Kryeministri Rama, nxit urrejtjen ndaj Evropës

506
Sigal

Analizë nga Prof. Dr. Kastriot Islami: Rama me vetëdije të plotë po nxit te shqiptarët urrejtjen ndaj Evropës, ndërkohë që mbi 1 milion shqiptarë jetojnë e punojnë në vendet e BE. Euroskepticizmi i tij,”se më mirë të mos futemi në Evropë, derisa ata nuk na duan” është një turp historik përballë inteligjencës gjermane

Nga Kastriot Islami

Shqipëria ka shansin e madh të jetë gjeografikisht, por jo vetëm, në Evropë dhe historikisht e ka drejtuar gjithnjë fytyrën nga perëndimi, përveç rasteve kur drejtuesit e saj për qëllime të pushtetit të tyre personal e kanë orientuar vendin plotësisht apo pjesërisht nga lindja…Është fati i madh që vendosja e demokracisë ka koinciduar me përcaktimin e objektivit të dyfishtë, të anëtarësimit në strukturën euroatlantike të NATO dhe strukturën evropiane të BE. Nuk është po ashtu e rastësishme, por shprehje e vullnetit qytetar për orientim perëndimor, që Shqipëria ka përcaktuar si partner kryesor strategjik SHBA dhe partnerë strategjikë fqinjësor Greqinë e Italinë, vende anëtare të NATO-s e BE-së… Nga sondazhet e shumta rezulton se qytetarët shqiptarë në shumicë duan që vendi i tyre të integrohet në Evropë… Po ashtu si edhe shumica e qytetarëve evropianë që janë europeistë, pra që janë në favor të zgjerimit të BE; thënë më qartë e më konkretisht, se ata janë pro-anëtarësimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE… Rama, thjesht dhe vetëm për interesa të pushtetit të tij personal, mendon e punon kundër integrimit evropian të Shqipërisë. Sepse qëndrimet e Ramës në thelb janë nxitëse të euroskepticizmit, pra të urrejtjes së shqiptarëve ndaj Evropës me tezën diabolike se “ne s’i duam se edhe ata s’na duan”. Rama për këtë arsye është edhe kundër qëndrimit gjerman për hapjen e negociatave me kushte, sepse qëndrimi gjerman është edhe kundër qeverisjes Rama edhe kundër qëndrimit të Ramës, nxitës të euroskeptizmit te shqiptarët… Rama, sot në parlament, gjoja i nxehur dhe i revoltuar, tentoi ti mbushte mendjen shqiptarëve se qeveria e tij i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe se qeveria e tij ka realizuar të gjithë detyrimet për hapjen e negociatave me BE, por disa vende si Franca, Holanda, Danimarka janë kundër se kanë problemet e tyre të brendshme me forcat politike kundër zgjerimit, pra sepse ato dominohen nga euroskpeticizmi. Por në realitet Rama sot u shfaq “lakuriq” përballë qëndrimit të mençur dhe inteligjent të Gjermanisë i cili do të përkthehej në këtë mënyrë:

  • Shqipëria s’i ka realizuar detyrat e shtëpisë, megjithatë Gjermania pranon të hapen negociatat me BE;
  • Gjermania s’bie në kurthin e Ramës duke deklaruar që të hapen negociatat pasi të plotësohen 9 kushte, pra përgjegjësia për mosplotësimin e kushteve është tërësisht e qeverisë Rama;
  • Rama s’ka asnjë hapësirë të deklarojë se “qeveria e tij i ka plotësuar të gjithë detyrimet dhe se Gjermania është kundër hapjes së negociatave për shkak të problemeve të saj të brendshme me eusoskeptikët…”

Thënë ndryshe, Gjermania, duke vendosur për hapjen e negociatave me 9 kushte, i ka lëshuar Ramës mesazhin e qartë e të fortë: Shqipërisë do t’i hapen negociatat vetëm kur qeveria e saj të plotësojë 9 kushtet, ose thënë më troç, kur shqiptarët të largojnë Ramën nga drejtimi i qeverisë së tij, jo vetëm si të paaftë e të korruptuar e të inkriminuar por edhe si nxitës të euroskepticizmit, pra të urrejtjes së shqiptarëve ndaj Evropës… Rama ishte i mërzitur dhe i acaruar dje në Kuvend…sepse në fakt Gjermania ia hodhi në erë planin diabolik. Por Rama ka ende shumë shpresë te qëndrimi i disa vendeve të tjera për të formuluar qëndrimin e tij nxitës të euroskepticizmit: A e patë, Shqipërisë s’iu hapën negociatat, jo se qeveria ime s’i ka plotësuar 9 kushtet e vendosura nga Gjermania, por sepse qëndrimet e qeverive të disa vendeve të BE janë kundër zgjerimit, janë kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, sepse këto qeveri dominohen nga euroskpetikët, pra i urrejnë shqiptarët. Rama kërkon në këtë mënyrë t’i hedhë hi syve shqiptarëve, duke deklaruar se qeveria e tij dhe ai vetë po bëhen copë për ta futur Shqipërinë në Evropë, por në disa vende të Evropës s’i duan shqiptarët dhe Shqipërinë në Evropë… Pra Rama me vetëdije të plotë po nxit te shqiptarët urrejtjen ndaj Evropës. Thënë ndryshe Rama po nxit euroskepticizmin duke iu thënë shqiptarëve, se më mirë të mos futemi në Evropë derisa ata s’na duan…Ky është një turp historik, që meriton jo vetëm diskreditim por edhe ndëshkim. Sot, se nesër do të jetë vonë…

 Rama me vetëdije të plotë po nxit te shqiptarët urrejtjen ndaj Evropës. Thënë ndryshe, Rama po nxit euroskepticizmin, duke iu thënë shqiptarëve se më mirë të mos futemi në Evropë, derisa ata s’na duan… Ky është një turp historik, që meriton jo vetëm diskreditim por edhe ndëshkim. Sot, se nesër do të jetë vonë