë zgjedhjet. Paloka i drejton pyetjet zv.ministrit të Brendshëm me kompetenca ministri, Sandër Lleshi:

  • A do të mundet të arrestojë ministrat e korruptuar, deputetët që kanë lidhje dhe miqësi me njerëzit e botës së krimit, nga të cilët sigurojnë edhe votat?
  • A do të arrestojë kryebashkiakët që mbledhin votat me bandat kriminale?
  • A do të arrestojë komisionerët e administratës zgjedhore, që manipulojnë votat?

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, ndër të tjera, tha: “Parlamenti i hapi sot rrugën e drejtimit të ministrisë së Brendshme nga një tjetër ushtar i Ramës. Sandër Lleshaj nuk ka për ta luftuar dot krimin, sepse shefi i tij mbahet nga votat e krimit. Sandër Lleshi është pjesë e paktit me krimin e Edi Ramës që blen zgjedhjet. Paloka: Parlamenti i hapi sot rrugën drejtimit të Ministrisë së Brendshme nga një tjetër ushtar i Edi Ramës, fundi i të cilit do të jetë i njëjtë- shërbëtor i një kryeministri peng të krimit të organizuar. Sandër Lleshaj nuk ka për ta luftuar dot krimin, sepse pushteti politik i shefit të tij varet nga blerja e votës nëpërmjet bandave dhe krimit të organizuar. Sandër Lleshaj është produkt i një qeverie ilegjitime, që qëndron në pushtët me të paktën 15 mandate të blera. Në Shqipëri nuk ka për të pasur as drejtësi, as luftë kundër krimit dhe asnjë zhvillim normal pa u ndëshkuar krimi elektoral që mban në pushtet qeverinë ilegjitime të Edi Ramës!

Ambasadori Soreca: Duhet një ministri e Brendshme funksionale

BE kërkon një ministri të Brendshme funksionale për të luftuar krimin. Kjo domosdoshmëri është shprehur nga ambasadori i BE, Luigi Soreca në një kohë kur ministria e Brendshme drejtohet nga zv/ministri Sandër Lleshi, emri i të cilit nuk u dekretua nga Presidenti Meta. Soreca: Një ministri e Brendshme, plotësisht funksionale në gjendje të vazhdojë të luftojë me forcë kundër krimit të organizuar është thelbësore për Shqipërinë. Soreca vlerësoi aksionet e fundit të policisë së shteti në goditje të grupeve kriminale duke theksuar se këto rezultate kanë qenë të pritshme nga Brukseli. Soreca: Gjatë muajve të fundit janë marrë disa aksione të policisë kundër krimit të organizuar, veçanërisht grupeve të trafikut të drogës, ndërsa BE i mirëpret këto aksione. Këto janë rezultate që ka pritur BE dhe kjo duhet ruajtur. Soreca bëri të ditur se ka nisur mbledhja e informacioneve për Shqipërinë, ndërsa këto të fundit do të verifikohen dhe analizohen në Tiranë dhë më pas në Bruksel.