Rama premton: Do bëjmë gjithçka që vitin e ardhshëm të çelen negociatat. Është koha e zbatimit të vettingut

527
Shefi i ekzekutivit ka folur sot për një mundësi të hapjes së negociatave vitin e ardhshëm. Në një intervistë në TVSH, kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do bëjë gjithçka që vitin e ardhshëm të çelen negociatat.
Ai paralajmëroi edhe vënien në jetë të vettingut duke thënë se njerëzit kanë nevojë të shikojnë se kjo nuk është një fjalë e bukur që frymëzon përfytyrimin, por është një fjalë që përkthehet në vepra konkrete në funksion të një drejtësie të drejtë për njerëzit.
Vendimi i parë i qeverisë tuaj në vitin 2013 ishte abrogimi i ligjit për importin e plehrave. Cili do të jetë vendimi i parë i qeverisë së mandatit të dytë. Ju keni deklaruar vitin e Skënderbeut. Çfarë keni parasysh në këtë axhendë? 
Janë disa stacione që koincidojnë me 550-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar dhe për këtë arsye ne do të shpallim të gjithë harkun vjetor nga 28 nëntori i këtij viti deri në 28 nëntorin e vitit të ardhshëm, si viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Dhe pastaj brenda këtij viti do të kemi një zinxhir aktivitetesh, edhe aktesh që do të celebrojnë figurën e heroit tonë kombëtar, jo si një vit që do të na kthejë mbrapa, por si një vit për të parë përpara në funksion të një Shqipërie europiane, me shtet, me punë, me mirëqenie.
Dy vitet e fundit të mandatit tuaj të parë kryesisht u përmend shumë vettingu. Togfjalëshi tjetër është “reforma në drejtësi”. Çfarë parashikoni në vitin e parë të qeverisjes në kuptimin e rezultateve? Institucionet e reja… shikoni rezultate në pastrimin e gjyqësorit?
Do të bëjmë gjithçka që vitin e ardhshëm të çelen negociatat dhe nga ana tjetër vettingu mbetet në rendin e ditës sepse është koha që ka filluar zbatimi dhe njerëzit kanë nevojë me të drejtë të shikojnë se kjo nuk është një fjalë e bukur që frymëzon përfytyrimin, por është një fjalë që përkthehet në vepra konkrete në funksion të një drejtësie të drejtë për njerëzit.
Dhe kjo do të vazhdojë në bashkëpunim me opozitën. Gjatë katër viteve të shkuara kemi parë duelin në parlament, por kemi parë edhe duetin e shkurtër që nga marrëveshja e 17 majit e deri tek bashkëqeverisja me ministrat teknikë. Preferoni duelin apo duetin? 
Duetin!
Javën tjetër nisni mandatin e dytë qeverisës. Ju jeni në pushtet prej dy dekadash dhe në pozicionet që keni patur keni ndikuar në fatet e vendit. Si e vlerësoni veten? 
Si një njeri të gabueshëm që përpiqet të përmirësohet.
Çfarë gjurmësh mendoni se keni lënë me punën tuaj gjatë dy dekadave?
Mbase nuk është koha për ta bërë këtë bilanc…
Koha është e konsiderueshme në fakt, dy dekada. 
Ndoshta ia lëmë intervistës të momentit kur unë do të jem tërhequr nga fusha e betejës si protagonist kryesor dhe ndoshta do të kem vëmendje për të kuptuar se çfarë kam lënë mbrapa.
T’i japim pak hapësirë pyetjes që të marrim një përgjigje. Nëse pas dy dekadash nuk është koha për të bërë një bilanc, po gjurmët që kërkoni të lini në 4 vitet e ardhshme? 
Mbase mund të them pa gabuar që shumë gjëra që duken sot si të mirëqëna dhe sikur kanë qenë njëherë aty e përgjithmonë nuk do të ishin bërë nëse unë nuk do të isha në këtë fushë. Ndërkohë që patjetër kam bërë edhe gabime. Por besoj që bilanci anon shumë më tepër nga punët e mira se sa nga gabimet. Ky është besimi im.
Z.Kryeministër faleminderit që ishit sot në emisionin “Përballë” dhe suksese në mandatin tuaj të dytë qeverisës!
Shumë faleminderit për ftesën dhe për gjithë këtë kohë që kaluam së bashku me pyetje të vështira, por në një atmosferë ku gazetari bën gazetarin dhe…
Kryeministri bën kryeministrin…
Dhe unë nuk jam i detyruar që t’i kujtoj profesionin.
Sigal